Home KRYESORE Nikollaq Neranxi: Për at Kozma Karavellën dhe pronat e himariotëve!

Nikollaq Neranxi: Për at Kozma Karavellën dhe pronat e himariotëve!

Po lexoj statuse të ndryshme të himariotëve të cilët po akuzojnë për një ligj për pronat, një njeri të cilin unë e respektoj dhe e admiroj shumë, por jo vetëm unë. Himariotët janë duke përgojuar sot father Karavellën, një personalitet, vlerat e të cilit në shërbim të kishës ortodokse dhe humanizmi i tij, janë të njohura botërisht. Personaliteti i Father Kozma Karavellës është vlerësuar nga Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, duke e shpallur atë si një mik të ngushtë.

Personalisht kam shkuar për ta takuar rreth tri vite më parë në Washington, në kishën ortodokse ‘St. Kostantin and Helen Annapolis Maryland’ ku ai shërben. Kam shkuar t’i kërkoj ndihmë për problemin e pronave të Himarës dhe kam zbuluar tek ai një mik të madh të himariotëve. Edhe për avokatin Simo Dhima që ka kontribuar për këtë ligj, gëzoj shumë respekt!

Çdo sugjerim që i ka ardhur qeverisë shqiptare nga Father Karavella për ligjin e pronave dhe pajisjen e himariotëve me certifikate pronësie, nuk mund të jetë tjetër veçse dashamirëse dhe pozitive. Prandaj iu bëj thirrje himariotëve të mos nguten në nxjerrje konkluzionesh. Himariotët kanë 30 vite që presin Greqinë t’i ndihmojë për të marrë certifikatat e pronësisë dhe deri tani nuk kanë gjetur zgjidhje, rruge për të cilën unë asnjëherë s’kam qenë dakord. Ky ka qenë një gabim i madh, çmimin e të cilit po e paguajnë sot.

Tani që ka një kontribut nga himariotët e Amerikës, ç’ne që nuk po ju pëlqen dhe s’keni durim? A keni kërkuar zgjidhje të problemit të pronave apo thjesht keni dashur të mashtroheni nga disa individë me agjenda personale këtej dhe andej kufirit?

Tregohuni më të pjekur dhe jepni mendimin tuaj kur të jeni më të qartë dhe mbi të gjitha kur ta kemi ligjin të plotë. Nëse ai nuk mbron të drejtat tona pronësore, do gjejmë hapësira ligjore për ta ndryshuar.

Himariotët e ndershëm duan regjistrimin e pronave, nuk kanë axhendë tjetër përveç kësaj! Kush do të merret me politikë, gjeopolitikë dhe probleme etnike, lërini në hallet e tyre!

27/02/2020

Shoqata e Himariotëve Amerikanë: Shansi më i mirë që grekët e Shqipërisë të marrin tokat 

“Shansi më i mirë i grekëve në Shqipëri që të marrin tokat e tyre, po vihet në rrezik”. Me këtë titull, Shoqata e Himariotëve Amerikane, një ndër shoqatat më aktive në mbrojtje të të drejtave të shtetasve grekë, rreshtohet pro Ligjit të Pronave në Shqipëri. 

Deklarata vjen pas një konflikti të lindur mes greko-amerikanëve me prejardhje nga Himara dhe grekëve etnikë që jetojnë në Himarë, përsa i përket Ligjit të ri të Pronave. Shoqata thotë se disa grupe në Himarë pretendojnë se legjislacioni i ri nuk zgjidh asnjë problem ekzistues dhe shton probleme të reja. 

“Por kjo nuk është e vërtetë”, thotë Kosmas Karavelas, president i Shoqatës së Himariotëve të Amerikës me qendër në Washington. 

“Ligji i ri u jep banorëve të Himarës dhe të gjithë grekëve etnikë në Shqipëri, mundësinë më të mirë që nga rënia e komunizmit 30 vjet më parë për të regjistruar pronat e tyre dhe për të marrë tituj të qartë të pronësisë së tyre”, shprehet ai. 

Ai thotë se ekspertë të angazhuar nga Shoqata, përfshirë avokatin Simos Dimas, familja e të cilit vjen nga Himara, kolegu i tij Jay Creutz dhe një ekip lokal i specialistëve të ligjit për pronën, kanë bashkëpunuar për dy vite me autoritetet shqiptare për të hartuar ligjin e ri dhe u këshilluan gjerësisht me ekspertë europianë dhe amerikanë, si dhe udhëheqës të grekëve etnikë gjatë procesit.

Edhe avokati Dimas shprehet se ligji i ri u siguron pronarëve të ligjshëm mundësinë për të regjistruar përfundimisht pronat e tyre pas 30 vitesh kaos, duke siguruar qytetarët, pronarët dhe investitorët.

“Pa pasur mundësinë për të mbajtur titullin e qartë të pronës, nuk do të ketë investime në rajon… Pa investime dhe hapje vendesh të reja pune, rajoni do të thahet dhe do të vdesë. Ligji i ri është shpresa jonë më e mirë për të ardhmen e Himarës dhe të gjitha bashkësive të tjera greke në zonë“, deklaron ai.

Ndërsa eksperti Kreutz thotë se ky legjislacion u ofron të gjithëve që kane pretendime pronësie, një proces të drejtë për të siguruar titullin.

Share: