Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar për kufizimet e reja në udhëtim nga Evropa drejt Shteteve të Bashkuara, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri.
Në një adresim televiziv, ai ka thënë se të gjitha udhëtimet nga Evropa do të pezullohen për 30 ditët e ardhshme.
Mirëpo ai ka thënë se kufizimet “e fuqishme por të domosdoshme”, nuk do të zbatohen për Mbretërinë e Bashkuar, ku janë infektuar 460 persona me këtë virus.
Aktualisht në Shtetet e Bashkuara është raportuar për 1,135 persona të infektuar, ndërkohë që 38 kanë vdekur nga kjo sëmundje.
“Për të parandaluar ardhjen e rasteve të reja në tokën tonë, ne do të pezullojmë gjithë udhëtimin nga Evropa”, ka thënë Trump.
“Rregullat e reja do të nisin së zbatuari nga mesnata e së premtes”, ka shtuar ai.
Trump ka thënë se Bashkimi Evropian “ka dështuar të marrë masa parandaluese” sikurse SHBA-ja.
Ai ka folur disa orë pasi Italia – vendi i prekur më së keqi jashtë Kinës nga virusi- ka prezantuar kufizime shtesë.
Ky shtet do të mbyllë të gjitha dyqanet, përveç atyre ushqimore dhe barnatoreve, në kuadër të masave të izolimit kombëtar.
Trump ka thënë se pezullimi i udhëtimit do të “zbatohet edhe për shkallën e jashtëzakonshme të tregtisë” që zhvillohet nga Evropa drejt tokës amerikane.
Ai po ashtu ka prezantuar planet për të ofruar miliarda dollarë kredi për bizneset e vogla, dhe i ka bërë thirrje Kongresit që të miratojë masat për lirim nga taksat, teksa synon të parandalojë dëmet e mëdha ekonomike që mund të shkaktojë situata e krijuar me këtë koronavirus.
“Ne jemi duke shfytëzuar fuqitë e plota të qeverisë federale dhe sektorit privat për të mbrojtur popullin amerikan”, ka thënë ai. /Opinion.al