Nga Kastriot Dervishi, 55News.al
Në foto Avni Rustemi fill pas kryerjes së krimit, i rrahur nga qytetarët francezë që panë skenën e ngjarjes
Esat Toptani në vitet 1912-1913 ishte figura kryesore që mbrojti Shkodrën dhe mundësoi që ajo t’i mbetej Shqipërisë. Arriti ta mbrojë përtej datës 22 mars 1913, ditë kur në Londër u caktua kufiri verior i Shqipërisë. Ai ishte ministër i Punëve të Brendshme në vitet 1913 dhe 1914 si dhe kryeministër në vitet 1914-1916. U radhit në krah të Antantës dhe ishte i vetmi fitues lufte që nuk u kthye në pushtet.
Gjatë zhvillimeve të konferencës në paqes në Paris në vitin 1919, Esat Toptani u takua me presidentin amerikan Wilson, të cilit i shprehu pikëpamjen e tij politike, duke kërkuar mandat amerikan mbi Shqipërinë dhe garantimin e të paktën territorit të asaj që ishte vendosur në Londër në vitin 1913. Në përkujtesat e kësaj kohe, ai thekson se ishte i vetmi aleat i Antantës i cili kishte pësuar humbje në vlerën e 10 milionë frangave ari, nuk ishte kompensuar dhe nuk ishte në pushtet. Në fillim të vitit 1920, Esati, ndryshe nga viti 1914, ishte kundër Italisë. Për këtë arsye përkrahu kongresin e Lushnjës dhe caktoi delegatët e Tiranës atje. Kongresin e motivoi dhe organizoi konsulli britanik Eden. Ai ktheu klasën politike humbëse proaustrikake (e përfaqësuar nga armiqtë politikë më të mëdhenj të Esatit) në klasë probritanike, por që do të qeverisnin pa pretendime Shqipërinë e vitit 1913. Esati dhe pala tjetër, lidhën formalisht një koalicion të përkohshëm e të pasinqertë midis tyre që frymëzohej nga ndjenja antiitaliane. Pas mbarimit të kongresit, regjentët dhe ministrat u vendosën në Tiranë, duke mos e menduar në asnjë rrethanë kthimin e Esatit. I ndjerë i fyer dhe i papërfillur disafish, Esati kërkonte të bëhej protagonist në Shqipëri. Për këtë arsye, nxiti lëvizjen e besnikut të tij Osman Balit për të ushtruar trysni ndaj qeverisë së Tiranës, për ta përfshirë atë në politikë, si regjent apo si kryeministër. Deri ku do shkonte me siguri lëvizja e Balit, kjo nuk dihet. Përpjekja e tij ishte e armatosur, por nuk vrau njeri. Ishte një mjet presioni ndaj qeverisë. Më 20.3.1920 Osman Bali me një fuqi të armatosur, i bëri presin qeverisë që të hynte në bisedime me Esatin. Ky kundërveprim sa politik, aq edhe luftarak i Esatit dhe mbështetëseve të tij, duket se e gjeti të papërgatitur qeverinë e Tiranës, përballë së cilës ngelej alternativa të mbështeste Esatin apo të shtypte protestën. Kthimi i Esatit do të ishte fundi i karrierës për shumë politikanë. Më 8.4.1920, në parlament, deputetët e Durrësit: Veli Kraja dhe Ymer Shijaku, kërkuan që Esati të ftohej në Shqipëri. Në vijim, më 15.4.1920, në pamundësi për të përballuar forcat proesatiste, parlamenti vendosi dërgimin e një delegacioni në Paris për bisedime me Esatin, të përbërë nga imzot Gjergj Koleci, Ymer Deliallisi, Fuat Toptani dhe Bajram Fevziu, shpërndarjen e popullit ditën e bërjes së ditur të kësaj deklarate, falje për ata që morën pjesë në kryengritje dhe dënimin e të pabindurve. Komisioni parlamentar dhe njerëzit e Esatit, si një dërgatë unike u nisën për në Francë, duke kaluar nga Roma. Në maj 1920 Avni Rustemi gjendej në Itali ku bënte një jetë të vështirë. Ai u paraqit te përfaqësia shqiptare në Romë që në atë kohë drejtohej nga Tefik Mborja. U deklaroi se merrte përsipër vrasjen kundrejt pagesës. Anëtari i delegacionit i Bajram Fevziut i shkroi Xhavit Leskovikut në Tiranë, letër të cilën e solli vetë Avni Rustemi porsa mbërriti më 5.5.1920. për disa ditë, Avni Rustemi do thurte me detaje planin e vrasjes në bashkëpunim me zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar të asokohe.
Të pushtuar nga një ndjenjë deliri, esatistët qëndruan në pritje të vendosjes së fatit të prijësit të tyre, të cilin e prisnin dita – ditës të vinte në Shqipëri. Edhe Esati ishte në delir, madje duke shpërfillur çdo masë sigurie. Ndërkohë, më 30.5.1920 qeveria e Tiranës zgjodhi Bajram Currin në krye të një force që do shtypte esatitët. Pas dy javësh qëndrimi, më 21.5.1920 Avni Rustemi u largua nga Shqipëria. Më 31.5.1920 mbërrin në Paris, vendos lidhje me delegacionin shqiptar në konferencën e paqes dhe më 13.6.1920 vret Esat Toptanin. Në fillim të planit ai takon sekretarin e Esatit, Gjergj Goga, gjoja për ta ndihmuar për një shkollë normale. Ky variant duhej për të motivuar arsyen kur të gjendej pranë Esatit dhe për të shmangur akuzën e vrasjes me paramendim . Ditën e vrasjes Esati del me nipin Xhemil Vlora dhe të dashurën nga hoteli. Esati është kthyer prapa për të marrë diçka. Xhemili dhe gruaja prisnin në makinë. Rustemi e qëlloi dy herë pas shpie Esatin me një armë të markës “Smith Uesen”. Deshi ta zbrazte të gjithë, por arma iu bllokua. Qytetarët e atyshëm e kanë kapur, rrahur dhe lidhur. Autopsia provoi se Esat Toptani i rënë përmbys dhe me sy fort të hapur, kishte marrë 2 plumba. Të parin në pjesën e ulët të kraharorit në drejtim të supit të djathtë, i gjendur brenda jelekut të Esatit. Plumbi i dytë kishte prekur në çastin kur ai me krah të majtë po përpiqej të mbrohej dhe ka përshkruar në të dy anët mëngën e xhaketës, duke u futur në nivelin e gropës së sqetullës së majtë, duke kaluar mushkërinë, në të njëjtën anë dhe duke zënë vend në krah të djathtë.
Xhemil Vlora shprehej në hetuesi se vrasësi nuk ishte i panjohur për të, se e dinte që Avni Rustemi kishte qenë dikur në shërbim të policisë osmane të Stambollit për të kaluar më pas në shërbim të qeverisë shqiptare të Tiranës. Për këtë ai shprehej si ishte gati të ballafaqohej me Avni Rustemin e t’ia thoshte këto gjëra në sy atij. Në hetuesinë e tij, menjëherë pas vrasjes, Avni Rustemi nuk thotë asnjë fjalë për “tradhti”, “shitje”, apo “marrëveshje”, por e akuzon Esatin për “mizori në Shqipëri”. Pas vrasjes, qeveria shtypi forcat e Osman Balit me forcë. Nëse nuk do kishte ndodhur revolta e Osman Balit dhe Esat Toptani nuk do pretendonte pushtet fituesi, vrasja e tij nuk do ndodhte.
***
Pjesë nga hetuesia e Avni Rustemit menjëherë pas vrasje
Pyetje: Pse e kreve këtë akt?
Përgjigje: Pashë gjeneralin që po dilte me një qëndrim kaq kryelartë, saqë u emocionova, duke m’u kujtuar mizoritë që kishte bërë ai në Shqipëri. Lexova mbi ballin e tij fatkeqësitë e Shqipërisë dhe u impresionova aq tepër, sa nuk dija ç’të beja. Shtiva kundër tij për të gjitha këto arsye.
Pyetje: E keni pritur, pra, gjeneralin?
Përgjigje: Jo zotëri. Vajta në portën e hotelit “Kontinental” nga ora 12.30, për të pritur një bashkatdhetar që nuk i di veçse emrin, Gjergj, e që ishte sekretar pranë gjeneralit. Desha t’i kërkoja këtij adresën e një bashkatdhetari Zef Ashiku. U njoha me Gjergjin në ekspozitën shqiptare që u hap prej disa ditësh në rrugën “La Boesi”.
Pyetje: Pse e kreve këtë akt?
Përgjigje: Pashë gjeneralin që po dilte me një qëndrim kaq kryelartë, saqë u emocionova, duke m’u kujtuar mizoritë që kishte bërë ai në Shqipëri. Lexova mbi ballin e tij fatkeqësitë e Shqipërisë dhe u impresionova aq tepër, sa nuk dija ç’të bëja. Shtiva kundër tij për të gjitha këto arsye.
Pyetje: E keni pritur, pra, gjeneralin?
***
Skedë kohore e vrasjes së Esat Toptanit
-20.3.1920, nis revolta e Osman Balit
-15.4.1920, parlamenti cakton grupin negociator me Esatin
-5.5.1920, Avni Rustemi vjen nga Italia dhe zbret në Durrës
-21.5.1920, Avni Rustemi niset nga Durrësi në Itali
-30.5.1920, parlamenti cakton Bajram Currin komandant kundër esatistëve
-31.5.1920, Avni Rustemi mbërrin në Francë
-2.6.1920, Avni Rustemi takon delegacionin shqiptar në Paris
-4.6.1920, Avni Rustemi takon sekretarin e Esatit, Gjergj Goga
-13.6.1920, Avni Rustemi vret Esat Toptanin.