Qeveria ka botuar në fletoren zyrtare një akt normativ që kush i dënuar ka më pak se 5 vite burg mund të marrë leje të veçantë për 3 muaj.
Por, ai duhet që të plotësojë disa kritere.
PËR QËNDRIMIN E PËRKOHSHËM NË SHTËPI TË TË DËNUARVE
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Neni 1
Objekti
Ky akt normativ ka për objekt përcaktimin e kushteve dhe të kritereve për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve, si një leje e veçantë, gjatë kohëzgjatjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.
Neni 2
Qëllimi
Ky akt normativ ka për qëllim të marrë masa të përkohshme për të parandaluar përhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale si dhe mbrojtjen e rendit dhe të sigurisë në sistem, nëpërmjet garantimit të kushteve për mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të të dënuarve.
Neni 3
Përkufizime
Në kuptim të këtij akti normativ, me termat e mëposhtëm nënkuptojmë:a) “I dënuar”, çdo person, shtetas shqiptar, i huaj ose pa shtetësi, i dënuar me burgim me vendim gjyqësor penal të formës së prerë të gjykatave shqiptare ose i dënuar me vendim gjyqësor të dhënë nga gjykatat e huaja, të cilit i është njohur dhe konvertuar dënimi me vendim të formës së prerë të gjykatave shqiptare, dhe që vuan dënimin në një nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
- b) “Qëndrimi i përkohshëm në shtëpi”, një leje e veçantë që i jepet të dënuarit për shkak të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, nëpërmjet të cilës i dënuari qëndron përkohësisht në shtëpinë e tij, në një shtëpi tjetër private apo në një qendër të kujdesit dhe të shëndetit publik, për ata të dënuar që përmbushin kriteret e parashikuara në këtë akt normativ.
- c) “Sëmundje kronike e rrezikshme për jetën”, një sëmundje kronike, nga e cila vuan një i dënuar dhe që, e shoqëruar me ndikimin që infeksioni i shkaktuar nga COVID-19 mund të këtë mbi organizmin e të dënuarit, në rast se infektohet, mund të sjellë dëmtimin e rëndë të shëndetit ose humbjen e jetës të të dënuarit.
Neni 4
Kriteret për përfitimin e lejes së veçantë
- I dënuari mund të përfitojë leje të veçantë qëndrimi të përkohshëm në shtëpi për një periudhë 3-mujore, në rast se në datën e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ:
- a) është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe përmbush të dyja kushtet e mëposhtme:i. I ka mbetur pa vuajtur nga dënimi i dhënë deri në tre vjet burgim;ii. Nuk është në kriteret ndaluese të parashikuara në nenin 5, të këtij akti normativ.
- b) është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe përmbush të gjitha kushtet e mëposhtme:i. I ka mbetur pa vuajtur nga dënimi i dhënë deri në pesë vjet burgim; ii. Është baras ose mbi moshën 60 vjeç; iii. Vuan nga një sëmundje kronike e rrezikshme për jetën, e vërtetuar me dokumentet mjekësore përkatëse, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi; iv. Nuk është në kriteret ndaluese të parashikuara në nenin 5, të këtij akti normativ.
- Periudha e qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, sipas përcaktimeve të këtij neni, përfshihet në kohën e vuajtjes së dënimit.
- Nëse gjatë periudhës së zbatimit të lejes së veçantë të qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, gjykata vendos ekzekutimin e vendimit të dënimit me një dënim alternativ, sipas parashikimeve të Kodit Penal, leja e veçantë, sipas këtij akti normativ, shfuqizohet.
Neni 5
Kriteret ndaluese për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi
- Nuk përfitojnë leje të veçantë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi personat e dënuar për:
- a) krime kundër njerëzimit, të parashikuara në nenet 73, 74, 74/a e 75, të Kodit Penal;
- b) krime kundër jetës, të kryera me dashje, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c të Kodit Penal, si dhe në nenin 77, të Kodit Penal Ushtarak;
- c) veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit, të parashikuara nga neni 87, paragrafi dytë, i nenit 88, dhe paragrafi dytë, tretë dhe katërt, i nenit 89/a, të Kodit Penal; ç) krime seksuale, të parashikuara në nenet 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 105, 106, 107/a, 108 dhe 108/a, të Kodit Penal;
- d) vepra penale kundër lirisë së personit, të parashikuara në nenet 109, 109/b dhe 110/a, të Kodit Penal;dh) vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, të parashikuara në nenet 128/b dhe 130/a, të Kodit Penal;e) vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, të parashikuara në nenet 136, 139, 140, 141, 151, 152, në paragrafin e dytë, të nenit 156, dhe në paragrafin e dytë, të nenit 159, të Kodit Penal;
ë) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, të parashikuara në nenet 208, 209, 210, 211, 212, 213, 214, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 223, 224 e 225, të Kodit Penal;
- f) vepra me qëllime terroriste, të parashikuara në nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 231, 232, 233, 234, 234/a dhe 234/b, të Kodit Penal;
- g) krime kundër autoritetit të shtetit, të parashikuara në nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 259, 260, 265/a, 265/b, 265/c, 278/a, 282/a, 283/a, 284/a, 319 dhe 319/ç, të Kodit Penal;
- gj) vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale, të parashikuara në nenet 333, 333/a dhe 334, të Kodit Penal.
- Nuk përfiton leje të veçantë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi, i dënuari, i cili, pavarësisht se nuk është dënuar për një nga veprat penale të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, është në kushtet e mëposhtme:
- a) Është në hetim ose është dënuar për një vepër tjetër penale gjatë qëndrimit në institucion; b) Ka marrë një masë disiplinore gjatë gjashtë muajve të fundit, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për trajtimin e të dënuarve;
- c) Paraqet rrezikshmëri shoqërore ose ka pasoja për rendin dhe sigurinë publike;
ç) Nuk ka një banesë ose familjarët e tij nuk japin pëlqimin për të qëndruar në të njëjtën banesë, gjatë periudhës së qëndrimit të përkohshëm në shtëpi.
Neni 6
Procedura e përfitimit të lejes së veçantë
- Vlerësimi i kushteve dhe i kritereve për përfitimin e lejes së veçantë të qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, në përputhje me parashikimet e neneve 4 dhe 5, të këtij akti normativ, kryhet fillimisht nga komisionet për vlerësimin e kushteve dhe të kritereve në çdo IEVP (Komisioni i IEVP). Komisioni i IEVP-së përbëhet nga drejtori i institucionit përkatës, shefi i policisë së burgut, përgjegjësi i sektorit ligjor, përgjegjësi i sektorit të çështjeve shoqërore dhe përgjegjësi i sektorit të kujdesit shëndetësor. Ngritja si dhe rregullat për organizimin dhe funksionimin e çdo komisioni në IEVP përcaktohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
- I dënuari paraqet kërkesën për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi së bashku me formularin e marrjes së përgjegjësisë si dhe familjarët e tij japin pëlqimin për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarit. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve miraton me urdhër formularët tip për paraqitjen e kërkesës, marrjen e përgjegjësisë dhe dhënien e pëlqimit për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarit.
- Komisioni i IEVP-së vlerëson kërkesën për përfitimin e qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga paraqitja e kërkesës të të dënuarit në institucion. Në rast se komisioni vlerëson që i dënuari i përmbush kushtet për përfitimin e qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, i propozon drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve miratimin e lejes së veçantë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi. Në rast të kundërt, Komisioni i IEVP-së refuzon miratimin e saj.
- Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, kur çmon që propozimi i Komisionit të IEVP-së është në përputhje me këtë akt normativ, brenda 3 (tre) ditëve nga marrja e propozimit të Komisionit të IEPV-së, së bashku me dokumentacionin përkatës, miraton lejen e veçantë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi. Në urdhrin e lejes së veçantë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi përcaktohen data e fillimit dhe data e përfundimit të lejes së veçantë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi. Urdhri i njoftohet menjëherë strukturës vendore të Policisë së Shtetit, në bashkinë ku ka vendbanimin i dënuari.
- Në rast se drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve çmon që propozimi i Komisionit të IEVP-së është në kundërshtim me këtë akt normativ, i kërkon Komisionit të Posaçëm të Shqyrtimit të Ankimeve rivlerësimin e kërkesës për përfitimin e lejes së veçantë. Vendimi i Komisionit të posaçëm për miratimin e lejes së veçantë merret brenda 3 (tre) ditëve dhe është i detyrueshëm për drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve. Në këtë rast, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve miraton menjëherë me urdhër lejen e veçantë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi.
- Në rast se, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ, nuk është deklaruar përfundimi i gjendjes së epidemisë nga autoritet përgjegjëse, sipas parashikimittë legjislacionit në fuqi për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe të sëmundjeve ngjitëse, periudha e qëndrimit të përkohshëm në shtëpi të subjekteve përfituese të lejes së veçantë zgjatet me 3 (tre) muaj të tjerë.
Neni 7
Komisioni i Posaçëm i Shqyrtimit të Ankimeve
- Në rast se një të dënuari, i cili plotëson kriteret për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi, i është refuzuar miratimi i kësaj lejeje të veçantë nga Komisioni i IEVP-së, i dënuari ose përfaqësuesi ligjor i tij mund të paraqesë ankim pranë Komisionit të Posaçëm të Shqyrtimit të Ankimeve, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e marrjes së vendimit.
- Komisioni i Posaçëm ka në përbërje, si më poshtë vijon:a) Një përfaqësues të ministrit të Drejtësisë, të caktuar nga ministri, i cili kryeson komisionin;b) Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve;c) Drejtorin e Policisë së Burgjeve;ç) Një përfaqësues të Policisë së Shtetit, të caktuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;d) Përgjegjësin e sektorit të shëndetësisë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve;dh) Përgjegjësin e sektorit ligjor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve;e) Përgjegjësin e sektorit të çështjeve shoqërore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
- Ngritja si dhe rregullat për organizimin e funksionimin e Komisionit të Posaçëm të Shqyrtimit të Ankimeve përcaktohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.
- Komisioni i Posaçëm i Shqyrtimit të Ankimeve e shqyrton ankimin e paraqitur nga i dënuari ose kërkesën për rivlerësimin e propozimit për miratimin elejes së veçantë, sipas parashikimit të pikës 5, të nenit 6, të këtij akti normativ, jo më vonë se 3 (tre) ditë nga data e marrjes së kërkesës
- Vendimi i Komisionit të Posaçëm për Shqyrtimin e Ankimeve për refuzimin e ankimit të të dënuarit mund ankimohet në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Neni 8
Detyrimet gjatë qëndrimit të përkohshëm në shtëpi
- I dënuari, gjatë kohës së qëndrimit të përkohshëm në shtëpi me leje të veçantë, është i detyruar që:a) të mos largohet nga shtëpia, pa miratimin paraprak të strukturës vendore të Policisë së Shtetit;b) të mbajë kontakte të rregullta me strukturën vendore të Policisë së Shtetit, në bashkinë ku ka vendbanimin;c) të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë;ç) të zbatojë masat e veçanta për parandalimin e sëmundjeve infektive të miratuara nga autoritetet përgjegjëse shtetërore;d) të paraqitet, në datën e përfundimit të periudhës qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale, ku po vuante dënimin.
- Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, me propozimin e Policisë së Shtetit, të prokurorit përkatës, të strukturave përgjegjëse për parandalimin e sëmundjeve infektive ose çdo organi tjetër publik, mund të shfuqizojë lejen e veçantë me qëndrimin të përkohshëm në shtëpi, në rast se i dënuari nuk zbaton detyrimet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, ose kur i dënuari kryen një vepër tjetër penale. Me marrjen e njoftimit të shfuqizimit të lejes së veçantë me qëndrim të përkohshëm në shtëpi, i dënuari kthehet në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale, ku po vuante dënimin.
- Pavarësisht parashikimit të pikës 2, të nenit 4, të këtij akti normativ, koha e qëndrimit në shtëpi e të dënuarit, të cilit i është shfuqizuar leja e veçantë, sipas përcaktimit të pikës 2, të këtij neni, nuk njihet si periudhë e vuajtjes së dënimit.
Neni 9
Detyrimi për t’u kthyer në përfundim të periudhës së qëndrimit të përkohshëm
- Moskthimi në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale, pas përfundimit të periudhës së qëndrimit të përkohshëm në shtëpi ose pas shfuqizimit të saj, përbën shkak për fillimin e procedimit penal, sipas parashikimeve të nenit 323, të Kodit Penal.
- Pas përfundimit të periudhës së qëndrimit të përkohshëm, përpara pranimit në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale, i dënuari i nënshtrohet analizave të nevojshme mjekësore për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale.
Neni 10
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTËR
Edi Rama
Top Channel