Një infermiere në QSUT, pozitive me COVID-19 ka infektuar edhe 20 persona të tjerë personel shëndetësor dhe pacientë. Rasti i infermieres është komentuar në një emision televiziv nga mjeku Pëllumb Pipero, ku sipas tij e infektuara në fjalë nuk dihet se ku e ka marrë Covid-19, ndërsa shton se pavarësisht se i është këshilluar që të izolohet para se të dalë me koronavirus, personi në fjalë ka hezituar dhe ka shmangur këshillimin.
Sipas Piperos, infermierja ka qënë e DYSHUAR dhe jo rast i konfirmuar me COVID-19.
Kjo mund të sjellë lehtësira për infermieren në fjalë edhe pse veprimi i saj ka sjellë pasoja serioze për kolegët dhe pacientët.
Por çfarë parashikon Kodi Penal për përhapjen e sëmundjeve infektive
Ndërkohë, në seancën e datës 16.04.2020, Kuvendi, ka miratuar projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, në kuadër të masave parandaluese kundër pandemisë Covid-19, ku konkretisht janë shtuar këto dispozita ligjore:
Neni 89/b i Kodit Penal Përhapja e sëmundjeve infektive
Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi që është diagnostikuar si mbartës i sëmundjes apo nga personi që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 5 (pesë) vjet.
Kur kjo vepër është kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose burgim deri në 2 (dy) vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose është rrezikshme për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga 3 (tre) deri në 8 (tetë) vjet./ shendeti.com.al