Nga Azem Parllaku
Menjëherë pasi COVID-19 do të kthehet në vaksinë, siç është natyrshme dhe për më tepër për të qartësuar se çfarë do të rezervojë e ardhmja, një doktrinë koherente dhe me rreze të gjerë, do të kërkojë kohë.
Frika që shkaktoi COVID-19 e përhapur në mënyrë masive, do të kërkojë një kulturë të re politike. Me kalimin e kohës, virusi në vetvete mund të imponojë llojin e vet të disiplinës për udhëheqësit e pamatur politikë. Virusi nuk respekton retorikën, mosveprimin dhe mungesën koordinimit, përkundrazi po tregon se mund të sëmuremi të gjithë. Vizioni i ri botëror do të dalë në dritë në mënyrë graduale, i përshtatur me rrethanat e fundit pas betejës së fituar në përballjen me COVID-19, nga anëtarë të rinj “opinion marker” energjikë të lidhur me komunitete të shumta studimesh. Nuk do të flitet më për një epokë revolucionesh. Beteja me COVID-19 do t’i hapë rrugë një paqjeje të pashkatërrueshme, sinjal i parimit universal të vlerave të demokracisë.
Megjithëse pandemia e koronavirusit përfundimisht do të vihet nën kontroll, do të ketë nevojë për një pikëpamje koherente për të zëvendësuar premtimet tashmë të vjetëruara që kanë udhëhequr sjelljen e shteteve dhe udhëheqësve të tyre. Nisur nga kapaciteti i kufizuar i njeriut për të kuptuar natyrën e ndërlikuar të së vërtetës dhe për të përcaktuar një kahje të qartë, do të duhet kohë që kjo pikëpamje të formësohet dhe prespektivat të fitojnë adhurues.
Në një kohë kur nacionalizmi ishte në rritje në shumë prej demokracive të botës, duket se ka mundësi që efektet e koronavirusit të zgjaten në politikën globale. Kërkimi i dashëve të kurbanit, së pari Kina, më pas Evropa, shihet si pjesë e politizimit të pashmangshëm të një krize, që disa po e krahasojnë me kohën e luftës. COVID-19 mund të merret si shkas, për të rishqyrtuar zhvillimet difektoze të globalizimit dhe si pikënisje e të menduarit seriozisht se si duhet të bashkëpunojmë të gjithë, në menaxhimin e shëndetit.
Përhapja e shpejtë e koronavirusit të ri u paraqit si një provë të rëndë për demokracitë, për Bashkimin Evropian si institucion dhe për aleancën trans-Atlantike, pasi deri tani praktikisht qasja ka qenë çdo shtet për vete. Ky menaxhim mund të jetë një ndihmë domethënëse për populistët e ekstremit të djathtë të Evropës, të cilët favorizojnë një shtet-komb të fortë dhe për të cilët vlerat evropiane, solidariteti, reagimi së bashku tingëllojnë si fraza të urryera. Europa është ajo që po paguan çmimin më të shtrenjtë.
Duke humbur njerëz, pësuar dëme ekonomike të pallogaritshme. Sulmi i COVID-19 në Europë për nga efektet dhe masat që po merren kundër tij, është si një goditje ndaj nivelit të hapjes kulturore dhe ekonomike të kontinentit. Ndoshta më shumë sesa për të ruajtur jetë njerëzish, karantina e detyruar e Europës, e konsideruar si i vetmi mjet efikas për të luftuar koronavirusin, bën që populistët të kritikojnë më ashpër qeveritë europiane për të qenë më shumë nacionaliste sesa globaliste.
Qasja çdo shtet për vete në ndërkohë që Bashkimi Europian zgjodhi të presë post-COVID-19 mund të shërbejë si një moment transformues dhe si testi i lartësisë së duhur për vetë Unionin.