Home KRYESORE MSH jep të dhënat e fundit: 8 rastet e dyshuara mbrëmë dolën...

MSH jep të dhënat e fundit: 8 rastet e dyshuara mbrëmë dolën negativë. Udhëtarët që vijnë nga vendet e prekura të telefonojnë në këtë numër

Në komunikimin e përditshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, nga përfaqësuesit e Task-Forcës së ngritur nga Ministrja Ogerta Manastirliu, drejtuesja e Shërbimit të Inteligjiencës Epidemiologjike, pjesë e Task-Forcës, Eugena Tomini, ka konfirmuar se në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar me Koronavirusin COVID-19 dhe deri mbrëmjen e djeshme janë testuar 8 raste që kanë rezultuar negative.

“Deri në këto momente nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID 19, deri në mbremjen e djeshme janë testuar në total 8 raste të dyshuar që kanë patur histori udhëtimi me vendet e prekura nga koronavirusi dhe kanë rezultuar negativ nga testimi në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik. Theksojmë se diagnoza e plotë e COVID 19 kryhet pranë Laboratorit të Virologjisë, i vetmi në vend i çertifikuar nga OBSH”, u shpreh Tomini.

Duke theksuar shtimin e masave në pikat kufitare, Tomini është shprehur se pas konfirmimit të koronavirusit COVID-19 në Itali vetëm në 24 orë janë monitoruar 4700 persona që vinin nga harta gjeografike e vendeve me shpërthime komunitare, përfshirë edhe Italinë.

Duke theksuar se Ministrja Manastirliu ka firmosur urdhrin për masa të shtuara higjieno-sanitare edhe në institucionet arsimore, përfaqësuesja e Task-Forcës bëri apel për të gjithë qytetarët për të qenë të vëmendshëm për të respektuar masat higjieno-sanitare.

“Është shumë e rëndësishme që të qytetarët të marrin masa të shtuara higjieno-sanitare: Që nga larja e shpeshtë e duarve, përdorimi i një shamie letre ose grushtit të brrylit kur teshtin dhe jo duart, minimizimi i prekjes me dorë të hundës, gojës dhe syve si dhe përdorimi i maskave vetëm në rastet kur jeni të sëmurë apo ndihmoni njerëz që janë të sëmurë. Nuk rekomandohet përdorimi i maskave për pjesën tjetër të qytetarëve”, tha Tomini.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Task Forca për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri rekomandon të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 në rast të shfaqjes së cdo shqetësimi apo shenje klinike, pa u drejtuar menjëherë në spital.

(BalkanWeb)

Share: