Home KRYESORE Pas viktimës së parë nga koronavirusi, Basha dhe Meta bëjnë apelin e...

Pas viktimës së parë nga koronavirusi, Basha dhe Meta bëjnë apelin e fortë

Ditën e sotme është regjistruar viktima e parë nga koronavirusi në Shqipëri. Ajo është një grua 73-vjeçare e cila ishte shtruar në infektivin e Durrësit.

Në lidhje me këtë lajm ka reaguar Presidenti Meta i cili ka apeluar me forcë që cdo qytetar të tregojë kujdes maksimal dhe të zbatojë këshillat e autoriteteve.

Meta ka shprehur gjithashtu ngushëllimet për familjarët e viktimës.

“Me hidhërim të thellë mora lajmin e ndarjes nga jeta të qytetares 73-vjeçare nga Durrësi të konfirmuar me COVID-19. Duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe gjithë të afërmve të saj, u shpreh të gjithë solidaritetin tim në këto momente tepër të vështira! Edhe njëherë apeloj me forcë për çdo qytetar të tregojë kujdes maksimal dhe të zbatojë me rigorozitet të gjitha këshillat dhe rekomandimet e autoriteteve!”, shkruan Meta.

Një reagim ka ardhur edhe nga shefi i opozitës, Lulzim Basha i cili ka bërë gjthashtu apel për të gjithë qytetarët që vijnë nga vende të prekura nga koronavirusi të vetëdeklarohen.

“Fatkeqësisht një zonjë humbi sot jetën nga virusi Covid 19. Ngushëllimet e mija për familjarët dhe të afërmit e saj, dhe uroj nga zemra shërim sa më të shpejtë për të prekurit e tjerë. Ky moment duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë. Rastet e qytetarëve të ardhur nga Italia dhe që janë mbartës te koronavirusit po shtohen. Kjo e bën shumë më të rëndësishëm rritjen e kujdesit, e në veçanti bashkëpunimin e gjithsecilit prej nesh me mjekët dhe stafin shëndetësor. Në të kundërt rrezikojmë veten, familjen, të afërmit dhe miqtë. Bashkëpunoni me mjekët dhe jinni transparentë, tregoni menjëhere nëse keni ardhur nga Italia, nese keni patur kontakte me persona në zonat e prekura nga virusi. Nuk është turp të prekesh nga koronavirusi, e rrezikshme për veten dhe të tjerët është ta mbash të fshehtë mundësinë e infektimit. Një pakujdesi e tillë rrezikon edhe infektimin e mjekëve e stafeve mjekësore. E di se shumë prej jush që vini nga zona të prekura, apo që keni qenë në kontakt me persona të prekur, e konsideroni të vështirë vetëizolimin për 14 ditë. Por vetëm kështu ju mund të ndihmoni veten dhe të tjerët. Mjekët dhe stafi shëndetësor janë duke sakrifikuar shumë prandaj duhet ti ndihmojmë me bashkëpunimin tonë. Mos ngurroni të zbatoni këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sa më të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm të jemi, aq me më pak pasoja do ta kalojmë këtë situatë”, shkruan Basha.

Pacientja që ndërroi jetë në Durrës dyshohet se ka infektuar edhe persona të tjerë të stafit mjekësor.

Deri tani Shqipëria ka 11 të prekur nga koronavirusi dhe 1 viktimë. /Opinion.al

Share: