Home KRYESORE Rama sqaron: Rashë viktimë e “qytetarit dixhital”, mesazhit i qëndroj 100%

Rama sqaron: Rashë viktimë e “qytetarit dixhital”, mesazhit i qëndroj 100%

Kryeministri Rama ka reaguar duke kërkuar ndjesë për imazhet e publikuara prej tij gjatë ditës së shtunë. Ishte fjala për imazhet e një proteste në Algjeri, për të cilat Rama tha se ishin nga Spanja.

“Të gabosh është njerëzore, po rëndësi ka të mos bësh gabime të qëllimshme dhe të kërkosh ndjesë kur gabon”, thotë Rama duke sqaruar që videon ja kishte dërguar një mik nga Italia.

Reagimi

Videon e postuar diku më parë, ku shkruhet se ka ndodhur në Spanjë, ma dërgoi një mik shqiptar nga Italia, i cili padiskutim ashtu e dinte dhe i dëshpëruar me ca pamje sot paradite në tregjet e Tiranës, më shkruante “Shikoje ç’bën policia në Spanjë”!

E postova jo pa qëllim pas mesazhit tim të sotëm, ku ju thashë hapur se nuk do të ketë më asnjë tolerancë nga forcat e rendit.

Tani marr vesh që qenkan pamje nga Algjeria!

Ndjesë sinqerisht për pasaktësinë e paqëllimshme, që paska frymëzuar edhe një deklaratë gjithë akuza e budallallëqe të Partisë Demokratike! Rashë edhe unë njëherë viktimë e “qytetarit dixhital”.

Të gabosh është njerëzore, po rëndësi ka të mos bësh gabime të qëllimshme dhe të kërkosh ndjesë kur gabon!

Por, duke qenë se as “qytetari” në fjalë, as unë dhe as shumica dërrmuese e juaja që ka komentuar pozitivisht në atë postim, nuk kemi pasur hallin e vendit të ngjarjes, po kemi hallin e madh të nevojës për reagimin e domosdoshëm me zero tolerancë kundër atyre që na rrezikojnë të gjithëve, me sjelljen e tyre të papërgjegjshme, postimi nuk do të lëvizë nga vendi (natyrisht duke hequr fjalën Spanjë) dhe mesazhit të tij i qëndroj 100% pa asnjë diskutim!

Share: