Home KRYESORE ”Parlament me dy dhoma dhe qeveri kujdestare”, Gjiknuri: Basha ka vendosur mos...

”Parlament me dy dhoma dhe qeveri kujdestare”, Gjiknuri: Basha ka vendosur mos njohë propozimet zyrtare, deklarimet e tij bien ndesh me tryezën e marrëveshjes

Anëtari i tryezës për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri ka komentua programin që prezantoi sot Basha ku foli për sistemin zgjedhor.

Gjiknuri shprehet se PD me këtë veprim nuk njeh propozimet e veta kurse vetë lideri i saj do që të sabotojë tryezën e marrëveshjes për Reformën Zgjedhore.

Basha propozoi sot ngritjen e një Senati për llogaridhënien e qeverisë duke kërkuar që 40 anëtarët e Senatit të zgjidhen bashkë më 100 anëtarët e Parlamentit.

“Parlamenti me dy dhoma nuk rrit koston për qytetarët, por ndryshon mundësinë për t’u shërbyer njerëzve në mënyrë pozitive. Arroganca dhe presioni i qeverisë nuk do të funksionojnë më për një parlament të fuqizuar me dy dhoma. Qeveria duhet të kërkojë konsensus me të dy dhomat”- u shpreh Basha teksa prezantonte programin e PD për Reformën Zgjedhore.

Por Gjiknuri pret PD-në të hënën të dorëzojë prezantimet zyrtare për administratën zgjedhore dhe sistemin zgjedhor por thekson se nuk do të besojë që PD me këtë veprim do të sabotojë apo të bëjë të dështojë tryeza e marrëveshjes e cila si kusht ka miratimin e Reformës Zgjedhore brenda 15 marsit.

STATUSI I GJIKNURIT

Një Bashë në tryezë, një tjetër Bashë në selinë e PD

Në ditën kur të gjithë prisnin që opozita jashtëparlamentare të paraqitej në tryezën e reformës zgjedhore për të dorëzuar propozimet e saja për çështjen e administratës dhe sistemit zgjedhor, Partia Demokratike vendosi ta shtyjë mbledhjen. Deklarimet publike të kryetarit të PD bien në kundërshtim me vet frymën konsensuale me të cilën ka ecur puna e deritanishme e tryezës politike të reformës. Vizionin e tij për shtetin, Lulzim Basha mund ta deklarojë në fushata zgjedhore por kjo nuk ka lidhje me Kodin Zgjedhor. Sa për kujtesë, çështja se sa dhoma duhet të ketë Kuvendi i Shqipërisë është trajtuar gjërësisht në reformën kushtetuese të vitit 1998.

Fatkeqësisht, me deklarimet e sotme, Basha ka vendosur që të mos njohë as propozimet zyrtare të dorëzuara deri më tani nga partia e tij në këtë tryezë dhe as dakordësitë e arritura mes palëve. Rikujtoj se deri më tani, palët kanë arritur konsensus si për rolin e Policisë së Shtetit, Prokurorisë, hetimin nga SPAK të veprave penale të korrupsionit zgjedhor, sanksionimin dhe mbrojtjen e raportuesve të shkeljeve zgjedhore, financimin miks të fushatave zgjedhore, identifikimin elektronik të zgjedhësve në qendra votimi ose fillimin e zbatimit me projekte pilot të votimit elektronik etj.

Duke mos dashur të besoj se meraku i vetëm i Partisë Demokratike është sabotimi dhe dështimi i tryezës së reformës zgjedhore përpara datës 15 Mars, rikujtoj se mbledhja e rradhës së tryezës politike është ditën e Hënë, ora 10:00. Mbetemi në pritje të propozimeve zyrtare të Partisë Demokratike mbi administratën zgjedhore dhe sistemin zgjedhor, për të cilin sikurse është rënë dakord, duke qenë se prek dhe Kushtetutën mund të kërkojë më shumë kohë edhe përtej 15 Marsit. Riktheksoj se mazhoranca ka vullnetin dhe detyrimin për ta përmbyllur sa më parë reformën zgjedhore duke adresuar plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Në tryezën politike të reformës zgjedhore diskutohen VETEM çështje që kanë të bëjnë me Kodin Zgjedhor. ASNJE çështje tjetër që shkon përtej kësaj nuk është objekt diskutimi në këtë tryezë!

(BalkanWeb)

Share: