Në një forum të mbajtur në Këshillin e Atlantikut në SHBA kryeministri Rama ka folur për atë që po ndodh në Shqipëri. Pikante ishte pyetja e gazetares së Zërit të Amerikës, Keida Kostreci e cila i përmendi nismën anti-KÇK. Sipas gazetares pse kjo nismë tashmë kur ka 6 vite në pushtet dhe për më tepër kur qeveria e tij është akuzuar për lidhje me krimin e organizuar. Rama tha se fajin e kanë pasur gjykatat.
“Pse jo më parë? Është një pyetje e mirë. Si mund ta bënim me gjykatat që kishim. Ne nuk kishim gjykatës dhe prokurorë që kishin lidhje me krimin e organizuar, por që ishin pjesë e krimit të organizuar.
Tani kemi një prokurori speciale, kemi edhe një gjykatë të posaçme për krimet, por kemi edhe gjykatës që kanë kaluar vetingun. E dyta, ne bëmë me ndihmën dhe shtysën e amerikanëve një pjesë të atij që është ligji i dekriminalizmit.
Ata që kanë qenë të dënuar nuk mund të zgjidhen. Të gjjthë ata që kanë qenë të dënuar për krime, drogë, mafia, lidhje me terrorizmin duhet të provojnë se shtëpia, biznesi, makinat, tokat vijnë nga puna dhe jo nga aktivitete të paligjshme.
Policia ka bërë vetëm një listë të caktuar të mbyllur. Aty janë në një liste të gjithë ata që janë dënuar, ose që janë akuzuar, por që kanë shpëtuar për shkak të atyre gjykatave që kishim. Në 48 orë ata duhet të plotësojnë formularin dhe është prokurori ai që vendos brenda 15 ditësh. Ky nuk është një gjyq, por një verifikim administrativ.
Pse jo me këta dhe jo me politikanët? Nuk është qeveria dhe nuk jam unë apo policia që duhet të merret me politikanët, por gjykatat dhe sistemi i drejtësisë” – tha Rama.
Sa u takon akuzave për lidhje të qeverisë së tij me krimin, Rama dha këtë përgjigje: “Partia nuk është një vend ku ka gjykata dhe aty nuk zgjedh ti se kush duhet të marrë pjesë. Një parti nuk duhet gjykuar nga ajo që bëjnë disa persona, por nga mënyra si vepron partia.
Më thoni një rast kur ne nuk jemi distancuar kur një nga anëtarët tanë ka shkelur ligjin. Ne jemi të vetmit që e kemi bërë” – u justifikua Rama që ndoshta harroi se ministrat, deputetët, kryqtarët e bashkive janë zgjedhur të gjithë me dorën e tij. ©LAPSI.al