Ministrat e Financave të G7-ës, premtuan ndërmarrjen e masave për të parandaluar ndikimet në ekonomi, nga përhapja e koronavirusit.
Deri më tani numërohen mbi 90000 të infektuar me koronavirus, 80000 prej tyre në Kinë. Numri më i lartë i vdekjeve është në Kinë, duke arritur në 2943.
“Ne riafirmuam angazhimin tonë për të miratuar të gjitha hapat e duhur për të mbrojtur ekonominë nga rreziqet anësore të paraqitura nga koronavirusi”, tha ministri i Financave i Japonisë, Taro Aso.
Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, tha se kishin rënë dakord të “bënin gjithçka që ishte e mundur” për të kufizuar dëmin ekonomik.
Grupin e vendeve më të industrializuara në botë – të njohur si G7 – e përbëjnë: Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara. Koronavirusi, i identifikuar si COVID-19, e ka origjinën në qytetin Vuhan të Kinës.
Rastet e para atje janë shfaqur në dhjetor të vitit të kaluar, por që atëherë dhjetëra shtete kanë konfirmuar se kanë njerëz të infektuar. Shenjat kryesore të infektimit janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.