Kryeministri Rama e ka cilësuar si “tinëzar” kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa kur ka folur për projektin e ‘minishengenit’ ballkanik.
Në një intervistë televizive Rama tha se Mustafa ka qenë në dijeni të kësaj ideje kur ka qenë kryeministër dhe madje ka rënë dakord për të por tani nuk e shpreh.
“Isa Mustafa nuk është nga ata që i thotë të gjitha gjërat që i mendojnë…Ai ka qenë në shumë takime me mua dhe Hashim Thaçin. Këto gjëra janë dakordësuar me mua e të e shumë të tjerë. Ai tregohet tinëzar tani. Mustafa është për shengenin rajonal po nuk i thotë të gjitha…Për këtë anën ekonomike jemi dakordësuar moti. Kemi rënë dakord në Procesin e Berlinit për unifikim e dokumenteve, për këto e ato. Jeni të lumtur që jeni të mbyllur atje me atë taksë 100% duke luftuar mullirin e erës?”, u shpreh ai.
Por pas kësaj deklarate ka reaguar edhe partneri i Albin Kurtit në koalicionin qeverisës. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Mustafa shkruan se për sa kohë ai ka qenë kryeministër ata nuk kanë biseduar ndonjëherë për ‘minishengen’.
Madje ai shton se është biseduar për “Unionin Doganor të Vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për Tregun e Përbashkët” por të dyja këto janë refuzuar si ide dhe e vetmja pikë ku është rënë dakord në procesin e Berlinit ka qenë ajo për “Hapësirën e Përbashkët Ekonomike të Vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Megjithëse kryeministri Rama e ka cilësuar ‘tinëzar’ Mustafa është shprehur se për shkak të detyrës që Rama ka ai nuk dëshiron “ta cilësojë atë ashtu siç e meriton”.
“Unë nuk dëshiroj ta cilësoj, ashtu siç e meriton, sepse është Kryeministër i Shqipërisë. Por, në asnjë rast nuk kemi biseduar me të dhe me të tjerët për Minishengenin sa isha Kryeministër. Kemi biseduar për Unionin Doganor të Vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për Tregun e Përbashkët të këtyre vendeve. Në emër të Kosovës i kam kundërshtuar në të gjitha takimet. I ka kundërshtuar edhe Mali i Zi. Jemi pajtuar në Procesin e Berlinit për Hapësirën e Përbashkët Ekonomike të Vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Mustafa. /Opinion.al