Nga Ilir Yzeiri
Në qoftë se do ta pranojmë të gjithë se gjendja që po kalojmë, është si një luftë, atëherë, edhe sjellja jonë, qëndrimi dhe veprimi ynë, ashtu sikundër edhe puna jonë, duhet të modifikohet në shërbim të luftës.
Pashë te «Report Tv» një reportazh të shkurtër për Alban Kardashin, djalin e Bujar Kardashit të cilët kanë një biznes modest më shumë ne art dizajn, por edhe në modelim e prodhim uniformash. Më kujtohet se me Bujarin kemi bashkëpunuar dhe kam bërë një investigim për emisionin « Hapur » para shumë kohësh për abuzimet me një tender të uniformave të ushtrisë kur ishte ministër mbrojtjeje Fatmir Mediu. Ndoshta ka qenë tenderi i parë i Mediut dhe Bujari më tregonte për një abuzim me përmasa të mëdha. Që nga ajo kohë kemi mbetur miq dhe me Albanin jam njohur më vonë.
Tani marr vesh se Albani, që e ka çuar më tej këtë biznes modest, këto ditë po prodhon maska falas për mjekët dhe deri tani ka shpërndarë mbi 70 të tilla në spitalin e Durrësit e po aq edhe në një spital në Tiranë. Këtë punë po e bën bashkë me disa miq të tjerë duke shpenzuar nga vetja, sepse për Albanin, ashtu si për pjesën më të mirë të Shqipërisë, atdheu është në luftë. Në anën tjetër janë mjekët tanë të mrekullueshëm, është profesori Kraja që braktisi shtëpinë dhe iu bashkua mjekëve të infektivit dhe tani është plagosur edhe vetë në këtë luftë, janë policët e shtetit shqiptar që ruajnë, monitorojnë dhe rrinë natë e ditë jashtë në shi dhe forcat e ushtrisë, gjithashtu.
Por, janë edhe mësuesit e mësueset e mrekullueshëm të Shqipërisë që, gjithashtu, po punojnë si në luftë dhe kanë arritur që, me aq mundësi sa kanë, nuk i kanë lënë fëmijët në apati, nuk i kanë lënë që të bien pre e kotësisë, mërzitjes dhe, ndonjëherë, edhe e sherrit në familje, por i kanë vënë në lëvizje, komunikojnë me ta, u japin mësime dhe ua kontrollojnë me të gjitha mënyrat e mundshmë. Ka nga ata mësues që kanë bërë mësime spektakolare on-line, ashtu siç ka edhe të tilla që nuk e kanë bërë dhe nuk mund ta bëjnë siç duhet atë punë. Por, ama, qëllimi në të gjitha rastet është arritur sepse fëmijët janë nën presionin e mirë që nuk janë pushim, por duhet të hapin librin. Qoftë edhe kaq sikur të jetë arritur, është një fitore, sepse jemi në luftë.
Por është në anën tjetër edhe Blendi Fevziu që vijon emisionin « Opinion » jo në kushte lufte, por të duket sikur ai dhe ata që e frymëzojnë atë, kanë ardhur bashkë me pushtuesin, pra, kanë ardhur bashkë me virusin. Blendi Fevziu ashtu si Sali Berisha, Tit Vasili, Monika Kryemadhi, Lulëzim Basha e plot të tjerë, jetojnë në llogoret e virusit Covid-19 dhe shikojnë me dylbi fushën e betejës e që aty ulërasin pse nuk vdesin dhe pse nuk vriten këta njerëz. E për këtë shqetësim ai, në emisonin e tij të ditës së martë, pyet ndjekësit e tij në fb a po funksionon mësimi on-line? Nuk e di si mund ta bëhet kjo pyetje në këto kushte. Një djalë si Albani nuk pyeti a po pajisen mjekët me maska në Shqipëri? Jo, ai hapi biznesin e tij dhe nisi të prodhojë vetë maska falas. Blendi Fevziu dhe gjithë ata që kanë apo përdorin një teknikë të sofistikuar interneti, përpara se të pyesin, duhet ta kishin vënë në dispozicion një pjesë të televizioni të tyre në mënyrë që mësimi on-line të kryhej më mirë.
Ndërsa, të bësh sot emisione e të pyesësh në fb-n tënd se a po funksion mësimi on-line, është njësoj si të pyesësh a po vdesin shqiptarë sipas parashikimit tim. Nëse jo, duhet të gjejmë arsyet se përse nuk po vdesin akoma, sepse ne jemi një vend që duhet të ishim shuar tani. Ju lutem, më raportoni. Nuk e di se çfarë ndjeshmërie mund të kesh, por të shfytëzosh një hapësirë publike për të ndërsyer fanatikët e PD-së që të thonë se nuk po funksion asgjë, se mësimi on-line po dështon, më e pakta është të tregosh edhe një herë që je një virus më shumë dhe që futesh në familjet shqiptare jo si Covid-19, por më keq.
Është e çuditshme se si ky gazetar që ka marrë nga jeta çfarë ka dashur, nuk mësoi në gjithë këto vite të jetë i përunjur dhe të vihet në jetën e tij, të paktën një herë, në shërbim të publikut. A i ndjek ky njeri se çfarë bëjnë kolegët e tij në anën tjetër të botës. Në mos janë vënë vetë në shërbim të njerëzve që po luftojnë në vijë të parë të frontit, kanë vënë në dispozicion të tyre gjithë atë që ata zotërojnë.
Është tjetër gjë të qortosh qeverinë apo të zbulosh afera që shkojnë në të kundërt të interesit publik në këtë kohë lufte, megjithëse edhe për to mund të presësh. Por të vësh në dyshim një punë që po e e bëjnë me mijëra mësues me të gjitha mundësitë që kanë, e përsëris, kjo është si të pyesësh nga llogoret e Covid-19 pse nuk po vdesin këta shqiptarët akoma???
Mirëpo falë Albanit dhe shumë të tjerëve si ai, falë punës serioze të qeverisë, mjekëve brilantë, policëve, ushtarëve dhe mësuesve të Shqipërisë, ky vend po i reziston këtij armiku të padukshëm.