Home KRYESORE Kubana… Nga Mustafa Xhepa

Kubana… Nga Mustafa Xhepa

  • U kthye nga peshkimi. E mbante të fshehur lodhjen. Kishte bërë banjë, me sapunin, të cilin e pëlqeja shumë, e kishte gjetur në oqean, larg nga bregu, brenda një kutie të kuqërremtë kauçuku, shkarë prej dorës së ndonjë turisteje të huaj. Sapun i markës Coco Chanel, parisian, ngjyrë korale, aromë kokoje e qëndrueshme, i futej nën lëkurë, e zbuste, e lëmonte.
    Sytë i lagen me dhimbje. Buzët i rrudhen, marin formën e puthjes së fundit, derdhur në të tijat – i mungojnë.
  • Vuri kokën mbi këmbët e mia, e mbështeti te gishtërinjtë.
  • Mjellma ime, të dua shumë, shumë…!- Dallgët shuheshin në flokët e tij të gjata – gamë koralore të zverdhura. I pëlqente perëndimi, qëndruam të shtrirë në rërën e lagur, na mbuloi nata. Jam duke u kthyer nga qyteti i Laurelit, në autostradën Baltimorë-Uashington, Uberi më dërgon të marr Kubanën, një milje larg. Në anën e autostradës, larg qendrave të banuara, bën me dorë një vajzë e re, elegante, veshur me kostum, xhaketë e pantallona në ngjyrë blu të thellë. Pantallonat janë të prera të ngushta, rrinë bukur në këmbët e saj të drejta. Hap derën e pasme, buzëqesh.
    -Quheni Muçi?
    Vajza prish rregullin. Qëkuri masakruan një studente, e cila hipi në automobilin e gabuar duke menduar se ishte Uberi i saj, udhëzimi i ri i këshillon udhëtarët të pyesin emrin e shoferit para se të futen në automobil.
    -Po, dhe ju quheni?
    -Kubana.
    Fytyra engjëllore, zbukuruar me dy bishtaleca të gjata mbi krahëror, shembëllen me pikturën e famshme të Helgueras.
    -Keni emër të bukur!
    -Mamaja nguli këmbë.
    -Ka lidhje me …?
    -Po, jam nga Kuba.
    Kubana është e re. Anglishten e flet me gabime, përdor fjalën “how” në vend të “what”.
    -Kur keni ardhur këtu?
    -Një vit më parë.
    -Keni përparuar mirë në gjuhë.
    Kubana buzëqesh e kënaqur, sytë jeshilë bëjnë kontrast me lëkurën xhenxhefil të fytyrës.
    -E kam filluar në Kubë. Fshehurazi.
    -Nuk e mësoni në shkollë?
    -Unë kam mësuar rusisht në shkollë. “Edhe ne deri në fillimin e viteve 70-të”, them me vete. Kur pësoi goditjen e parë në zemër dhe truri filloi të mos furnizohej mirë me oksigjen, në një moment delirant, Neroni lejoi të mësoheshin edhe gjuhët e imperialistëve, përpos atyre të revizionistëve. Megjithatë, një mikun tonë në mesin e viteve 70-të që mbante një fjalor të vjetër në dorë, e ndaloi operativi i lagjes. Në qendrën e qytetit, përpara teatrit Skampa. Për ironi të fatit, i biri i operativit në atë kohë mësonte frëngjisht në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja.
  • Ç’e ke këtë libër të huaj?- E pyeti operativi Sheme Sinani. Me kokë të rrumbullakët, të qethur fare shkurt, ezmer, i shkurtër, me trup të mbushur. Gjithnjë me hap të shpejtë, sikur kërkonte të fshihej nga njerëzia.
  • Fjalor italisht-shqip,- i tha Ilir Mitarja, dhe ia zgjati ta shikojë. Unë dhe Spiro Duni ngrimë në vend. Ishim me biografi “të keqe”, nuk na kishin lejuar të ndiqnim shkollën e lartë.
  • Përse e merr me vete?- Iu kërcënua Shemja.
  • Do të përkthej një këngë.
    Iliri ishte trim. Shemja u xhindos.
  • Ore kush të ka autorizuar të përkthesh këngë ty?
    Iliri qeshi me ironi. Zgjati dorën të marrë fjalorin. Shemja e shtyu me forcë.
  • Të fus atje brenda, ku të përkthesh mirë pasandaj!
  • Shoku Sheme, fjalori nuk është i imi, të lutem, më duhet t’ia kthej të zotit!
    Operativi u tërbua.
  • Merre dhe mos të të shoh më rrugëve me të!
    U larguam të trembur. Djalin e madh të Shemes e kisha të njohur, ishim në të njëjtën shkollë, ai më i rritur se unë dhe sillej mirë me mua. Ishte nxënës studioz, frëngjishten e kishte për zemër. Duhej të kishte marrë nga e ëma që vinte nga një familje e prekur. -Kubana, nëse më lejoni t’iu pyes, si keni ardhur në Amerikë?
    -Me not.
    -Keni përshkuar 105 milje?
    -Jo! Vetëm një milje! Ndoshta më pak.
    Lemë pas Laurelin, i afrohemi unazës së Uashingtonit, kemi edhe një gjysëm ore rrugë për të bërë. Kubana jeton në jug të qytetit Silver Spring. Mbështet kokën te mbajtësja e sediljes. Duket e lodhur, ndeshemi me sy në pasqyrë, buzëqesh. Në autostradë ishte vetëm. Pranë nuk kishte gjë të ndaluar.
    -Të është prishur automobili?
    -Jo, punoj pas autostradës, dilërshipi i Hondës. Më kushton më pak, kur e marr Uberin në autostradë.
    -Punoni në financë?
    -Do të dëshiroja shumë. Punoj në pavionin e shitjes, është punë e mundimshme.
    -Keni shumë aty.
    -Dy muaj.
    “Kohë e mjaftueshme për të mësuar të zezat e shitjes”, thashë me vete. E provova, kur dhashë dorëheqjen nga shërbimi diplomatik në 97-ën, ditën e parë të uzurpimit me armë të zyrës së ministrit të jashtëm nga një komunist. Fillova punë te një dilërship i Tojotës, më i madhi ne dalje të Uashingtonit. Pronë e një iraniani, kishte ardhur në Amerikë në kohën e Shahut, me një thes me para, tregonin punonjësit që kishin vite aty. Mbikëqyrësja e shitjeve ishte një ruse e bukur, e re, plot energji. Muajin e parë të mësonin si të mashtroje viktimën, ashtu e quante blerësin instruktori.
  • Duhet ta bindësh të ulet prapa timonit dhe të bëjë një xhiro.- E fillonte mësimin fshatari i ardhur nga jugu i Italisë. Marko e thërrisnin – mashtrues profesionist.
  • Është vërtetuar shkencërisht; porsa viktima krijon kontaktin e parë me sediljen e shoferit, provon të njëjtën ndjenjë si me një femër që është munduar ta fitojë – për femrën e njëjta gjë, me një mashkull që ka ëndërruar ta shijojë.- Në pamje kishte diçka prej Zorbe, vështirë të kishte lexuar ndonjë libër nga fillimi deri në fund.
  • Shumë e rëndësishme; kur viktima kthehet nga provat në rrugë, duhet t’i flasësh për automobilin gjëra qiellore. Asnjëherë mos u ngut të zësh me gojë çmimin. Atë do ta vendosë, në fillim përgjegjësi, pastaj menaxheri dhe në fund vulën ia ve rusja.- Qeshte me të çjerrë sa të pështjellonte stomakun.
  • Ky proces duhet të zgjasë orë të tëra, viktima lodhet dhe pranon çmimin tonë.
    Shitja e makinave ishte jashtë natyrës sime, u largova pa mbushur muajin e dytë, ndonëse isha në gjendje të rëndë ekonomike. Tani po më vjen keq për Kubanën. -Duhet të jeni notare e mirë.
    -Kam qenë në ekipin e notit që e vogël.
    -Si shpëtuat nga peshkaqenët e Kastros në tokë dhe peshkaqenët e oqeanit në ujë?
    Kubana qesh me zë.
    -Jam nga Varadero, keni dëgjuar për të?
    -Diçka, kur lexoja për jetën e Al Kapones. I kishte pëlqyer shumë, kishte qëndruar atje.
    -Aha, përpara revolucionit. Atëherë ishte ndryshe.
    -Autori e përshkruante si njërin nga plazhet më ekzotikë të Kubës.
    -Revolucioni e shkatërroi, vendasit jetojnë në varfëri ekstreme, ç’do gjë shkon për turistët. Te ne më zi akoma. Popullit thika i kishte vajtur në palcë, propaganda komuniste e paraqiste si vendin, ku njeriu ushqehej më mirë se në të tërë botën. Bile kishin marrë edhe çmim ndërkombëtar. “Eh, ndërkombëtarët tallen, popujt vuajnë”. Them me vete, me zë të ulur. Kubana e dëgjon, ka afruar kokën.
    -Edhe kur menduan të na shpëtonin nga robëria komuniste, nuk ishin seriozë.
    -E keni fjalën për Bay of Pigs.
    -Po, komunistët mburren edhe sot që s’kanë të hanë.
  • E mundëm Amerikën,- thonë.
  • Po të guxojnë të vijë, prapë e mundim. Më keq akoma.
  • Janë të çmendur.- Më shikon në pasqyrë.
    Fjalët e kësaj vajze të bukur, nga një vend ekzotik, bekuar nga Perëndia, më lëndojnë shumë. E kam lexuar me vëmendje “Bay of Pigs”. Autori e quan “Histori e patreguar”. Në treqind e pesëdhjetë faqe jepet në mënyrë të detajuar operacioni i dështuar. “Historia përsëritet, por pa Fillbin”, i them vetes me dhimbje. Heronjtë antikomunistë sakrifikohen. “Jemi pranë Zotit”, thoshte miku im Petro Zheji. “Ata të tjerët jane me Djallin”. Kishte të drejtë, Djalli nuk mposhtet dot. -Atë natë s’fjetëm. Herët në mëngjes po bëhej gati. Kujdesej edhe për mua.
    -Po të lë kutinë e qumështit.- Tha.
    -Fute në çantë, do jemi bashkë sot.
    Kubanës i dridhet zëri.
    -Në hotel janë larguar turistët, të tjerët vijne të martën. Më kërkuan ta bëj pushim.
    -Këtë të kishe thënë të parën.
    -Kërceu në krevat dhe më mbuloi me të puthura.
    Pa e pyetur vazhdon të tregojë.
    -Peshkarexha largohej nga bregu duke gulçuar. Në këmbë, brenda kabinës mbuluar me tendë, drejtonte timonin Ernesto. Motorrit i kishin bërë rimont, ndërsa ai e kishte lyer me bojë, vetë; pjesën e kuvertës dhe kabinës, me jeshile të çelur, trupin me të bardhë, ndërsa fundin deri te vija ku ngjitej uji, me ngjyrë deti. I kishte ndërruar emrin, s’e kishin pranuar në fillim. Kishte ngulur këmbë.
  • Kubana, është jeta ime.- U kishte thënë.
    Vajzës i merret zëri, e mbysin lotët.
    Po i afrohemi daljes 30, për në qendrën e Silver Springut. Mendoj të ndërroj bisedë.
    -E ja tani jeni këtu, të rinj. Amerikë. Vetëm qiellin keni kufi.
    Fshin lotët. Vrenjtet në fytyrë. Më shikon me sy dyshues.
    -Ishim larguar shumë. Bregu nuk dukej më. Ernesto ishte i organizuar në parti, i besuari tyre, kishte peshkuar deri pranë Ngushticës së Floridës edhe herë të tjera. Atje kishte gjetur sapunin…
    “Qenkan nga ata të zhgënjyerit”, mendoj me vete. Po më shuhet kurioziteti të mësoja si kanë ardhur.
    -Nuk kishim folur për të ikur. I druhesha.
    Duket zemërthyer.
    -Lidhi timonin dhe vajti te kiçi. Përpara kabinës mbante rrjetën dhe dy kosha hekuri.
    Fjalët i gjen me vështirësi.
    -Kërceva në ujë. Më ndiq i thashë. Ai qeshte.
    -Jo këtu Kubana, do të na kapin!
    -Vazhdova të notoj drejt veriut, ëndërrës sime. Po të më dojë vërtet do të më ndjekë, i thashë vetes. Në fillim Ernesto e mori me shaka, por kur pa se unë notoja shpejt dhe thelloja distancën nga barka, ndezi motorrin dhe mu afrua.
    -Kubana! Ndalo! Rojet bregdetare nuk janë larg, hip në barkë!
    -Ernesto do të ndaloj, kur të kaloj kufirin!
    -Të shtypa me varkë po vazhdove!
    -U afrua, sytë i ishin çakërruar, ngriti lopatën me njërën dorë, me tjetrën mbante timonin.
    -Do të godas, i dëgjon motorrët e silëruesit katërsh.
    U drodha, e kisha dëgjuar emrin e këtij përbindëshi kohë më parë. Ruante burgun e madh, Shqipërinë Socialiste. Të mos i shpëtonin skllevërit – një popull i tërë i mbyllur me tela me gjemba.
    -Notoja pa kthyer kokën. Ai kishte ndaluar, të më mbronte. Po më përsëritej skena, m’u njomën sytë, nuk po mundja të shquaja rrugën. Një mik piktor, Avni Delvina, e ka hedhur në telajo heroizmin e mikut tim të ngushtë Klement Islamit. Notonte drejt lirisë bashkë me motrat heroina, Isabelën dhe Zamirën. Silëruesi katërsh e goditi. Motrat shpëtuan. Një turist italian i gjeti në mes të detit.

-Dëgjova të shtëna, breshëri, notoja si e marrë. Erneston e …- Nuk vazhdon dot. Mbytet në lot.
Kubanës i kishte ardhur në mbrojtje U.S. Coast Guard.

Ndalojmë pa hyrë në qendrën e Silver Springut. Punohet në rrugë. Kubana ka mbështetur kokën në sedilje, fshin sytë. Buzët i rrudhen nga dënesa.
-Nuk të pyeta, çfarë pune bëje në Varadero?
-Balerinë, pjesë e grupit të baletit të qytetit. Jepnim shfaqje për turistët e huaj. Kam mbaruar shkollën e baletit.- Çelet në ftyrë.
“O Zot”, them me vete. “Ka sakrifikuar jetën, ka humbur të dashurin, ka shkelur me këmbë artin, të vijë të punojë shitëse automobilësh në Laurel”!
-Kubana, ke provuar të kërkosh punë në qendrat e artit? Uashingtoni ka shumë të tilla?
-Po, por pa sukses. Prandaj nuk qëndrova në Florida. Por ja, vetëm dilërshipi i Hondas më ofroi punë.
-Jemi pranë Teatrit Fillmore. Këtu japin koncerte këngëtarë nga e gjithë bota, në sfond vajza të reja si ti, vallzojnë. Shoqërojnë këngëtarët. Unë do të të pres jashtë. Uberin do ta mbyll, s’ke për të paguar për pritjen. Tregoju cila je dhe kërko të të provojnë. Në Amerikë duhet të thuash, këtë punë di ta bëj unë më mirë se të tjerat dhe të provojnë.
I shkëlqejnë sytë. Del jashtë me nxitim. Te hyrja flet me punonjësin e sigurisë. Ai e shikon plot admirim. E le të futet brenda. Filloj t’i lutem Perëndisë ta pranojnë. Minutat kalojnë, mua më duken orë. Dhe ja Kubana del duke vrapuar.
-Mos më prit! Më thanë do të më provojnë.
Dal jashtë Priusit dhe e përqafoj me dashuri prindërore.

Share: