Home Approccio Italo Albanese Pse Italia u godit aq rëndë, si kanë vepruar mjekët dhe sistemi...

Pse Italia u godit aq rëndë, si kanë vepruar mjekët dhe sistemi shëndetësor shqiptar. A prek Covid-19 sistemin nervor?

Intervistë në “Tema” me neurokirurgun e njohur shqiptar Prof. i As. Dr. Arsen Seferi

Pandemia e Covid-19, që është përhapur me shpejtësi në Europë, ka goditur rëndë veçanërisht fqinjin tonë, Italinë. Ju e njihni pak a shumë mirë sistemin shëndetësor italian, me qenë se keni studiuar dhe jeni specializuar atje për një kohë të gjatë. Sipas gjykimit tuaj, si po e përballon Italia këtë pandemi dhe, nga kontaktet që keni ju me kolegët e miqtë tuaj atje, si shpjegohet kjo gjendje në atë vend dhe kur mund të dalë Italia nga kjo situate?

Lidhur me këto pyetje, do të mundohem të paraqes disa faktorë, ndoshta edhe të njohur, që mund të mos e kenë favorizuar reagimin e shpejtë të sistemit shëndetësor italian në këtë pandemi.Konferenca e radhës shtet-rajon (mbahet çdo tre vjet), në vitin 2019 përcaktoi një ulje të mëtejshme te financimit, edhe pse të lehtë në raport me PBB-në, nga 6.6 % në 2019, në 6.5 % deri në 2022.

Një tjetër shifër që flet shumë, është edhe zvogëlimi i investimit për personelin mjekësor me rreth 2 miliardë euro më pak për periudhën 2010-2019. Reduktimi i numrit të personelit mjekësor (mjekë, infermierë, teknikë laboratori, punonjës sanitarë etj), solli logjikshëm edhe ridimensionimin e organizimit te strukturave spitalore sipas personelit në dispozicion duke çuar ne pakësim të shtretërve spitalorë në nivele më të ulëta se mesatarja europiane.

Pavarësisht se sistemi shëndetësor italian (e veçanërisht ai i Lombardisë), konsiderohej nga sistemet më të zhvilluara shëndetësore europiane përsa i përket vdekshmërisë, aksesit ndaj trajtimit shëndetësor dhe shtrimit në spital si edhe jetëgjatësisë, specialistët vazhdimisht kishin vënë alarmin se faktorë të tillë si: pakësimi i numrit të shtretërve, problemet që lidhen me punësimin e mjekëve dhe infermierëve të rinj, plakja e popullsisë dhe rritja e ngadaltë e ekonomisë së vendit, do të sillnin jo pak problem në sistemin shëndetësor.

Dhe këtu mund të gjejmë edhe përgjigjen e pyetjes. Sistemi ishte në një ekuilibër të brishtë si rezultat i përllogaritjeve të vazhdueshme: vetëm për t’i shërbyer me nivel jetës së përditshme, por pa një strategji të mirëfilltë për t’i bërë ballë një situate shëndetësore të jashtëzakonshme. Sistemi shëndetësor italian është, aktualisht, në vështirësi jo vetëm për numrin e madh të pacientëve që paraqiten në qendra shëndetësore dhe spitale në njësinë e kohës, sidomos në 3-4 rajone të vendit të cilat bëjnë së bashku rreth 25 milionë banorë, por edhe se për trajtimin e pacientëve duhet të mbahen standardet dhe protokollet e përcaktuara.

E rëndësishme është të shpëtohen sa më shumë jetë njerëzish jo vetëm në spitale, por edhe duke marrë masat mbrojtëse të distancimit fizik, tashmë të adaptuara nga të gjitha rajonet. Me këtë masë pakësohen ndjeshëm dëmet nga përhapja natyrale e këtij invadimi viral me karakteristika të ndryshme nga të deritanishmet.

Gjithashtu, ecuria e deritanishme e menaxhimit të kësaj emergjence shëndetësore tregoi që edhe mënyra e ndjekjes së pacientëve ka luajtur një rol të rëndësishëm në rezulatet.

Psh., në Lombardi njerëzit u paraqitën me shpejtësi në spitale duke rritur riskun e një infektimi të mundshëm, ndërsa në Veneto, me një model shëndetësor më shumë të fokusuar në “public health”, ndjekja e pacientëve u krye nëpërmjet vëzhgimit të parametrave dhe dhënies së mjekimit në kushte shtëpie.

2-Si e shpjegoni gjendjen e përhapjes dhe masat që janë marrë në Shqipëri? Po ashtu, si po e përballon sistemi ynë shëndetësor këtë pandemi?

A është e përgatitur mjekësia jonë epidiemologjike ta përballojë deri në fund atë Shqipëria, për mendimin tim, ka reaguar në mënyrë korrekte. Ky reagim nuk ka qenë spontan, por dëshmon që specialistët shqiptarë e kanë ndjekur situatën me seriozitet që në gjenezë, pra në Kinë. E kanë monitoruar atë dhe kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritet shtetërore në mënyrë që, në momentin e duhur, të bënin ndërhyrjen e duhur.

Natyrisht, përpara një emergjence të tillë shëndetësore, çdo sistem shëndetësor do të përballej me vështirësi të ndryshme. Mendoj se të gjitha ekipet tona mjekësore klinike apo të shëndetit publik kanë bërë më të mirën e mundshme në raport me resurset në dispozicion.

Aktualisht, po u sigurohet shërbim të sëmurëve me Covid-19 në dy struktura te specializuara, por, njëkohësisht, po mundësohet edhe sigurimi i shërbimit shëndetësor edhe për pacientët që vuajnë nga sëmundje të tjera dhe sidomos për urgjencat.

3-Ne, shqiptarët, kujtohemi të flasim për mjekët vetëm kur përballemi me fatkeqësi si kjo. Jo vetëm kaq, por e kemi të vështirë të promovojmë edhe emra të rinj profesionistësh në këtë fushë. Përveç emrave të njohur tashmë, që po përballen me këtë sëmundje, a ka edhe mjekë të rinj të talentuar që po përballen me këtë pandemi dhe që mund të marrin nesër përgjegjësi edhe më të mëdha?

E përmenda edhe më sipër që është një gjendje e vështirë dhe, për më tepër, me shumë të panjohura. Në mjekësi, më shumë se në çdo shkencë tjetër, përveç studimit, të ndihmon edhe përvoja. Përvoja aktuale janë mjekët e një moshe të caktuar të cilët kanë në kujtesën e tyre mënyrat e organizimit ndaj epidemive të kaluara më parë.

Dihet që çdo vend ka edhe specifikat e veta. Por duhet thënë se strategjitë e ndërtuara nga specialistët dhe mjekët me përvojë, kryesisht të Klinikës së Sëmundjeve Infektive dhe shërbimit të Anestesi-Reanimacionit, po zbatohen edhe nga mjekët e rinj të cilët, aktualisht, janë në vijën e parë të frontit duke punuar me shumë devotshmëri.

Natyrisht, duke ushtruar profesionin në këtë pandemi, ata do të fitojnë shumë dije si në planin profesional, ashtu edhe në atë organizativ. Pra, këta do të jenë truri për beteja të tilla në të ardhmen.

4- Ju jeni një nga neurokirugët më të mirë të vendit. Madje, më kujtohet se para disa kohësh, kolegu ynë, gazetari Bashkim Hoxha, botoi një shkrim për ju ku tregonte se, kur kishte shkuar në një spital të njohur në Itali për një operacion neurokirurgjikal, profesori i atij spitali të njohur i kishte thënë: po pse vjen këtu? Ju në Shqipëri keni Arsen Seferin që është më i miri ndër ne. Duke qenë kështu, doja t’ju pyesja si e vlerësoni gjendjen e sistemit shëndetësor te ne dhe cili është roli i mjekëve të rinj në këtë sistem?

Faleminderit për dashamirësinë, por artikullin e gazetarit dhe shkrimtarit të njohur Z. Bashkim Hoxha dhe ndonjë shkrim që keni bërë ju, unë i lexoj në një mënyrë tjetër. Ai, nëpërmjet atij artikulli, duke përmendur një ndodhi reale, ka një qëllim shumë fisnik, pse jo edhe të rrallë, në kohën ku jetojmë: të rrisë besimin e njerëzve te mjekët shqiptarë.

Një pjesë e mirë e mjekëve kanë frekuentuar klinika jashtë vendit për një kohë të gjatë, disa edhe kanë bërë shkolla të plota specializimi, kjo do të thotë që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e ambienteve profesionale të atyre vendeve.

Në këtë mënyrë e gjithë dija jonë, në një mënyrë ose tjetër, vazhdon të jetë e ekspozuar ndaj kolegëve jashtë vendit. Ky realitet, prej shumë vitesh, i vë mjekët shqiptarë përpara një përgjegjësie për një edukim të vazhdueshëm intensiv.

Njerëzit jo vetëm zgjedhin se ku do të trajtohen, por edhe kanë mundësinë që në kohë shumë të shpejtë të marrin një opinion të dytë si për mënyrën eventuale të trajtimit, ashtu edhe për rezultatin e trajtimit që kanë kryer në Shqipëri.

Tjetër aspekt i rëndësishëm është edhe përditësimi i teknologjisë. Kjo ka kosto dhe kërkon edhe këshillim dhe, për një vend si yni, me burime financiare të kufizuara, do të jetë gjithmonë një problem.

5- COVID-19 a shkakton probleme ne sistemin nervor ?

Per fat të mirë, virusi nuk e kalon barrierën mbrojtëse të trurit, natyrisht kur ajo nuk është e padëmtuar për shkaqe të ndryshme. Kjo do të thotë që në një periudhë afatshkurtër nuk manifestohen simptoma që lidhen me sistemin nervor, përveç ndonjë rasti sporadik. Në një periudhë më afatgjatë mund edhe të japë çrregullime të sferës konjuktive për shkak të procesit të demielinizimit.

Bisedoi Ilir Yzeiri* Prof. i As. Arsen Seferi (MD PhD) është diplomuar për Mjekësi të Përgjithshme dhe është specializuar për Neurokirurgji në Universitetin “Sapienza”, Romë. Aktualisht është pedagog në Universitetin e Mjekësisë dhe mjek neurokirurg pranë Shërbimit të Neurokirurgjisë në QSUT.(Kjo intervistë realizohet në kuadër nismës së Akademisë së Shkencave për të aktivizuar specialistët më të mirë të vendit për të dhënë mendime, sugjerime dhe për të bërë analiza që përpiqen të jenë në të mirë të informimit të publikut në këtë periudhë të vështirë pandemie).

Share: