Përhapja e koronavirusit është rreziku më i madh që po përballet në këto momente jo vetëm Shqipëria por e gjithë bota. Për këtë arsye, apeli kryesor i autoriteteve për njerëzit është që të deklarojnë nëse kanë patur kontakte me persona potencialisht të prekur dhe të kufizojnë sa më shumë lëvizjet jashtë shtëpisë.
Ditën e djeshme policia dhe ushtria zbritën në rrugë dhe ushtruan kontrolle rigoroze.
“Që prej orëve të pasdites, forca policore speciale të FNSH-së, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me patrulla ushtarake, kanë ngritur rreth 70 pika kontrolli në 8 qytetet kryesore dhe ato me risk të shtuar, për parandalimin e përhapjes së COVID-19″- njofton policia.
Patrullat, të stacionuara apo të lëvizshme po vijojnë të kontrollojnë drejtuesit e mjeteve apo pasagjerët që ditët e fundit kanë udhëtuar në vendet e prekura gjerësisht nga Coronavirus.
Për këta qytetarë parashikohet të vetëkarantinohen deri në 14 ditë, në të kundërt Policia do t’i gjobisë./Opinion.al