Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë, Ines Muçostepa, analizon për gazetën “Fjala” situatën ekonomike në vend. Ajo sugjeron të shlyhen detyrimet që shteti ka ndaj sipërmarrjes, të ulet me 20 % energjia dhe të lehtësohet barra fiskale
Bizneset janë në pritje të një pakete të tretë nga qeveria shqiptare, e cila të jetë e dedikuar për biznesin, pasi dy paketat e miratuara deri tani kanë pasur fokus social. Pandemia COVID-19 e paralizoi ekonominë shqiptare për dy muaj dhe ende s’ka një skenar të qartë për “hapjen”. Në paketën me tetë pika ndër të tjera bizneset kërkojnë lehtësimin e barrës fiskale, shtyrjen e pagesave të kredive, uljen me 20 % të çmimit për furnizimin me energji elektrike dhe shlyerjen e të gjitha detyrimeve që shteti ka ndaj sipërmarrjes private. Në një intervistë për gazetën “Fjala” kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë, Ines Muçostepa, pasi bën një pasqyrë të vështirësive me të cilat përballet biznesi sipas sektorëve, pohon se ekonomia tashmë ka hyrë në recesion.
Cila është gjendja e biznesit sot, 50 ditë pas bllokimit thuajse total, si pasojë e epidemisë së Covid-19?
Pandemia e Covid-19 dhe masat e marra për të frenuar përhapjen e saj po japin efekte negative në ekonominë globale e, sigurisht,kanë ndikuar edhe në ekonominë tonë. Kjo situatë ka sjellë një rritje shumë më të ulët ekonomike e cila konsiderohet një recesion i vërtetë. Masat kufizuese të marra kanë ndikuar në raportin e kërkesës dhe ofertës së brendshme, prandaj aktiviteti ekonomik është ulur ndjeshëm. Kriza ka bllokuar lëvizshmërinë ndërkombëtare duke sjellë për sektorin e turizmit një kolaps total. Eksportet kanë rënë për shkak të rënies së kërkesës dhe për shkak të ndërprerjeve në zinxhirin e vlerës. Kjo krizë pritet të shkaktojë edhe ngadalësimin e investimeve publike e private duke sjellë kështu rënien e rritjes ekonomike dhe si rrjedhojë mungesën e krijimit të vendeve të reja të punës. Ekonomia e vendit tonë mbështetet fort edhe te hyrja e qëndrueshme e remitancave, zë që pritet të zvogëlohet për shkak të mungesës së lëvizshmërisë, papunësisë dhe rënies ekonomike që po përjetojnë edhe vendet e tjera. Pasojat e krizës së Covid-19, që ka prekur ekonominë, janë të gjithanshme. Rënie të ardhurash për qytetarët që humbin vendet e punës dhe rënie të ardhurash edhe për shtetin. Krizën po e ndiejnë të gjitha llojet e biznesit nga ai i vogël, i mesëm dhe i madh, biznes prodhues, tregtar, turizmi, transporti dhe shërbimet.
Cilët janë sektorët dhe bizneset më të prekura nga kjo situatë dhe ku shprehet më shumë kjo prekje?
Për sa i përket ekonomisë së brendshme, sektorët e turizmit, transportit dhe prodhimit do të jenë ndër më të prekurit. Shqipëria pritet të jetë një nga vendet që do të goditet më tepër, për shkak të varësisë nga turizmi. Më shumë se 20 për qind e PBB-së në Shqipëri mbulohet nga të ardhurat e turizmit. Për sektorin e turizmit kjo është goditja e dytë fatale pas goditjes së tërmetit të 26 nëntorit 2019. Ky sektor është i lidhur ngushtë me sektorin e transportit publik, por edhe me sektorin e bujqësisë dhe ndikimi negativ do të ndihet edhe në këta dy sektorë. Për sa u përket sipërmarrjeve prodhuese, ato janë duke ndeshur probleme lidhur me furnizimin me lëndë të para nga importi, anulimin e kontratave të lidhura për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme dhe mungesën e kontratave të reja. Kjo situatë u ka sjellë bizneseve rënie të prodhimit dhe për pasojë të të ardhurave me më shumë se 50 për qind dhe me një rënie të shitjeve me rreth 70 për qind. Kjo rënie pritet të rritet akoma më shumë në muajin maj. Kjo situatë dhe mungesa e likuiditetit ka sjellë edhe probleme me pagat e punonjësve. Numri total i vendeve të punës të mbyllura tashmë është rreth 61000. Pjesa më e madhe e bizneseve të mëdha kanë deklaruar se mund të përballojnë pagesën e pagave dhe për dy muaj të tjerë, nëse kjo situatë do të vazhdojë.
Cilat kanë qenë kërkesat dhe qëndrimet tuaja si organizatë përfaqësuese e biznesit shqiptar kundrejt qeverisë, lidhur me ndihmën për ekonominë dhe biznesin?
Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë ka qenë shumë aktiv në përcjelljen e problematikave që bizneset e ҫdo sektori kanë hasur që në ditët e para të kufizimeve, te politikëbërja. Duhet të kemi parasysh që kjo situatë e pazakontë për të gjithë mbarti problematika lidhur me zhvillimin e aktivitetit të bizneseve, kufizimit të kapaciteteve, pengesave në lëvizjen e automjeteve dhe stafit, mungesën e protokolleve të operimit të bizneseve etj. Për të gjitha këto problematika kemi hartuar dhe paraqitur edhe propozimet tona për zgjidhjet e mundshme, të cilat janë marrë parasysh.
Lidhur me propozimet ekonomike, kemi paraqitur një kërkesë të parë në mes të muajit mars, të shoqëruar më pas me një kërkesë të dytë, e cila u hartua si propozim i përbashkët me të gjitha dhomat e tregtisë dhe me shoqatat e ndryshme të biznesit. Kërkesat ekonomike që i paraqitëm qeverisë bazoheshin në 8 pika, të cilat kërkonin përjashtimin, deri në kthimin e normalitetit, nga detyrimet fiskale për sipërmarrjet e sektorit të transportit të udhëtarëve urban, ndërurban dhe ndërkombëtar, për sipërmarrjet e sektorit të hoteleri-turizmit dhe agjencitë e udhëtimit, si edhe për sipërmarrjet e mbyllura për shkak të masave shtrënguese; përjashtimin deri në kthimin e normalitetit nga detyrimet fiskale për të gjitha sipërmarrjet, të ardhurat e të cilave në muajin mars 2020 kishin rënie me 20%; aplikimin me 20% ulje të çmimit për furnizimin me energji elektrike dhe ujë për të gjitha sipërmarrjet në sektorin e prodhimit; përjashtimin nga detyrimet e sektorit të hotelerisë për taksën vendore (lek/krevat), si dhe të gjitha taksat e tjera vendore që kanë të bëjnë me pasuritë e sipërmarrjes private; përjashtimin deri në kthimin e normalitetit nga të gjitha detyrimet nga taksat vendore për mjetet e transportit të udhëtarëve, si dhe për ambientet që përdoren dhe shërbejnë për zhvillimin e aktivitetit të biznesit, edhe nëse këto ambiente janë me kontratë qiraje dhe jo vetëm në pronësi të vetë sipërmarrjes; subvencionim me 50 % të vlerës së qirasë për të gjitha sipërmarrjet e pezulluara nga masat shtrënguese për muajt mars dhe prill; për automjetet e transportit të pasagjerëve të shtyhet vlefshmëria e siguracionit dhe taksave për një periudhë të barabartë me kohëzgjatjen e pezullimit të veprimtarisë, por jo më pak se 3 muaj; shtyrje automatike për një periudhë 3-mujore të vlefshmërisë së të gjitha autorizimeve ose licencave; garancia sovrane, e vënë në dispozicion të sipërmarrjes private, duhet të jetë e pakufizuar dhe të përmbushë të gjitha kërkesat e sipërmarrjes private që ka një rënie të të ardhurave në muajin mars 2020 prej më shumë se 20% e mesatares së muajt janar dhe shkurt 2020, përfshirë edhe sipërmarrjet bujqësore, blegtorale dhe peshkimin; ajo duhet të ofrohet me një tarifë interesi jo më shumë se 0,2% dhe shlyerja e kësaj kredie të fillojë në janar të vitit 2021; të rishikohet me procedurë të përshpejtuar buxheti, duke hequr dorë nga investimet dhe shërbimet publike jo bazike, në përputhje me gjendjen e fatkeqësisë natyrore; qeveria shqiptare të marrë masat që të shlyejë të gjitha detyrimet ndaj sipërmarrjes private, brenda muajit prill 2020, si dhe të shlyejë në kohë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kontratat e veprave dhe shërbimeve publike që nuk janë anuluar me apo pa rishikim buxheti; për të gjitha donacionet që sipërmarrja shqiptare do të ndërmarrë për t’i ardhur në ndihmë përballimit të situatës Covid -19, është kërkuar njohja e tyre si shpenzim i zbritshëm nga sistemi fiskal. Këtë paketë ekonomike në diskutime ose debate të ndryshme e kam quajtur edhe “paketa ekonomike e dialogut”, duke pasur parasysh edhe kërkesën e përsëritur që dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit i kanë bërë qeverisë shqiptare për të dialoguar mbi një paketë ekonomike të dakordësuar mes palëve.
Si i vlerësoni dy paketat e mbështetjes ekonomike të qeverisë? Ç’mendoni për planin A dhe planin B në raport me zgjidhjen e problemeve të bizneseve, prodhimin, papunësinë, taksat e tatimet etj.?
Dy paketat e hartuara nga qeveria për mbështetjen e ekonomisë kanë pasur në fokus garantimin e mbijetesës së shtresave në nevojë dhe biznesin e vogël. Pra, mund të themi që të dyja paketat kanë pasur një objekt social. Biznesi i madh i ka konsideruar këto dy ndërhyrje si masa të vonuara dhe të pamjaftueshme, të cilat nuk sigurojnë lehtësim lidhur me vështirësitë ekonomike që biznesi po has në këtë periudhë. Edhe pse bizneset kanë probleme likuiditeti, ato po hezitojnë të përdorin mekanizimin e garancisë sovrane, për shkak të frikës që kanë për një konfiskim të mundshëm të aksioneve në rast vështirësie. Ndërkohë, norma e interesit të garancisë së parë sovrane është i lartë dhe bankat nuk kanë paguar në mënyrë të menjëhershme dhe pa burokraci.
A mendoni se është urgjente një paketë tjetër, pra një plan C, që duhet t’i kushtohet vetëm biznesit?
Në fakt, biznesi është në pritje të një pakete të tretë ekonomike, e cila duhet të ketë në fokus vetëm biznesin. Barra e rënies ekonomike është më e rëndë për ata që preken më shumë dhe, për këtë arsye, qeveria duhet të reagojë shpejt nëpërmjet stimujve dhe lehtësirave fiskale në mbështetje të punësimit, për të ofruar injektim të likuiditetit për bizneset që kanë nevojë. Shteti nuk duhet të lejojë që të dëmtohen edhe më shumë kapacitetet ekzistuese të bizneseve, pasi kjo do të kishte pasoja të rënda për gjithë ekonominë shqiptare.
A rrezikon një pjesë e madhe e bizneseve të falimentojë, nëse nuk ka ndihmë nga shteti në këtë situatë?
Stimujt financiarë dhe likuiditeti i gjerë do të mund të rrisin besimin në këtë moment të vështirë për bizneset, si dhe do të parandalojnë tkurrjen edhe më të thellë të ekonomisë, duke synuar rimëkëmbjen eventuale të saj. Duhen marrë vendime të shpejta e të rëndësishme për të shmangur një rënie edhe më të ndjeshme dhe falimentimin e një numri të madh të bizneseve në vend.
Në gjykimin tuaj, cilat janë mundësitë reale dhe sfidat që biznesi dhe ekonomia shqiptare të fillojë procesin e stabilizimit dhe ringritjes?
Të gjitha vendet po bëjnë llogaritë e kostove të pandemisë së Coronavirusit dhe përballë tyre po planifikojnë ndërhyrjet për të minimizuar rreziqet, si dhe për të shpëtuar nga një recesion i thellë e me pasoja të rënda e afatgjata. Rritja ekonomike në Shqipëri parashikohet të jetë nga 5 deri në -6,9 %, sipas Raportit të fundit RER të Bankës Botërore. Nëse masat shtrënguese do të mund të eliminohen në fund të muajit qershor, mund të pritet një rimëkëmbje shumë e ngadaltë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2020, ndërkohë që zgjatja më tej e masave kufizuese mund të sjellë një shtyrje të fillimit të rimëkëmbjes në fund të vitit 2020.
Çfarë masash e politikash janë të domosdoshme të zbatohen në periudhën e ringritjes dhe sa kohë mendoni që i duhet biznesit për t’u kthyer në normalitet?
Gjatë periudhës së ringritjes vëmendja duhet të fokusohet në mënyrën se si do të rikuperohet zhvillimi i ekonomisë, si mund të mbështeten sektorët eksportues me anë të paketave mbështetëse, si duhet të ndihmohen bizneset që të mund të hapen përsëri, shtimi i vlerës së produkteve lokale, rëndësia e digjitalizimit të ekonomisë, si dhe rikthimi i njerëzve në punë. Për sa i përket kohës që do t’i duhet biznesit për t’u kthyer në normalitet, mendoj që është akoma shpejt për ta përcaktuar duke menduar që, ashtu si edhe gjatë luftës apo një krize politike, ka një paqartësi të zgjatur mbi intensitetin dhe kohëzgjatjen e shokut dhe gjithsesi çdo gjë do të shihet më qartë nga momenti i zhdukjes së pandemisë. Me gjithë vështirësitë me të cilat po ndeshet ekonomia jonë e brishtë, do të doja ta mbyllja këtë bashkëbisedim me një mesazh pozitiv, kriza jep edhe mundësi për të ndërmarrë nisma të reja, sjell përpjekje për të ndryshuar drejtimin e tregut, zbatimin e metodave të reja të prodhimit. Kriza është edhe mundësi për të vepruar me zemër, mirëkuptim e besim./Fjala.al