Home KRYESORE Avokati i Popullit publikon raportin mbi veprimtarinë e KED: Probleme…

Avokati i Popullit publikon raportin mbi veprimtarinë e KED: Probleme…

Ditën e sotme Institucioni i Avokatit të Popullit ka publikuar një raport në lidhje me “Monitorimit të Veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi” përgjatë vitit 2019.

Sipas Avokatit të Popullit shprehet se ka pasur probleme gjatë mbledhjeve, ndërsa shton se ka pasur problematika edhe gjatë hedhjes së shortit.

AVOKATI I POPULLIT PUBLIKON RAPORT MBI VEPRIMTARINË E KED:

Institucioni i Avokatit të Popullit ka publikuar një raport të veçantë të “Monitorimit të Veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi” përgjatë vitit 2019.

Sikurse dihet, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka një rol kyç në suazën e institucioneve të reja të reformës në drejtësi dhe gjatë dy viteve të fundit ai është vënë në qendër të mosmarrëveshjeve midis institucioneve të ndryshme të angazhuara në zbatimin e kësaj reforme.

Avokati i Popullit nga ana tjetër, ka një rol të dyfishtë, jo vetëm si institucion Kushtetues i parashikuar për mbrojtjen dhe garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, por edhe si një institucion të cilit Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacioni për Reformën në Drejtësi i kanë dhënë rol dhe kompetenca të posaçme në këtë proces.

Raporti i publikuar, evidenton probleme të konstatuara nga institucioni i Avokatit të Popullit në rolin e tij si vëzhgues i mbledhjeve të KED përgjatë vitit 2019.

Ndër këto problematika spikasin ato të vërejtura gjatë procedurave të hedhjes së shortit për krijimin e KED, mbledhjet dhe njoftimet për mbledhje të këtij institucioni, pjesëmarrja në mbledhje, procedurat e ndjekura nga KED për verifikimin e plotësimit të kushteve formale për vlerësimin e kandidaturave, vlerësimin e kandidatëve, transparencën e organit të KED-së, respektimin e afateve nga ana e saj, etj.

Gjatë këtij raporti, Avokati i Popullit i është referuar edhe raportit të Komisionit të Venecias në lidhje me KED. Raporti përfshin edhe një numër rekomandimesh, që adresojnë problematikat më të mprehta të konstatuara./ Opinion.al

Share: