Lulzim Basha ka dalë sot përkrah ambasadores Kim për të shpallur një tjetër “vijë të kuqe”që i ka vënë Edi Ramës: përfundimin e reformës zgjedhore brenda majit. Me triumfin e shtirë të atij që ngre lart trofeun e një fitoreje që nuk hyn në punë, ai është përpjekur ta shesë këtë si sukses të tij.
Ndonëse s’ka mbetur shqiptar pa e kuptuar se me përdhunimin e ligjeve që u pa te Teatri Kombëtar, me kapjen e drejtësisë me mbështetje ndërkombëtare, me policë banditë që torturojnë protestuesit pa numër identifikimi, pa asnjë të dënuar, qoftë për vjedhjet masive, qoftë për grabitjen e votës, nuk mund të ketë zgjedhje të pranushme (jo të lira e të ndershme, por thjesht të pranueshme), Lulzim Basha i gëzohej datës që kishte caktuar vetë.
Por bilanci i vërtetë i kësaj “fitoreje” bëhet vetëm po të krahasohet me aspiratat që përligjën momentin e djegjes së mandateve.
Atëherë u tha se do të kërkohej një ‘Republikë e Re’, një ndryshim tërësor i sistemit, që t’i jepej më shumë peshë qytetarit në raport me kryetarët e përjetshëm të partive.
Pikërisht për këtë, pasi hodhi bomba me molotov mbi Kryeministrinë dhe Parlamentin opozita e bashkuar doli me një platformë me dhjetë pika në fillim të majit 2019. Që atëherë Lapsi.al e quajti këtë një platformë të mangët dhe minimaliste, e cila nuk i zgjidhte problemet e mëdha të regjimit të instaluar në vend. Por po të krahasohet me derexhenë ku kanë përfunduar sot kërkesat e PD dhe aleatëve, ajo ishte ku e ku më e avancuar. Ajo kërkonte në thelb një qeveri tranzitore e cila do të realizonte: Goditjen e grabitësve të votës, ndëshkimin e politikanëve të lidhur me krimin, ndalimin e PPP dhe Koncesioneve etj (linku poshtë platforma e plotë).
Lexo më tej:
Dhjetë propozimet e opozitës për qeverinë tranzitore
Jo vetëm asgjë nga këto nuk u mor parasysh, por Edi Rama zhvilloi edhe zgjedhjet e vetme moniste në këto tre dekada, të cilat ashtu sikurse u pa, u bënë copë nga Raporti i OSBE-ODHIR-it.
Andi Bushati:Raporti i ODHIR, si pasqyrë e rregjimit që po instalohet
Si për çudi, megjithëse situata demokratike pas 30 qershorit u përkeqësua, opozita filloi të sillej më shumë si pulë. Mitingjet e premtuara u ndërprenë në favor të tryezave, ku liderët opozitarë dialogonin me vetveten. Prej këtyre bashkëbisedimeve shterpë lindi edhe një platformë e dytë, këtë herë me 5 pika, ajo e tetorit 2019. Edhe kur ajo u shpall, Lapsi.al artikuloi kritika për pamjaftueshmërinë e saj, megjithëse e parë nga sot….ajo duket krejt e paarritshme.
Aty bëhej fjalë për reformën zgjedhore, e cila sipas “vijave të kuqe” që i sheh vetëm Basha, nuk duhej të bëhej as me njerëz si Gjiknuri të dalë në përgjimet e ‘Bild’, as me deputete si Rudina Hajdari, që përfaqsonin një opozitë të falsifikuar.
Mbi të gjitha aty theksohej se në kushtet e një parlamenti ilegjitim, kjo reformë duhej miratuar me pjesmarrjen e votës popullore, pra me referendum (poshtë platforma e plotë).
Reforma zgjedhore/ Opozita vendos kushte për votën
Sot, Këshilli Politik që u krijua më pas, jo vetëm ka në përbërje Damianin dhe Rudinën, por aty as nuk përmendet më leva demokratike e votimit në popull.
Edhe njëherë sa më brutal, arrogant dhe barabar, siç e quajti së fundi «Le Monde » tregohej Rama, aq më si dele sillej Basha.
Kulmi u arrit se pakti për Këshillin Politik, mbiu befasisht një ditë, pikërisht fiks atëherë kur i duhej kryeministrit për imazhin e tij ndërkombëtar :para konferencës së donatorëve dhe para hapjes së negociatave.
E njëjta fabul po përsëritet, sërish edhe tani pas rënies të vijës së fundit të kuqe, shembjes talebane të Teatrit Kombëtar, duke nëpërkëmbur çdo ligj dhe shpërfaqur një fytyrë diktatoriale në kohë pandemie.
Pikërisht në këtë moment, kur kjo dhunë e pashmebullt shtetërore, as dhe në ëndrrën më të çartur nuk të lë të imagjinosh për zgjedhje normale, Lulzim Basha po i gëzohet faktit se po përmbyll reformën zgjedhore.
Shiheni edhe njëherë bilancin e tij: kërkoi dënimin e grabitësve të votës. Më kot!
Kërkoi ndëshkimin e politikanëve të lidhur me krimin. Më kot!
Kërkoi ndërprerjen e financimit të regjimit nga oligarkët me të cilët ndan Koncesionet dhe PPP. Më kot !
Kërkoi tryezë pa Gjiknurin dhe Hajdarin. Më kot !
Kërkoi referendum popullor. Më kot !
Dhe pas të gjitha këtyre del e pozon i qeshur përkrah Yuri Kim duke e çuar opozitën drejt zgjedhjeve si cjapi tek kasapi. /lAPSI.AL