Home Gjeo-Ekonomia Mësimi i perseritur që vjen nga Strasburgu!

Mësimi i perseritur që vjen nga Strasburgu!

Nga Irena Beqiraj

Ndërsa këtë mëngjes, flisja me nënën time (ish-pronare), e cila ishte shumë e zhgënjuer nga përgjigja që kishte kthyer Gjykata e Strasburgut mbi ligjin e pronave, mu kujtua biseda e Alan Greenspan (ish Kryetar i FED- SHBA) me Ministrin e Financave dhe ish- Kryeministrin e Japonisë Kiichi Miyazawa në vitin 2000.

Në librin e tij Epokave e Trazirave, Greenspan tregon për takimin me të. Gjatë takimit i kishte shpjeguar ristrukturimin e 750 shoqërive të falimentuara të kursim kreditit në Amerikë. Greenspan-i u përpoq t’i ofronte mikut të tij një strategji për “të pastruar raftet” dhe për të ringjallëruar tregun e kredisë.

Pasi e dëgjoi me vëmendje leksionin e Greenspan-it, Miyazawa buzëqëshi dhe me mirësjellje i kthehet : “ Alan, ju e analizuat problemin e bankave tona me mprehtësinë të madhe, por zgjidhja që ju propozoni nuk bën për Japoninë . Shpallja e falimentimit duhet evituar patjetër.” Të falimentoje të gjithë ata që nuk ishin në gjendje të paguanin borxhet, ishte tërësisht kundër kulturës japoneze, sipas të cilës është e papranueshme të cilësosh dikë “të dështuar”.

Ishte pikërisht, fuqia e padukshme e këtij elementi të kulturës , e cila shtyu japonezët të pranonin një stanjacion ekonomik të pabesueshëm afatgjatë. E pranuan atë pikërisht për të evituar poshtërimin masiv të shumë kompanive dhe individëve në vendin e tyre . Kulturës së “ Ruajtjes së fytyrës” nuk kishte teori ekonomike apo teori të drejtës, që mund ti dilte përpara.

U mundova ti shjegoj nënës time, një gruaje luftarake në debat, pikërisht që rrënjet e problemeve apo edhe e zgjidhjeve janë tek kultura. Kulturën nuk ka gjykatë ndërkombëtare që mund ta imponojë.

Cfarë presim të bëj Strasburgu , kur ne vet nuk shqetësohemi e as e prishim terezinë, kur dikush qoftë ky individ apo shtet prek të drejtën e pronës. Ndërtuam më shumë 355 mijë ndërtime pa leje, kryesisht në prona që nuk i posedonimin.

Së fundi, duartrokitëm kur shteti në emër të mbrojtes të biznesit të vogël, pa asnjë të drejtë vendosi se sa e se kur, do të paguhet qiraja, e cila është një e ardhur që rrjedh direkt nga e drejta e pronësisë dhe marrëveshjes midis dy palëve. Sikurse nuk na bëri përshtypje që po i njëjti shtet vendosi që biznesi i vogël , të mos paguante konsumin real (kuptohet më të vogël) të enerëgjisë elektrike por të paguante një faturë që bazohej mbi konsumin e marsit i kaluar, kur puna vazhdonte normalisht.

Cfarë presim ne të bëj Stasburgu, kur narativat populiste të pushtetarëve gjatë kësaj pandemie, ishin dukëshm të bazuara në “ndjesinë popullore” të të kqijave që i kanë ardhur kësaj shoqërie nga biznesi dhe prona private?

Për më tej, a e kemi kuptuar ndonjëherë mjerimin e pamundësisë për ti përcaktuar vet të drejtat dhe zgjidhjet e problemeve tona? Vazhdojmë t’ju drejtohemi Abasadorëve, Kancelarive Ndërkombëtare, Komisioneve të Eksperteve, të na mësojnë si të lexojmë dhe interpretojmë Kushtetutën, ligjet tona, të na tregojnë si të marrim vendimet apo si të zgjidhim konfliktet.

Herë të bezdisur e herë lumturisht të “gjetur në punë“ , njësoj si tek fabula e mjekut me peshkatarin, na kanë mjekuar plagën por asnjehërë (dhe as nuk duhet ta presim) nuk do të mund të heqin “halën” e cila vazhdon të mbajë të hapur plagën tonë.

Si presim, kë presim, të ndryshojnë gjendjen tonë? Rrënja e problemeve tona me të drejtat (kuptohet dhe me pronën) mbeshtetet tek mentaliteti i heshtjes, mos pjesëmarrjes, bazohet në mendësinë se vetëm gjërat që na përkasin duhet të na interesojë.

Sa hërë nëna ime intelektuale është bashkuar, ka ngritur zërin, për një kauzë të drejtë edhe pse nuk i përkiste? Nuk më jepte dot asnjë rast , me justifikimin se ndihej e pafuqishme.

Pikërisht Justifikimi “që nuk bëjmë dot gjë” është edhe më i dëmshëm, sepse jo vetëm ushqen ankesat tona të zhurmshme , por imponon pa-mudnësinë tonë, duke na shtyrë drejt pritjeve të provuara të gabuara, që dikush tjetër, një forcë e tretë madhore patjetër do të kujdeset të sigurojë drejtësinë e nevojshme ndër nesh, ndërkohë që ne jemi të zënë me cështje tërësisht vetëm personale.

Mbi parimin e “sigurimit vetëm të interesave personale” kemi harruar e kemi varrosur kurajon qytetare. Biles dhe më keq, cdo gjë në këtë shoqëri gjykohet nën lentet e interesit të ngushtë personal. Besoj jo pak herë kemi paragjykuar njërzit që kanë folur apo kanë rebeluar, kundështuar në punë, parti, organizatë apo shoqëri. Biles nuk kemi nguruar ti quajmë të inatosur, apo të zhbirilojmë dhe të mbushim opinionin publik me lloj lloj tezash se reagimi i tij /i saj, patjetër vjen për shkak të interesave personalë, duke anashkaluar kështu thelbin e asaj që duhet të na shqetësojë ,kauzën për të cilin ai /ajo flet.

Eshtë pikërisht ky mentalitet që nuk na lejon të bashkohemi, të pozicionohemi, për cështje që janë të drejta, duke e humbur drejtësinë një herë e mirë ose naivisht duke e pritur që ajo të na dhurohet nga të tretët. Asgjë nuk dhurohet cdo gjë fitohet. Nga ky ligj nuk bën përjashtim edhe drejtësia.

Mësimi që vjen nga Strasburgu është i përsëritur për ne. Të pa zotët për ta përvetësuar jemi në kërkim të një zoti, perëndie ambasade apo gjykate që të na e imponojë.

Nuk do ta gjëjmë kurrë një të tillë, e dashur nënë.

Share: