Home KRYESORE Serbia në dioptrinë asimetrike të Perëndimit

Serbia në dioptrinë asimetrike të Perëndimit

Është koha që Serbia të privohet nga luksi i të qenit e përkëdhelura e Perëndimit dhe aleatja besnike e Rusisë. Nëse asaj i lejohet ky status i dyfishtë, atëherë gjeopolitika rajonale shumë shpejt mund të shndërrohet në arenë të komplikuar ndikimesh politike, ekonomike e ushtarake

Nga Emin AZEMI

Presioni diplomatik mbi Kosovën nuk është në përputhje me parimet e të drejtës ndërkombëtare, e cila detyrimisht merr në konsideratë sovranitetin dhe legjitimitetin e një shteti për të marrë vendime autonome.

Ky presion aspak parimor diplomatik ka lënë nën hije armatosjen e Serbisë me arsenalin më të sofistikuar rus dhe Beogradi e ka zgjedhur pikërisht këtë tajming, sepse sa më të hutuar të jenë Brukseli e Uashingtoni, aq më të esulluar po tregohen strategët ushtarakë e politikë të Beogradit.

Në Serbi dje ka zbarkuar dërgesa e dytë e sistemit rus artilerik-raketor PVO 96K6 Pancir.
Kjo po ndodhë në kohën kur një ambasador amerikan po i kërkon Prishtinës zyrtare të plotësojë të gjitha kushtet e Serbisë për të arritur te marrëveshja finale…

Serbia po armatoset papengueshëm nga Brukseli dhe Uashingtoni, kurse Kosova duhet të ndjek rrugën e hardhucës për të shpëtuar nga efekti që prodhon fodullëku diplomatik i ambasadorëve që vinë e shkojnë pa marrë vesh se çka po ndodhë në rajon…

Rusia po forcohet në Ballkan përmes Rusisë, kurse diplomatët Perendimorë vazhdojnë të tregojnë muskuj në Prishtinë. Kjo muskulaturë perëndimore mund të ketë efekt afatshkurtër në karrierën ndonjë ambasadori, por pasojat mund të jenë më të dhimbshme nëse krejt puna në terren iu lihet në duar ambasadorëve.

Kjo armatosje e frikshme e Serbisë ka dy synime: të përsosë aftësinë e saj ushtarake kundrejt sistemit kolektiv të mbrojtjes të NATO-s dhe të demonstrojë atmosferë luftarake në kufijtë e Kosovës, si presion ushtarak për qëllime politike.

Tolerimi kaq i hapur që i bëhet Serbisë nga ana e Brukselit dhe Uashingtonit, me pretekstin se në këtë mënyrë atë po e largojnë më tepër nga Rusia, në shikim të parë duket të jetë një qëndrim i menduar mirë, por në plan afatgjatë mund të shkaktojë probleme në terren për arsye se prishen balancat ushtarake në rajon.

Prandaj është koha që Serbia të privohet nga luksi i të qenit e përkëdhelura e Perëndimit dhe aleatja besnike e Rusisë. Nëse asaj i lejohet ky status i dyfishtë, atëherë gjeopolitika rajonale shumë shpejt mund të shndërrohet në arenë të komplikuar ndikimesh politike, ekonomike e ushtarake. Të shohim dhe të presim deri kur do të zgjasë kjo qasje asimetrike ndaj Ballkanit Perëndimor?! (koha.mk)

Share: