Shkrim i botuar sot ne gazeten Panorama. Do te jete vleresim per mua, nese i hidhni nje sy!
Nga Nikollaq Neranxi
Nuk ka kushte më optimale për të lulëzuar një qeveri autokratike, sesa kur populli që ajo qeveris nuk reagon dhe nuk e kundërshton. Por ka edhe më keq! Kur ky popull kthehet në një spektator par excellence të propagandës së rrezikshme të pushtetit. Pikërisht kështu po reagon shoqëria jonë, ajo po bëhet pjesëmarrëse aktive, madje dhe bashkëfajtore e kësaj gjendjeje, sepse siç thotë një shprehje: “Nëse nuk reagon ndaj së keqes, je bërë pjesëtar në faj”. Por edhe reagimi kërkon organizim, prandaj është opozita, që të organizojë dhe të drejtojë njerëzit e pakënaqur, në mënyrë që të detyrojë pushtetin ta bëjë si duhet punën e tij.
Teksa shoh këto ditë OFL-në në terren duke konfiskuar pasuritë e të fortëve, aksion i drejtuar nga pushteti, mendoj që këta individë u pasuruan kaq shumë, sepse ky pushtet i lejoi. Prandaj nuk bindem në qëllimin e mirë të këtij aksioni, paçka se e kam thënë me kohë se lufta ndaj krimit dhe korrupsionit fillon me sekuestrimin e pasurive të paligjshme. Në këtë aksion më mungon roli i opozitës. Përveç ndonjë ironie në “Facebook” apo ndonjë deklarate për shtyp, nuk po e shoh atë të impenjuar seriozisht për ta bërë aksionin efikas dhe joselektiv. Kjo nuk është lufta ekskluzive e qeverisë. Kjo është lufta e së mirës ndaj së keqes e një shoqërie të tërë.
Nuk do të doja këto ditë të shikoja kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me një qese domate në dorë apo duke inspektuar në frigoriferët bosh, për të na treguar se sa të varfër janë njerëzit. Kjo nuk ka asnjë vlerë tashmë. Është njësoj sikur të dalësh dhe të japësh lajmet e vitit 2014. Varfëria është lajm i vjetër. Sot, Lulzim Basha me përkrahësit e tij duhet të shkojnë para tokave në bregdet të grabitura nga oligarkët, kriminelët dhe politikanët, para resorteve të tyre, para vilave dhe bizneseve të tyre. Dhe t’i drejtohen Ramës me pyetjen: “Po këtu, kur do vijë OFL-ja?” Partia Demokratike duhet të kërkojë ndihmën e qytetarëve për të denoncuar këto pasuri, në çdo cep të Shqipërisë dhe më pas të investigojë me strukturat e saj. Vetëm kështu ne do ta kuptonim më mirë nëse kjo punë po bëhet ashtu si duhet.
Në hapin tjetër, Partia Demokratike me Bashën në krye duhet t’i kërkojë llogari qeverisë, se çfarë efekti do të ketë ky aksion në përmirësimin e jetës së qytetarëve: “Të ardhurat nga këto pasuri të sekuestruara që i kthehen popullit, a do ta ulin çmimin e lartë të energjisë, të ujit, të karburantit, a do ta lehtësojnë barrën fiskale të biznesit, e cila po falimenton përditë, për faj të krimit, korrupsionit dhe varfërisë? Kur do bëhen këto dhe si?”
Është shumë e rëndësishme që të mos e lëmë këtë mision kaq të madh të degradojë në një propagandë bajate, të cilën për fat të keq, shpesh e besojnë edhe të huajt. Njerëzit nuk kanë nevojë për show me policë e të fortë, për atë show kemi Netflix, ku gjen filma aksion aq të bukur, me producentë dhe regjisorë shumë më të aftë se Edi Rama.
Prandaj, mendoj se sot opozita duhet të jetë pjesë aktive e këtij aksioni, duke mos lejuar që Operacioni Forca e Ligjit (OFL) të kthehet në Operacionin Vari L….t (OVL)!
Vendi i marrë peng nga krimi duhet t’u rikthehet qytetarëve të tij dhe opozita ka shumë në dorë për ta bërë këtë.