Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal të Shqipërisë duke adresuar gjithashtu edhe rekomandimet e Presidentit Meta.
Ndryshimet e propozuara morën 88 vota pro, 11 kundër dhe 1 abstenim.
Nga riformulimi i ndryshimeve, maksimumi i dënimit, nga 15 vite ka shkuar në 8 vite dhe kjo masa do të merret kur sëmundja infektive të përhapet me qëllim dhe të këta pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e njerëzve.
Dënimi me burg nuk është lënë si ndëshkim i vetëm në disa dispozita por është shtuar edhe gjoba si masë paraprake. Ky ishte një nga rekomandimet kryesore të Presidentit Meta.
Nëse një qytetar ndaj të cilit është dhënë më parë gjobë dhë përbën kundravajtje atëhere dënohet me gjobë- 6 muaj burg.
Kur kundravajtja është kryer në ushtrim të akvititetit tregtar dhe rrezikon shëndetin e njerëzve gjobë- 2 vjet burg
Nëse nuk zbatohet urdhri i detyruar për karantinim 2-3 vite burg.
Përhapja me dashje e sëmundje infektive 2-5 vite burg.
Përhapja nga pakujdesia e sëmundjes infektive gjobë- 2 vite burg
Kur përhapja e sëmundjes infektive ka lënë pasoja të rrezikshme për jetën e njerëzve 3-8 vite burg.
Kur nga përhapja e sëmundjes infektive është shkaktuar vdekja e 1 apo më shumë personave 5- 10 vite burg.
Kreu i Parlamentit, Gramoz Ruçi tha në përfundim të senacës se Presidenti i kishte adresuar shqetësimet e tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Sipas Ruçit ato ishin konsultuar me grupet parlamentare ndryshimet e propozuara në Kodin Penal ishin riformuluar.
“Dje është zhvilluar një mbledhje e dytë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, një nga pikat ishin ndryshimet në Kod. Presidenti dhe Këshilli i Sigurisë, duke filluar nga kryeministri dhe ministrat që asistuan në mbledhje, dhe unë në emër tuaj, e njoftova këtë mbledhje lidhur me adresimin e shqetësimeve të 14 institucioneve të shtetit shqiptar dhe 30 organizatave të shoqërisë civile, dhe presidenti në fund kërkoi nga ekzekutivi dhe nga mua si kryetar parlamenti ta njihja me përfundimet e arritura nga mbledhja e komisionit të ligjeve. Unë i vura në dispozicion produktin final të komisionit të ligjeve, me relacionin dhe adresimin e shqetësimeve. Sot gjatë seancës presidenti duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin mes institucioneve përkatëse president-parlament ka shprehur vullnetin e tij ashtu si dhe disa rekomandime të cilat u pasqyruan qartë dhe saktë në ato që parashtroi kryetari i mazhorancës, që i konsultoi edhe me grupet e tjera”, sqaroi kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi.
Versioni përfundimtar i miratuar në Kuvend
“Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë
Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo të zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 (gjashtë) muaj.
Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke vendosur në rrezik shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 (dy) vit.
Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinimin ose izolimin apo shkelja e rregullave të karantinës ose të izolimit, nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, të cilit i është njoftuar ky detyrim nga autoritetet shtetërore përkatëse, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 3 (tre) vjet.
Neni 89/b
Përhapja e sëmundjeve infektive
Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi që është diagnostikuar si mbartës I sëmundjes apo nga personi që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 5 (pesë) vjet.
Kur kjo vepër është kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose burgim deri në 2 (dy) vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose është rrezikshme për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga 3 (tre) deri në 8 (tetë) vjet”. /Opinion.al