Ekonomia shqiptare në karantinë, humbjet mund t’i kalojnë 25 milionë euro në ditë
Vetëkarantinimi pa afat i shoqërisë shqiptare, mbyllja e bareve, restoranteve, fabrikave dhe bizneseve të tjera, si masë drastike për parandalimin e përhapjes të koronavirusit, po jep efekte edhe në ekonomi. Sektorët më të prekur janë transporti, nëndegët e sektorit të akomodimit, baret e restorantet, prodhimit të këpucëve, call center. Situatë pasigurie është krijuar edhe tek industria e fasonëve, tregtia me shumicë dhe pakicë, duke përjashtuar tregtimin e artikujve ushqimorë, si dhe agjencitë e udhëtimeve. Të gjithë bizneset qarkullojnë mesatarisht 50 milionë euro në ditë. Një rënie me 50% e shitjeve të tyre (në ditët e pezullimit ka qenë dhe më e lartë) do të shkaktonte të ardhura të munguara ditore prej të paktën 25 milionë eurosh.
Nga Dorina Azo
Bizneset shqiptare kishin të ardhura rreth 22 trilionë lekë (rreth 18 miliardë euro) për vitin 2018, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Mesatarisht qarkullimi ditor i 107 mijë subjekteve, që veprojnë në vend, në fushën e tregtisë, të shërbimeve, transportit, industrisë, ndërtimit, energjisë, telekomunikacioneve e të tjerave është rreth 50 milionë euro. (44% e këtyre të ardhurave sigurohen nga aktivitetet e tregtisë me shumicë e pakicë, 12% nga ndërtimi, 8.5% nga shërbimet, rreth 3% nga akomodimi e shërbimet ushqimore etj).
Por, ekonomia ka hyrë në një territor të paeksploruar për shkak të paralizimit të pothuajse të gjitha aktiviteteve në vend, me synim frenimin e përhapjes së koronavirusit, që nuk dihet sa do të zgjasë. Shumë biznese janë mbyllur (sidomos bare e restorante), të tjerat po punojnë me kapacitete minimale, konsumatorët kanë frenuar konsumin, përveç blerjeve të domosdoshme. Ndërmarrjet eksportuese, pasi u goditën nga Italia (partneri ynë tregtar) tashmë kanë probleme me vazhdimin e prodhimit për shkak të mosardhjes në punë të punonjësve.
Pjesa më e madhe e bizneseve raportojnë rënie të aktivitetit me 70%, ose dhe mbyllje të përkohshme. Ndonëse është shumë shpejt të bëhet një bilanc, nëse marrim në konsideratë një reduktim prej 50% të aktivitetit ekonomik në vend, kjo do të sillte të ardhura të munguara prej të paktën 25 milionë eurosh në ditë .
Sektorët më të prekur
Degët që vuajnë dhe humbjen më të madhe janë Transporti, sektori i Akomodimit që përfshin baret, restorantet, lokalet; Tekstilet, lëkurët e këpucët, agjencitë e udhëtimeve, tregtia me shumicë dhe pakicë. Kompanitë ajrore, të cilat realizojnë fluturime direkte me Italinë, do të preken në të ardhura të munguara në pasqyrat e tyre financiare mujore, me rreth 18 milionë deri në 20 milionë euro. “Shifra është e konsiderueshme dhe më shumë mundësi që efekti do të mbartet për një periudhë më shumë se 1 -vjeçare”, u shpreh Etleva Hoxha, administratorja e kompanisë Albawings për “Monitor”.
Në total të ardhurat mujore të sektorit të transportit, sipas shifrave të INSTAT, janë 28 milionë euro. Duke përfshirë këtu mbylljen e sektorit të transportit të brendshëm dhe ndërurban, lëvizjen e trageteve dhe 20 milionë euro në transportin ajror, humbjet për sektorin e transportit llogariten rreth 25 milionë euro. Duhet përmendur se sipas Shoqatës së Transportit vetëm nga mosrimbursimi i biletave për shtresat e margjinalizuara humbjet janë 3 milionë dollarë në muaj.
Në situatë amullie dhe pasigurie janë përfshirë edhe agjencitë e udhëtimeve. Në total, në vend operojnë 950 agjenci udhëtimi, ku 350 prej tyre janë në Tiranë. Agjencitë janë futur në “luftë” me kompanitë ajrore, pasi të gjithë qytetarët kërkojnë anulime biletash, spostime datash ose rimbursime. “Ne aktualisht nuk po punojmë, jemi kthyer në qendër thirrjesh për anulime apo spostime të udhëtimeve.
Qytetarët nga frika kanë reduktuar 80% lëvizjet dhe nuk po priten më bileta. Asnjë nuk merr iniciativën për të ikur, përjashto rastet ekstreme, kur dikush kërkon të udhëtojë në ndonjë destinacion që i nevojitet për punë. Prenotimet dhe udhëtimet për bileta pothuajse janë pezulluar. Kjo është tendenca, për shkak të situatës të krijuar nga koronavirusi. Aktiviteti ekonomik në agjencitë e udhëtimeve pothuajse është i paralizuar, dhe që me shpalljen e rasteve të para me koronavirus në vend prerja e biletave ka arritur në minimum”, shprehet një nga përfaqësueset e agjencive të udhëtimeve në vend për “Monitor”.
Agjencitë e udhëtimit qarkullojnë rreth 21 milionë euro në muaj, sipas INSTAT, por xhiro e tyre është e dubluar, pasi prej më se tre vitesh pas kërkesave të reja të standardeve të kontabilitetit, ato raportojnë edhe vlerën e biletës, ndërsa më parë deklaronin vetëm marzhin që ato arkëtonin.
Efekti te baret dhe restorantet
Baret dhe restorantet janë aktiviteti më i preferuar i shqiptarëve, krahas tregtisë. Në vend, sipas INSTAT, ka gjithsej 18 mijë bare dhe restorante, duke qenë ndër të parët në botë për numrin e lartë të bar-kafeve për banorë. Prej disa ditësh, të gjitha baret e restorantet në qytetet kryesore janë të mbyllura. Humbjet konsiderohen të jenë rreth 70% për këtë sektor sipas kontabilistit Armand Mala. Ai shpjegon për “Monitor” se pasojat nga mbyllja e bareve, restoranteve, pub-eve do të jenë si në nivelin makro, ashtu edhe mikro.
“Për fat të keq, në rastin e koronavirusit, dëmi shëndetësor shkon përkrah me dëmin ekonomik, që po shkaktohet në përgjithësi. Kokat e para të turkut ishin diskoketat, pub-et e klubet e natës, që me të drejtë u dha një urdhër për bllokimin e tyre menjëherë sapo u shfaqën rastet e para. Më tej urdhri u ashpërsua, duke mbyllur edhe baret e restorantet. Pasojat janë, si në nivel mikro dhe në atë makro. Në nivel mikro, gjithë këto biznese do të kenë humbje, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për shpenzimet e larta fikse që këto biznese kanë. Qiratë e larta, amortizimi shumë i shpejt i investimit (kujtojmë që Lounget kryesore në kryeqytet ndryshojnë totalisht interiorin mesatarisht çdo 3-4 vjet), shpenzimet e tjera kontraktuale janë vetëm disa nga zërat e përmuajshëm”, shprehet Mala.
Zoti Mala rekomandon se për të përballuar këtë situatë, humbja duhet të shpërndahet. Përfaqësuesi i zyrave të kontabilistëve thotë se kjo situatë do të ndikojë edhe te Prodhimi i Brendshëm Bruto. “Punonjësit duhet të sakrifikojnë diçka, të mos të presin të paguhen, meqë janë në një kontratë pune. Qiradhënësit duhet të mos ushtrojnë presion këtë periudhë, duke kërkuar respektimin e afateve të pagesave.
OSHEE gjithashtu të mos ushtrojë presion për kryerjen e pagesave në kohë, zyrat e tatim-taksave duhet urgjentisht të nxjerrin urdhëresa, duke shtyrë afatet e deklarimeve dhe pagesave, vetëm në këtë formë bizneset nuk do ta mbajnë të vetëm këtë barrë të rëndë. Në nivel makro, panorama është më e qartë, me ndaljen e kësaj ‘rrote’ mënjëherë krijohet një ‘gropë’ në PBB-në e vendit tonë”, thotë Mala.