Home Approccio Italo Albanese Shqiptarja e izoluar familjarisht në Itali: Ftoj të gjithë bashkëatdhetarët tanë të...

Shqiptarja e izoluar familjarisht në Itali: Ftoj të gjithë bashkëatdhetarët tanë të mos udhëtojnë drejt Shqipërisë apo në të kundërtën

Një mesazh për miq, të afërm e të njohur:

Nga Sonila Alushi

JEMI MIRË me shëndet. Nuk mohoj faktin që gjatë këtyre ditëve kemi kaluar pothuaj familjarisht një grip me temperaturë, por jemi në përmirësim e sipër. Nuk dimë nëse ishte, është ky virus që po na bllokon jetën (e dyshojmë shumë), dimë vetëm që po vetkurohemi në mënyrë tradicionale duke mbajtur qetësinë e respektuar rregullat e Ministrisë së Shëndetësisë italiane.

Nuk mund t’i lejojmë vetes panik duke telefonuar urgjencën, reparti i terapisë intensive në spitalet tona po vuan një mbingarkesë të jashtzakonshme.

Një mënyrë për të bashkëpunuar është të informohemi sa më shumë mbi simptomat dhe mënyrën e duhur për të menaxhuar situatën. Mënyra tjetër është të respektojmë pa asnjë polemikë rregullat e vendosura nga mjekët për të parandaluar përhapjen e sëmundjes. As virusi e as shkenca nuk janë demokratikë, s’ka vend për opinion, duhet të kemi kujdes higjenën e s’duhet të dalim nga shtëpia, pikë.

Sepse ndërkohë që për pjesën më të madhe të popullsisë është një virus që kalon si grip i zakonshëm (mund të jetë rasti ynë), për pjesën më të dobët të shoqërisë si prindërit dhe gjyshërit tanë, #Covid19 mund të jetë vdekjeprurës. Pra nuk ka vend për egoizëm sot, as për rebelime as për barsaleta e gallata. Gjatë këtyre ditëve kaq të vështira do na duhet t’i thërresim ndërgjegjies e të reagojmë jo si individë, por si grup, si shoqëri, si një trup i vetëm.

Gjatë natës Qeveria ka vendosur të kufizojë rajonin e Lombardisë (ku jetojmë ne) duke ndaluar hyrjet e daljet, deri me datë 03/04, për këdo nuk ka arsye të forta si urgjencat dhe ndonjë impenjim pune që nuk mund të evitohet.

Një vendim që bën të kuptohet akoma më qartë serioziteti i situatës. Ftoj të gjithë bashkëatdhetarët tanë të mos udhëtojnë drejt Shqipërisë apo në të kundërtën. Strukturat e shëndetësisë italiane janë përballë një sforcoje shumë të madhe, strukturat shqiptare nuk e di a do ta mbanin dot mbi supe një hall kaq të madh. Mbroni të afërmit, miqtë dhe vendin tuaj.

MOS LËVIZNI NGA SHTËPIA.

Share: