Home KRYESORE Sekretet e TIMS-it të fikur, policia pohon: Sistemi jofunksional, mister hyrje- daljet

Sekretet e TIMS-it të fikur, policia pohon: Sistemi jofunksional, mister hyrje- daljet

Po, sistemi TIMS nuk ka funksionuar ! Policia e Shtetit pranon se ka pasur një defekt dhe kontrolli nuk ka qenë funksional, por ajo që mundohet të reduktojë institucioni përgjegjës, është koha në të cilën ka ndodhur, duke e emërtuar thjesht kohë të shkurtër brenda datës 23 maj 2020.

Në njoftimin e Policisë së Shtetit, nuk lajmërohet ora e saktë e ndodhjes, as koha e saktë e mosfunksionit, as të dhëna të tjera sqaruese, nëse bashkë me sistemin TIMS, ka rënë dhe sistemi RIMS, (sistemi për menaxhimin e burimeve të informacionit), ku teknikisht kanë një lidhje harmonike mes tyre. Nuk gjejmë në të dhënat e publikuara nga Policia e Shtetit përgjigje për shumë pyetje të lidhura me ngjarjen dhe me të tjera ngjarje të mundshme të ndodhura, si pasojë e këtij të quajturi defekt, të cilat duhet të jenë të shënuara në procesverbalet përkatëse.

Kush e solli defektin që më pas shkaktoi mungesë të energjisë elektrike? A kishte sistemi më i rëndësishëm i kontrollit të sigurisë në vend, “ups” për mbajtjen në funksion të TIMS-it, në episode emergjence, që parashikojnë ndër të tjera edhe mungesën e energjisë për një periudhë të caktuar kohore?

Me nxitimin e saj, policia na bën të ditur se nuk paska pasur ushqyes, (ups), as gjeneratorë, të cilët bëjnë të mundur mosrënien e sistemit, apo  defektuesi ka qenë në gjendje të nxjerrë jashtë përdorimit njëherësh të gjitha, çdo linjë të mundshme të mbajatjes në punë të pajisjeve, duke e lënë lakuriq mundësinë e reagimit ?

A ka Policia në librat e saj të shërbimit, shpjegime rreth asaj që ka ndodhur, personat që kanë bërë verifikimet ? A ka ajo një tjetër inventar profesional, se kush janë kujdestarët e mirëmbajtjes së sistemit? A kanë qenë ata në krye të detyrës dhe ata që kanë qenë present, sa mundësi kanë pasur të bëjnë riparimet, pa thirrur ekspertë të tjerë dhe nëse po, si ka ndodhur?

A ka një kompani të huaj, e cila ka një kontratë me Minsitrinë e Brendshme, me Policinë e Shtetit, e cila duhej të ndërhynte sipas kontratës për mirëmbajtjen në raste defektesh, të cilat cenojnë funksionimin?

A ka pasur një përpjekje për një ujdi të re dhe nuk është mundësuar?

Në atë kohë të dalë jashtë përdorimit sistemi TIMS,  çfarë ka ndodhur në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe në strukturat e tjera të Policisë së Shtetit ku policia pretendon se nuk ka pasur asnjë hyrje-dalje dhe nuk ka lëvizur asnjë person? Ku është bërë ky kontroll dhe sa shkresor është informacioni i marrë nga pikat e kalimit të kufirit, për të provuar heshtjen e lëvizjes ?

Policia e Shtetit, ka saktësuar se bëhet regjistrimi manual i personave në çdo rast që sistemi mund të shfaqë probleme, duke bërë verifikim të thelluar të të dhënave, e kjo mund të ketë pamundësuar dhe ndonjë keqpërdorje të kësaj situate, ku përfitues mund të jenë keqbërësit, trafikantët, terroristët./ShijakTv

PS: Perqasje.com mbetet e hapur për publikimin e përgjigjes autoriteteve të përmëndura në këtë artikull të BoldNews!

Share: