Një nga personat e akuzuar si pjesëmarrës në pengmarrjen dhe më pas vrasjen e Jan Prengës është lënë sot në burg nga Gjykata e Tiranës.
Ardian Doçaj është njohur sot me masën e sigurisë “arrest me burg” duke u bërë kështu personi i gjashtë që lihet në qeli për këtë ngjarje.
Doçaj deklaroi në seancë se nuk ka lidhje me ngjarjen.
“Nuk i njoh të arrestuarit e tjerë. Nuk kam qenë ndonjëherë i dënuar”, tha Doçaj.
Ai u shpall në kërkim në fillim të shkurtit bashkë me Aldo Majnishtën të dyshuar si anëtarë të grupit të Dukagjinit që morën pjesë në vrasjen e Jan Prengës më 17 janar. Pasi OFL i sekuestroi banesën, Ardian Doçaj u rikthye në Shqipëri pasi ishte jashtë vendit dhe iu dorëzua autoriteteve në pikën kufitare të Hanit të Hotit.
Në 31 janar, Gjykata e Tiranës la në burg 5 të arrestuarit e parë për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Arrest me burg u dha për Bajram Hajrin, Leonard Hajrin, Olsi Turjan, Elton Hajrin, si dhe për Festim Bexhdilin. /Opinion.al