Koreja e Jugut i rriti masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, pasi numri i rasteve të prekura u rrit ndjeshëm për të dytën ditë radhazi.
Kryeministri Chung Sye-kyun e cilësoi situatën si “emergjente”.
Dy qytetet jugore Daegu dhe Ceongdo u shpallën “zona të kujdesit special”. Ushtria po ashtu u izolua, pasi disa pjesëtarë të saj dolën pozitivë në testimet për koronavirus.
Të premten, Koreja e Jugut raportoi për 52 raste të reja, ndërsa të enjten për 53. Ky vend, në total, ka 156 raste me koronavirus, që e bën atë zonën më të prekur jashtë Kinës.
Koronavirusi, që është një familje e gjerë virusesh, mendohet se e ka origjinën në provincën Hubei të Kinës. Rastet e para atje janë shfaqur në muajin dhjetor. Koronavirusi shkakton simptome të ngjashme me pneumoninë.
Shifrat e fundit nga Kina tregojnë për 2,236 njerëz të vdekur dhe mbi 75,000 të infektuar. Koronavirusi është përhapur edhe në pjesën tjetër të Azisë, Evropë, SHBA dhe Afrikë. /Opinion.al