Home KRYESORE Serbia: Sierra Leone tërheq njohjen e Kosovës! Reagon ministria e Jashtme: Nuk...

Serbia: Sierra Leone tërheq njohjen e Kosovës! Reagon ministria e Jashtme: Nuk kemi asnjë shkresë zyrtare

Serbia vijon fushatën e saj kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës si shtet i pavarur. Së fundmi ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se shteti i Sierra Leones ka tërhequr njohjen si shtet i pavarur i Kosovës. 

Në lidhje me këto deklarata ka reaguar edhe Kosova zyrtare. Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës kanë thënë për Telegraf se nuk kanë marrë asnjë shkresë zyrtare lidhur me çnjohjen e shtetit të Kosovës.

Aktiviteti i fundit i ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç kundër shtetit të Kosovës po zhvillohet në Sierra Leone, prej nga tha se ky shtet është vendi i 18-të që tërheq njohjen për Kosovën.

“Mund ta  tregoj notën e Ministrisë së Punëve të Jashtme në të cilën thuhet se Sierra Leone tërheqë njohjen e Kosovës, dhe se zyrtarët e këtij vendi janë zotuar se do të respektojnë rezultatet që vijnë nga dialogu me ndërmjetësimin e BE dhe OKB-së”, ka thënë Daçiç.

Megjithëse po vazhdon fushata e egër e Serbisë kundër shtetit të Kosovës, për tërheqjen e njohjes nga Sierra Leone dhe as për 17 shtetet tjera që Serbia po pretendon se kanë tërhequr njohjet nuk janë dërguar shkresa zyrtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Zyrtarë të kësaj ministrie në kushte anonimiteti i thanë Telegrafit se deri më tani nuk ka asnjë shtet që ka dërguar shkresë për çnjohje.

Sipas këtij zyrtari, në MPJ, deri sot ka arritur vetëm një shkresë nga një shtet, e cila po ashtu nuk është çnjohje, por ka të bëj me ngrirjen e marrëdhënieve, deri në momentin që të përfundoj dialogu me Serbinë.

“Ishujt Solomon, i vetmi shtet, që ka dërguar një letër për ngrirje të raporteve me Kosovën derisa të përfundojë dialogu Kosovë-Serbi. Asnjë shtet tjetër, përkundër propagandës që bën Serbia, nuk ka dërguar ndonjë shkresë për të ashtuquajturën çnjohje të pavarësisë”.

Ndryshe, paralajmërimin se do të ndodhin çnjohje tjera, e kishte bërë dje presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili në Washington tha se “gjatë ditëve të ardhshme presin çnjohje tjera.

Top Channel

Share: