Home KRYESORE Akuzat ndaj Thaçit dhe Veselit, BE: Besojmë tek puna e Gjykatës Speciale

Akuzat ndaj Thaçit dhe Veselit, BE: Besojmë tek puna e Gjykatës Speciale

Bashkimi Evropian ka thënë se është “mbështetës i fortë i punës” së Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë Speciale, sepse ato janë “dëshmi e rëndësishme e përkushtimit të Kosovës ndaj sundimit të ligjit”, i cili njëherësh është element kryesor i rrugës së Kosovës në BE.

Përmes një reagimi zyrtar, BE-ja ka thënë se nuk komenton procedurat e Zyrës së Prokurorit Special dhe Dhomave të Specializuara, sa u përket punës së tyre, dhe se këto çështje duhet të adresohen te këto mekanizma.

“Është shumë e rëndësishme që Zyra e Prokurorit Special dhe Dhomave të Specializuara të vazhdojnë të bëjnë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje”, është thënë mes tjerash në reagim.

Ky reagim vjen pas njoftimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të mërkurën se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.​

Në aktakuzën me dhjetë pika për shqyrtim, presidenti Thaçi, Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit ka bërë të ditur se:

“Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Aty është thënë se aktakuza është rezultat i një hetimi të gjatë dhe se një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale është duke analizuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000./ REL

Share: