Home KRYESORE Përse heshti politika sot, ndaj akuzave të presidentit?

Përse heshti politika sot, ndaj akuzave të presidentit?

Nga Manjola Bregasi

Vetëm pak ditë më parë një publikim i Ambasadores Amerikane në rrjetet sociale ngriti pikëpyetje dhe dyshime lidhur me procesin e reformës në drejtësi.

“Shpresoj që të mos ketë një marrëveshje të fshehtë për të vrarë Reformën në Drejtësi”, shkruante Ambasadorja Yuri Kim. Por të tjera pikëpyetje i shtoi kësaj deklarate, një intervistë e presidentit të vendit Ilir Meta në “Opinion”.

Me tone të larta dhe jo pa emocion, presidenti adresoi një sërë problematikash, për të mos thënë akuzash ndaj politikës shqiptare, por edhe ndaj ndërkombëtarëve të përfshirë në procesin e reformës në drejtësi.

Ilir Meta nuk i kurseu tonet as për Ambasadoren Amerikane Kim, as për Kryeministrin Rama, as për ndërkombëtarët e madje as për opozitën, pjesë e së cilës është edhe LSI. “Ambasadorja vetëm për Ilir Metën s’mund ta ketë”, u shpreh mbrëmë Presidenti, ndërsa tha se aktorë të reformës në drejtësi janë mazhoranca dhe opozita. E duke llogaritur faktin, që tashmë opozita është jashtë parlamentit, për Metën reforma në drejtësi në Shqipëri ka përgjegjës konkretë.

Duke folur për ndërkombëtarë të bërë palë me Ramën, për lobim serb në Uashington apo për skenarë trazirash, Presidenti publikoi edhe mesazhin e një diplomati, që pohonte se Kryeministri kishte ndërhyrë deri në emërimin dhe bllokimin e kandidatëve në listat e KED.

E ndërsa Reforma në Drejtësi e konsideruar si kali i betejës, duket se po vishet me tis dyshimi, heshtja shoqëroi deklaratat e një nate më parë të presidentit, duke lënë sërish pikëpyetje:

A ka vërtet një “marrëveshje të fshehtë për të vrarë Reformën në Drejtësi”, sikurse shkruante ambasadorja Kim? A ka vërtet palë që nuk e duan reformën? Kush po e vret atë? A ka ndërhyrë politika në procesin e reformës në drejtësi? A janë mesazhet e publikuara nga Ilir Meta, një provë se reforma në drejtësi, ka dështuar? A janë ndërkombëtarët përgjegjës në këtë histori? A janë këto pyetje të ngritura nga presidenti, argumenta që kërkonin sot një përgjigje apo reagim? Cili është roli i politikës në gjithë këtë histori dhe përse ajo heshti sot?/Opinion.al

Share: