Home KRYESORE E vërteta është një zgjedhje. Nga Gladiola JORBUS

E vërteta është një zgjedhje. Nga Gladiola JORBUS

E vërteta është një zgjedhje
Po , po ,- dhe kantautori italian Ligabue, pikërisht kështu e ka titulluar njërin nga hitet e tij. Ndërsa autorja e librit “Thuaji zemrës Po”, Susana Tamaro shprehet “Personalisht unë gjithmonë jam në kërkim të dy gjërave: thjeshtësisë dhe së vërtetës “.
“Nuk mund t’i kënaqësh të gjithë me veprimet e tua dhe me artin tënd. Bëju drejtësi pak njerëzve! Të pëlqehesh nga shumë është e keqe”. Kjo frazë e Ferdinand Schiller gjendet në pikturën Nuda Veritas të Gustav Klimt. Në pikturë, gruas nudo që mishëron të vërtetën, ia rrethon këmbët një gjarpër që nënkupton vënien në rrezik të integritetit të saj; pra e vërteta kërcënohet gjithnjë nga mashtrimi, gënjeshtra, zilia.

Ndaj silogjizmi mund të jetë një, që e vërteta, shpeshherë është zjarrmëtare. Teksa kulmon në zenitin e saj, mund të djegë vite ëndrrash, besimi, stabiliteti, rravgimesh e iluzionesh. Shpeshherë një gënjeshtër e përsëritur apo bindjet e gabuara, shndërrohen në një të vërtetë të pranueshme nga të gjithë, sidomos kur e vërteta ka heshtur për shumë kohë.

Kush e do të vërtetën, e kupton më mirë atë, e kupton më parë, dhe në fund kupton më shumë. Ajo çka dalëngadalë po zhduket nga horizonti i gjuhës njerëzore, është nocioni i së vërtetës, pra ana tjetër e medaljes: në raste të caktuara, njeriu nuk dëshiron të dëgjojë të vërtetën për shkak të modelit teorik, mungesës së ndjeshmërisë apo empirizmit.

S’duhet të harrojmë, që s’mund të mbështetemi vetëm tek logjika, por dhe tek zemra. Përpiquni ta dëgjoni më shumë, zemrën tuaj. Mjaft më, me zërat e miqve, të familjes, të medias…, me tejngopje të atij zërit kritik, brenda kokës tuaj. E vërteta sido që të jetë, është e pashmangshme.

Dëgjoni zemrën tuaj! Ajo është themeli i diturisë; është inteligjente dhe di të vërtetën e gjërave. Zemra mund të shohë përtej syve. Ajo mund të shohë të vërtetën që fshihet pas aparencës. Kur keni besim në zemrën tuaj, do të dini të gjeni, fuqinë tuaj të vërtetë! Sepse fitorja vjen, kur e vërteta belbëzohet, sidomos nga buzët e armikut tënd.

Thuhet se e vërteta është e hidhur, gjeneron urrejtje të mëtutjeshme, ndërsa lajkat e rrejshme sjellin miq. Por e vërteta mbetet më fisnikja. Është zgjedhja jote. Ta duash, ta besosh, ta pranosh, ta apikosh, ta mishërosh, – këtë e vendos ti.

Rëndom e vërteta barazohet me ndershmërinë dhe siç shprehen arabët, “I ndershëm është ai, i cili ndryshon mendjen e tij për t’u akorduar me të vërtetën. I pandershëm është ai që e ndryshon të vërtetën, për ta akorduar atë me të menduarit e tij”.

E ndërkohë në Bibël, së vërtetës i asociohen mirësia, drita dhe drejtësia, kurse në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, njëri nga shpjegimet e së vërtetës përshkruhet shprehimisht “Që është siç është bërë në fillim, jo i kopjuar, original”. Vallë e vërteta s’gjendet kund tjetër, veç gjenezës?!?!

Gjithsesi ajo mbetet një sfidë e madhe, një spërmarrje më vete. Ama për të kanë nevojë të gjithë. Ajo madje i shërben edhe atij avokati të djallëzuar, i cili duhet të trillojë fakte të paqena, të sajojë alibi apo dëshmi të rreme. Ç’paradoks!

Por unë po i referohem sërish Ligabues. Me të e nisa, dhe me të po e përmbyll. Ja dy vargje nga teksti i këngës së Ligabues, titullin e së cilës e huazova dhe unë. Nën tingujt rock, ai këndon:

E vërteta është një zgjedhje,
e vërteta tashmë është gati.

Share: