Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë edhe sot se reciprociteti me Serbinë do të ndodhë. Me këtë veprim, sipas tij Kosova do të sillet si shtet i pavarur, ashtu siç e ka shpallur pavarësinë.
“Reciprociteti do të ndodhë, sepse ne kemi vendosur të sillemi si shtet i pavarur. ashtu siç jemi dhe jemi shpallur. Reciprociteti është vlerë barazie, pasi të jetë masë kundërvënie. Ne duhet të ndihmojmë biznesin vendës në mënyrë që të rritët punësimi dhe zhvillimi”, tha ai.
Shefi i ekzekutivit në takimin të cilën e ka organizuar Oda e Afarizmit të Kosovës tha se duhet të largohen të gjitha barrierat tregtare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Ekonomia dhe drejtësia, puna dhe mirëqenia do të jenë temat tona. Edhe temat e tjera do të marrin vëmendjen, por jo plotësisht. Sovraniteti dhe pavarësia kanë kuptim vetëm kur i ushtrojmë ato. Me Shqipërinë do të donim të kishim më shumë bashkëveprim. Barrierat me Shqipërinë tejkalojnë dallimet tona në dialekt. Ka anomali të shumta në marrëdhëniet tona. Me Maqedoninë e Veriut, po ashtu kemi pengesa. Kosova ka bilanc negativ tregtar me të gjitha vendet e CEFT-as”, tha ai.
Top Channel