Vetëm një çizme e kuqe ka mbetur në kanalin e vdekjes ku humbi jetën vogëlushi 5-vjecar. Klodian Hashimi u gjet i mbytur më 29 shkurt. Dyshohet se prej dy javësh, trupi i pajetë i vogëlushit ka qëndruar në kanalin e ujërave të zeza me thellësi mbi 2 metër shumë pranë banesës së tij në Shkozë, ku edhe u zhduk papritur më 17 shkurt. Të gjithë kërkonin Klodin, por për ironi te fatit trupi i pajetë ndodhej pak metra larg shtëpisë ku drekën e së dielës u pa nga shokët e tij, të cilët në fillim menduan se ishte një kukull.
Shoku që e gjeti: “E kuptova nga veshja. Isha me tre shokët e mi. Shokun tim e çova sipër të fliste me familjen e vet dhe unë ngela vetëm. Njoftova policinë, erdhën të gjithë policia. E nxorën, e morën dhe ikën. Në fillim unë e kam parë. Shiu e ka nxjerrë. Ka rënë shi dhe uji e ka ngritur sipër. Se lluca e kishte zhytur”.
5-vjeçari ishte duke luajtur pasditen e 17 shkurtit në parkun e lojërave na zonën e Shkozës, por më pas i mbetur i vetëm në park është larguar drejt kanalit të ngushtë, pranë të cilit ka vazhduar lojën edhe për disa orë të tjera me të tjerë fëmijë.
Fëmijët: Ne lozëm bashkë. Ne luajtën aty tek oborri me litar. I dha vëllai im makinën dhe lozi me të voglin.
Nga këta fëmijë mësuam, se Klodiani kishte luajtur dhe ishte larguar sërish për t’u zhdukur papritur, për orë të tëra kur familja ngriti alarmin për humbjen e tij.
Dyshimet se si i mituri ra në kanal
Një makinë lodër e kuqe e hedhur mes mbeturinave në kanal e ka tërhequr Klodianin të kalojë rrjetën. Dyshohet se djali është penguar dhe është përplasur fillimisht me murin e betonit, që ndan ujërat e zeza me lumin Lanë dhe më pas ka përfunduar në 2 metra thellësi, ku për shkak të mbeturinave trupi nuk ka dalë në sipërfaqe për shumë ditë me radhë.
Gjyshi, Hajdar Hashimi: Fëmijët e gjetën, ata që kanë qenë duke luajtur. Kur shkova unë më thanë, është kukull. Këtu policia i kishte bërë punët e veta, kur shkova unë…nuk e di s’mbaj mend çfarë u bë. Nuk ndodhi ajo që deshëm ne, ta gjenim të gjallë. Sado që u munduam për ta gjetur, por ishte shpresë e humbur. Për ne ishte i humbur durimi. Ç’të bëjmë…do shkoj ta marr atë çizme të kuqe. Nuk di ç’të flas më. Atje luajnë fëmijët. Vendi është shumë i rrezikshëm. Kanë vënë një rrjetë formale ata. Ata duhet të përgjigjen. Do t’i hedh në gjyq edhe bashkinë edhe policinë. Se ata i kanë rrahur, edhe djalin edhe nusen, atë ditë që shkuam ne më datë 18 shkurt, i kanë thënë që ti e ke shit fëmijën, në polici tek 1-shi, i kanë rrahur me shpullë. Edhe djalin e kanë rrahur, fut e bjer. I kanë thënë e keni shitur. Shitet fëmija? Jeta shitet?
Një shpresë po humbiste pak nga pak, pasi vogëlushin nuk e gjetën të gjallë, ashtu siç u pretendua fillimisht në emisionin “Pa Gjurmë”. Shumë telefonata që mbërritën, treguan vendndodhje të ndryshme në Tiranë, por nuk ishte Klodi që ne kërkonim.
Familja Hashimi këtë të hënë përcolli drejt banesës së fundit engjëllin e tyre të vogël. Dhe si kujtim ka mbetur vetëm çizmja e tij e kuqe në “kanalin e vdekjes”.
Për herë të parë mësojmë se prindërit e te miturit pretendojnë janë dhunuar nga policia ditën që bënë denoncimin për zhdukjen e tij. Vetëm pak minuta, para se vogëlushi të përcillej drejt banesës së fund, mësuam se ata pretendojnë që policia nuk i ndihmoi për gjetjen e tij dhe se i kishin dhunuar dhe akuzuar familjen se fëmijën e tyre e kishin shitur.
Babai, Fatmir Hashimi: Ata kishin pyetjet dhe gjërat e tyre. Pak rëndësi ka. Tani kanë edhe ato të drejtën e vet, sipas ligjit. Nuk mund t’i kundërshtoj. Më kanë akuzuar sikur e kam shitur.
Gjyshja: Pse kështu është e drejta? Ai kishte zjarr kërkonte fëmijën e vet. Me i gjuajt prindërit. Unë do shkoj me dy çunat të bëjë denoncimin, pse të rrihen.
Këtë fakt tronditës, na e pohuan edhe banorë të zonës, por zëra të ndryshëm vazhdonin të dyshonin se Klodi mund të ishte rrëmbyer dhe nga frika e kanë mbytur.
Banor: Për veshjet që tha zotëria, po tha ai është fëmija tha. Tani nga doli fëmija kur familjarët thanë kemi kërkuar? Ka kërkuar dhe policia dhe s’e gjetën. Nga doli fëmija aty?
Banor: Mund ta ketë marrë dikush dhe nga frika e ka hedhur atje. Nuk di, nuk ç’të them? Se fëmija tregon, siç tregon fëmija im.
U rrëmbye dhe u hodh në kanal, apo ishte një mbytje aksidentale ajo e Klodit të vogël? Kjo mbetet të hetohet nga policia. Burime nga Policia e Tiranës thanë për “Pa Gjurmë” se vdekja e vogëlushit është duke u hetuar për të mësuar dinamikën e saktë se si trupi i tij përfundoi në spital. Ndërkohë nga komisariati numër 1 mësojmë se efektivët e policisë së këtij komisariati prej marrjes së njoftimit për humbjen e të voglit kanë qenë pranë familjes duke kërkuar për ditë të tëra për gjetjen e Klodit. Madje çuditërisht në vendin ku 5-vjeçari u gjet ishte kërkuar nga vetë i ati i Klodit. Por dyshimet janë se ai mund të ketë rënë në një tjetër vend dhe t ëketë përfunduar në kanalin ku u gjet pasi mund ta ketë marrë rrjedha e ujit.
Nuk është hera e parë që fëmijët e komunitetit rom, që banojnë prej vitesh tek banesat sociale në Shkozë kanë rënë në kanal, por fatmirësisht janë shpëtuar duke mos pasur fundin tragjik si Klodi i vogël.
Fëmijë: Po, edhe unë kam rënë një herë. Po bën shumë, tre muaj, 4 muaj. Rrëshqita…Duhet të bëjnë mur këtu. Se vjen fëmija i vogël këtu dhe bie. Se s’ka besë fëmija, fëmija është i vogël nuk din. Fëmija është engjëll.
Jetesa për fëmijët rom të kësaj zone është shumë e vështirë, pjesa me e madhe e tyre nuk vazhdojnë shkollën, por enden rrugëve me prindërit për të siguruar mbijetesën. Lojërat e tyre lidhen me këtë “kanal të vdekjes”.
Fëmijë:Këtu duhet të bëhet një mur që të mos bien fëmijët, e sheh Klodi që ishte këtu?
Ende nuk e kuptojnë humbjen e shokut të tyre të vogël Klodi, por veten e ndiejnë çdo ditë të rrezikuar. Shokët dhe shoqet që luajtën për herë të fundit e përcollën me lule e tullumbace./ReportTv