Home KRYESORE Mjeku i njohur: Ja pse unë jam dakord që politika e testimit...

Mjeku i njohur: Ja pse unë jam dakord që politika e testimit në Shqipëri deri në këto momente ka qënë e saktë!

Nga Erion Dasho

Kur ra tërmeti në nëntor, të gjithë shqiptarët u bënë vizitorë të rregullt të aplikacioneve që raportonin tërmetet nga Poli i Veriut në atë të Jugut. Sot, po bëjmë të njëjtën gjë me websitet dhe dashboardet që raportojnë rastet dhe vdekjet me koronavirus nga Kina deri në Alaskë.

Pse Italia ka vdekshmëri më të lartë se Kina? Pse Gjermania e ka kaq të ulët vdekshmërinë? Pse Shqipëria e ka më të lartë se Maqedonia?

Këto pyetje që deri dje mund të m’i bënte maksimumi ndonjë koleg epidemiolog, sot vijnë nga shokët e fëmijërisë që janë mësues, biznesmenë, fermerë, etj.

Së pari, virusi nuk është më “i keq”, “dinak” apo “djallëzor” në Itali krahasuar me Kinën, apo në Shqipëri krahasuar me Maqedoninë. Ai është i njëjti dhe format e tij, që quhen edhe mutacione, ndryshojnë shumë pak nga njëra-tjetra (çka jep, me që ra fjala, shumë shpresë për prodhimin e një vaksine të efektshme).

Së dyti, vende të ndryshme kanë praktika të ndryshme testimi. Gjermania dhe Koreja testojnë masivisht dhe sigurisht zbulojnë shumë raste. Kur pjeston numrin e vdekjeve me rastet e shumta, vdekshmëria duket e ulët. Shqipëria (unë besoj me të drejtë, deri tani) ka testuar shumë më pak. Kur pjeston numrin e vdekjeve me atë të rasteve duket i lartë.

Së fundi, pse unë jam dakord që politika e testimit në Shqipëri deri në këto momente ka qënë e saktë. Së pari, ne nuk jemi një vend i pasur si Gjermania apo Koreja që të testojme me dhjetëra mijëra persona në ditë. Testet deri para disa javësh kanë qënë shumë të shtrenjtë dhe me saktësi relativisht të ulët. Po të kishim harxhuar para për teste, sot nuk do të kishim para për përballimin e krizës ekonomike.

Sot situata ka ndryshuar. Testet janë bërë shumë më të lira (tamponi i famshëm deri 20-30 EURO dhe testi i shpejtë deri 5 EURO) dhe shumë më të sakta. Në këto kushte kushdo mund të testohet dhe ka vlerë të nisin edhe fushatat e gjera të testimit.

Ajo që është provuar e saktë në të gjithë botën është se masat e kufizimeve sociale funksionojnë dhe se vendet që i kanë zbatuar me kujdes kanë shmangur katastrofat. Shqipëria e ka bërë me sukses dhe tani mund t’i shtojë izolimit edhe testimin e gjerë dhe masat e tjera inteligjente.

Share: