UNË E DUA PERËNDIMIN SE…
Nga Ledi Shamku
- Im bir është gjimnazist në Bologna, qytet ende i paprekur nga Corona Virus, por me rrethina të infektuara. Shkollat atje u mbyllën deri me dt 1 Mars. Më pas e panë se epidemia vijon dhe vendosën mbylljen fizike por jo atë virtuale. Sot im bir ka nisur “klasën virtuale”, leksionet dhe pyetjet online. Tani që unë shkruaj ai po ndjek orën e zakonshme që do ndiqte mbi Manzonin. E më pas ka fizikë.
- Unë jam pedagoge në Bologna. Universiteti është i mbyllur por vetëm fizikisht. Kemi leksionet dhe konsultimet online. Çdo student Alma Mater është i lajmëruar dhe i udhëzuar se si të veprojë. Çdo pedagog i ka të qarta detyrat dhe procedurat
- E kuptoni besoj se kjo situatë është krejt e re, por po përballohet, sa i takon shkollës, sikur për të të ishim stërvitur prej kohësh, dhe po përballohet me qetësinë e një civilizimi të mahnitshëm. Fryma shkon me çka thotë Piaget, sociologu i ligjërimit, i cili pohon se objektivi kryesor i shkollës është të formojë njerëz të aftë për të bërë gjëra të reja, e jo thjesht për të përsëritur punën e breznive pararendëse. E gjitha kjo pra po kryhet me shpirtin e një sfide të re, siç Perëndimi i përballon të papriturat.
- Ky mekanizëm i cili është befasues e mbresëlënës, u vu në punë natyrshëm dhe menjëherë. Perëndimin zor ta kapësh gafil se ka punë e jo lloqe pazari.
- Për gjithë sa thashë nuk ka asnjë gafurje televizive, asnjë rrahje gjoksi politike, asnjë koreografi mediatike sazesh nga pushtetet qendrore a lokale. Ka punë dhe frymë. Por sidomos ka transparencë, shumë transparencë.
Dita e mbarë!