Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera UKT e pa licencuar, problemet e tjera që nga militantë partiakë tek…

UKT e pa licencuar, problemet e tjera që nga militantë partiakë tek…

Një raport i Entit Rregullator të Ujit dëshmon se mosrespektimi i shtetit ligjor vijon të paraqesë probleme të mëdha në menaxhimin e sektorit të ujit.

Sipas raportit, disa nga shoqëritë e ujësjellësve veprojnë pa licencë në kundërshtim me ligjin, gjysma e volumit të ujit të prodhuar në Shqipëri nuk matet, ndërsa në shumë qytete rreth 40 për qind e ujit të harxhuar nuk arkëtohet.

Shumë nga Bashkitë vijojnë t’i përdorin shoqëritë e ujësjellësve për të punësuar militantë partiakë duke rritur, sidomos në vitet zgjedhore, numrin e punonjësve. Shoqëritë e ujësjellësve në pjesën dërrmuese nuk arrijnë të mbulojnë kostot financiare te veprimit dhe mirëmbajtjes.

Në nivel kombëtar, furnizimi me ujë është ende i ulët dhe sidomos kriza e ujit ndjehet në qytetet turistike ku mungesa e ujit në pjesën më të madhe të kohës sjell probleme për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Disa nga treguesit sipas Raportit të Entit Kombëtar të ujit për vitin 2019

Raporti i Entit Kombëtar të Ujit vlerëson se 8 shoqëri të Ujësjellësve, përfshirë dhe ato të tre qyteteve të mëdha si Tirana, Fieri dhe Elbasani, veprojnë të pa licencuara nga Enti Rregullator i ujit për shkak të problematikave ligjore dhe të mos marrjes së Akt Miratimit Higjeno Sanitar nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor.

Sipas raportit gati gjysma (48 për qind) e volumit të ujit të prodhuar në Shqipëri raportohet si i vlerësuar jo me matës, ndërsa kohëzgjatja e furnizimit me ujë në shkallë vendi është 13,2 orë në 24 orë. Treguesit për vitin 2019 flasin për përkeqësim të mbulimit të kostove të veprimit dhe mirëmbajtjes krahasuar me vitin 2018, dhe për arkëtim të ultë në mjaft shoqëri të ujësjellësve.

Raporti vlerëson se gjatë vitit 2019 pati rritje të personelit me 254 punonjës dhe “Shoqëritë e Ujësjellësve janë të mbingarkuara me punonjës të pajustifikuar, rritja e të cilëve është e dukshme sidomos në vitet zgjedhore, siç ishte viti 2019”. Sipas Raportit sektori paraqitet me probleme mjaft të mëdha në drejtim të treguesve financiarë ku vetëm 13 shoqëri arrijnë të paraqesin mbi 100 për qind të mbulimit të kostove të veprimit dhe mirëmbajtjes, ndërsa vetëm 4 prej tyre arrijnë të mbulojnë edhe kostot totale.

Sipas Raportit niveli i arkëtimit kundrejt faturimeve gjatë vitit 2019 ishte 79 për qind po aq sa në vitin 2018, ndërkohë që në mjaft zona si, Kukës, Divjakë, Kavajë, Gjirokastër, Fier, Elbasan, Durrës dhe Vorë, ky tregues është nën 60 për qind.

Mbulimi me furnizimin me ujë për vitin 2019, është pothuajse në të njëjtin nivel krahasuar me vitin paraardhës, thuhet në raport, sipas të cilit, disa zona turistike kanë orare të kufizuara të furnizimit me ujë siç janë Saranda me 12 orë, Durrësi me 8,3 orë Vlora me 13 orë, Divjaka me 4 orë dhe kjo paraqet mjaft problem për mbarëvajtjen e sezonit turistik kur qytetet mbingarkohen nga turistët.

Sektori i ujësjellës-kanalizimeve në Shqipëri është në përfundim të riorganizimit sipas Reformës Territoriale të vitit 2015. Nga 57 shoqëritë në gjithë vendin 49 prej tyre raportojnë të dhëna në përputhje me kufijtë administrativë të bashkive. Qeveria shqiptare vlerësohet se ka financuar gjatë viti 2019 rreth 35 milionë euro për sektorin e ujit, ndërsa donatorët e huaj rreth 34 milionë euro dhe financimi në total përfaqëson rreth 35 % të nevojave vjetore të këtij sektori./ Opinion.al

Share: