Home KRYESORE Teatri Kombëtar, një ngjarje që duhet të kthehet në datë.

Teatri Kombëtar, një ngjarje që duhet të kthehet në datë.

Nga Elona Caslli

Beteja mbi Teatrin Kombëtar është një betejë që zgjat prej dy dekadash.

Do të ishte vetë Rama, që do të pohonte faktin se nisma e tij për ta shembur Teatrin Kombëtar daton që nga viti 1999.

Nëse hipoteza e Ramës nuk është shndërruar në fakt gjatë dy dekadave, është falë individëve kokëfortë që janë vendosur në anën e duhur të historisë.

Që të vendosesh në anën e duhur të historisë, nuk mjafton veç dëshira. Duhet një kokëfortësi e caktuar, që zakonisht është produkt i një karakteri të fortë, i cili është i gatshëm të paguajë edhe faturat e hidhura që provokon kundërshtia ndaj pushtetit. Këmbëngulja e së shkuarës na mundëson qëndresën në të tashmen.

Ngjarja e Teatrit Kombëtar duhet të kthehet në datë, në historinë e Shqipërisë, jo vetëm për nga kohëzgjatja, por edhe nga përbërja që mbart si ngjarje.

Kemi gjithmonë të njëjtin individ, Ramën, që synon të shkatërrojë të njëjtin teatër.

Dhe Teatri Kombëtar duket se ka qenë e vetmja ngjarje, që i ka treguar vendin, Kryebashkiakut, Ministrit të Kulturës dhe së fundmi Kryemimistrit.

Thonë se arti e shtyp dhunën dhe historia e Teatrit Kombëtar e përligj më së miri këtë thënie.

Protesta e Teatrit Kombëtar duhet të përmbyllet me restaurimin e këtij të fundit për disa arsye;

Nuk restaurohet vetëm Teatri Kombëtar. Restaurohet edhe ndjesia e dinjitetit qytetar në këtë vend.

Restaurohet edhe qëndrimi dhe përgjegjësia jonë ndaj trashëgimisë kulturore dhe mbi të gjitha restaurohet marrëdhënia jonë me të drejtën.

Teatri Kombëtar duhet të kthehet në datë, për të aktivizuar shqisën e protestës në shoqërinë shqiptare.

Kjo datë duhet të shërbejë për të githë ne, si impuls për të kërkuar të drejtën tonë kurdo dhe kudo.

Protesta është shqisa më e vyer në trupin e një shoqërie.

Të gjithë ne, duhet ta aktivizojmë këtë shqisë, pasi me reagimin tonë sot, i japim një mesazh jo vetëm Kryeministrit në detyrë, por kujtdo që do ta zëvendësojë këtë të fundit.

Shndërrimi në datë i Teatrit Kombëtar është në dorën time, është në dorën tënde, është në dorën e të gjithë shqiptarëve që duan dhe dëshirojnë të krijojnë një marrëdhënie të drejtë me vetë të drejtën.

Post Scriptum- Unë besoj tek qytetarët e vendit tim.

Elona Caslli

Share: