Home KRYESORE Meta mban fjalimin për Tiranën tek Teatri, në sallë thirrje “Rama Ik”

Meta mban fjalimin për Tiranën tek Teatri, në sallë thirrje “Rama Ik”

Presidenti i Republikës Ilir Meta vendosi të festojë i ndarë nga politika, 100-vjetorin e Tiranës. Ai mbajti një fjalim për 100-vjetorin e Tiranës si kryeqytet në ambientet e Teatrit Kombëtar, i cili prej disa muajsh është kthyer në “fushëbetejën” e qeverisë dhe presidencës e cila ka shkuar deri në Gjykatën Kushtetuese.

Përgjatë një shekulli Tirana rezulton qyteti me transformimin më të madh urban dhe njerëzor të Shqipërisë, në të cilin sukseset dështimet dhe sfidat e përparimit janë të lidhura me arritjet e mbarë vendit.

Kryeqyteti ynë hodhi shtat mbi trashëgiminë e një komuniteti vendas mjaft njerëzor, atdhetar dhe me vlera qytetare të arrira. Tradita Tiranase si bujaria, mikpritja dhe solidariteti njerëzor ishin tipare që bashkuan shqiptarët e të gjitha trojeve në një ansambël kulturor të larmishëm dhe harmonik”, tha Presidenti Meta gjatë fjalës së tij.

Ai nuk i kurseu as deklaratat për Teatrin të cilin e cilësoi si një pasuri kulturore të pazëvendësueshme.

“E vlerësoj faktin e organizimit të këtij manifestimi përkujtimor në ambientet e Teatrit tonë Kombëtar, kësaj pasurie kulturore të pazëvendësueshme të jetës shpirtërore të kryeqytetit dhe mbarë kombit tonë. Ky gjest është një thirrje në lartësinë e shekullit për të ruajtur e mbrojtur trashëgiminë e pasurisë arkitektonike e kulturore të kryeqytetit ndër vite! Përshëndes kurajën tuaj qytetare dhe dua t’ju siguroj për mbështetjen time të vazhdueshme. Brezi i ri i Tiranës duhet të njihet dhe t’i përkushtohet pasurisë shpirtërore dhe traditave më të mira kulturore të kryeqytetit tonë”, tha Meta.

Në këtë përvjetor presidenti Meta vlerësoi me tituj nderi kryetarin e parë të Bashkisë, Ismail Ndroqin, rilindasin e shquar Said Sermedin Toptani, humanisten Hatixhe Skënderi, këngëtaren simbol të këngës tiranase Hafsa Zyberi, atdhetarin Ethem Tabaku dhe historianin Gazmend Bakiu.

Në fund të fjalimit të Metës në sallë u dëgjuan thirrje ”Rama Ik” megjithatë ai nuk reagoi ndaj tyre duke vazhduar me ceremoninë e dekorimeve. /Opinion.al

Share: