Home Gjeo-Ekonomia Kriza e koronavirusit ul inflacionin, çmimet por edhe rrogat

Kriza e koronavirusit ul inflacionin, çmimet por edhe rrogat

Inflacioni në vendet më të pasura ka rënë me ritmin më të shpejtë që nga kriza financiare e 2008, pasi shpërthimi i koronavirusit po zhyt botën në recesionin më të thellë prej gati një shekulli.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) tha që rritja vjetore e çmimit të mallrave dhe shërbimeve në të gjithë grupin e 37 vendeve më të përparuara u ngadalësua ndjeshëm në mars pasi Covid-19 bllokoi aktivitetin e biznesit dhe atë social.

Kërkesa ra drastikisht pasi qeveritë vendosin masa të ashpra bllokimi për të kufizuar përhapjen e virusit. Si rezultat inflacioni në të gjithë zonën e OECD ra në 1.7% në mars nga 2.3% në shkurt, ngadalësimi më i madh që nga kriza financiare e vitit 2008.

Grupi me qendër në Paris tha se çmimi i energjisë ra me 3.6% në mars, në një lëkundje dramatike nga një rritje prej 2.3% në shkurt. Inflacioni i çmimeve të ushqimeve ndërkohë u rrit në 2.4% në mars, nga 2% një muaj më parë.

Shqetësimet në rritje janë se recesioni global i shkaktuar nga pandemia e koronavirusit mund të çojë në një spirale të dëmshme deflacioniste. Deflacioni është kur çmimi i mallrave dhe shërbimeve bie për një periudhë të zgjatur.

Konsumatorët mund të ndërpresin blerjet në pritje të çmimeve më të lira në të ardhmen. Sidoqoftë, kompanitë mund të ulin pagat për të përballuar uljen e çmimeve të tyre, duke nxitur një cikël shkatërrues.

“Inflacioni po shkon edhe më poshtë, i nxitur nga rënia e çmimit të naftës.”, tha për The Guardian një nga ekonomistet kryesore të Bankës HSBC, e cila shtoi se vlera e tij mund të kthehet ngative në muajt në vijim.

Ajo paralajmëroi se inflacioni mund të rritet shumë nëse qeveritë dhe bankat qendrore mbivlerësojnë dëmtimin e zinxhirëve të furnizimit global të shkaktuara nga pandemia, dhe ofrojnë më shumë mbështetje për bizneset dhe familjet për të vijuar shpenzimet.

Sidoqoftë, nëse Covid-19 do të dëmtojë ekonominë më keq sesa pritej, “ngadalësimi ekstra në ekonomi nga dështimi i stimulimit të kërkesës në mënyrë të mjaftueshme në fund të fundit mund të rezultojë në një inflacion nën objektivin ose edhe deflacion të plotë”, shtoi ajo. /Opinion.al

Share: