Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Çdo drejtori i mbërrin zarfi me plùmb brenda/ Kadastra e Vlorës për...

Çdo drejtori i mbërrin zarfi me plùmb brenda/ Kadastra e Vlorës për skenar filmi, shteti teleshikues: Kush janë të fòrtët që nuk tremben nga institucionet

Një sipërfaqe toke mbi të cilën është ndërtuar një resort turistik mjaft i lakmueshëm dhe konflikti mes ‘dy të fortëve’ në zonën e Jalës për të marrë pronësinë, është arsyeja pse në Kadastrën e Vlorës askush nuk ka guxim të mbajë gjatë postin e drejtorit të saj, ku vetëm pas 15 ditësh nga marrja e funksionit, sot dha dorëheqjen i radhës pas 6 dorëheqjeve të tjera të njëpasnjëshme.

Një burim i tha  Faxweb.al se çdo drejtori të ri që merr detyrën në Kadastrën e Vlorës i mbërrin zarfi me një plumb brenda dhe ku shënohet se, nëse guxon ta ndryshosh vendimin e pronësisë së resortit, je i vdekur. Gjithashtu edhe nga pala tjetër që pretendon se është pronar i tij kërcënon që ta regjistrojë në emrin e saj.

I njëjti burim thotë se resorti u ndërtua nga një biznesmen i fuqishëm nga Tirana në një zonë që më parë ishte e pazhvilluar ndërkohë që brenda pak kohësh u shndërrua në një nga investimet më të fuqishme në bregdet por edhe në “thembrën e Akilit” ku vërehet pafuqia e shtetit dhe drejtësisë. Pronarët e tokës nuk ishin ndjerë deri në kohën kur përfundoi ndërtimi i resortit, por pasi u shfaq para tyre një nga komplekset më modernë në bregdetin shqiptar, nisën edhe peripecitë ku ish-pronarët e tokës i ngritën për të marrë pjesën.

Investitori nuk ka mundur të kënaq këta të fundit të cilët në atë zonë mbase kurrë nuk e kishin menduar një investim të tillë e as ta ndërmerrnin vetë pasi mësohet se investitori nga Tirana është i fuqishëm.

Këtu nis edhe konflikti mes tyre ku ish-pronarët kontaktuan me ‘dy të fortë’ nga Vlora ku njëri momentalisht ndodhet në burg në Spanjë duke ju dhënë 50% të aseteve duke krijuar kështu dy palë të forta përballë njëra-tjetrës, ‘investitori’ dhe ‘pronarët’.

Faxweb.al mëson se toka është regjistruar në hipotekë vetëm në emrin e njërës asaj të investitorit, ndërsa Gjykata e Apelit ia ka njohur pronësinë palës tjetër e cila dhe si e tillë, situata mbetet e tensionuar përmes presionit dhe shantazhit por edhe kërcënimeve. Shteti dhe gjyqtarët janë të pafuqishëm përballë palëve dhe në vendosjen e situatës në shina, ndërsa ata që e kanë pësuar më së tepërmi janë drejtorët që janë emëruar por sidomos qytetarët që kanë probleme me pronësinë por që Kadastra nuk funksionon prej kohësh.

Burimi thotë se Çdo drejtor hipoteke që emërohet, i mbërrin një zarf me plumb brenda dhe shënimin “ma regjistro mua” dhe nga ana e palës tjetër “tjetërsoje po ta mbajti” e në këtë situatë e cila ngjan me një skenar të mirëfilltë filmi kush do të guxonte të qëndronte në atë karrige!

Kadastra e Vlorës është shndërruar tashmë në një institucion që nuk po i gjendet i zoti, pasi vijon të prodhojë lajme për çështje javësh në ndryshimin e emrave që e drejtojnë. Vetëm pas 15 ditësh në detyrë, është dorëhequr drejtori i shtatë i Kadastrës së Vlorës, Jurgen Pilkati i cili u emërua në këtë detyrë në datën 2 qershor.

Drejtori i radhës qëndroi në detyrë vetëm 15 ditë ndërsa nuk janë bërë të ditura arsyet e largimit. Pilkati, u komandua në këtë detyrë pas dorëheqjes së Viola Himës, e cila qëndroi si kryeregjistrues vetëm 4 ditë. Edhe pse qëndroi më gjatë se Hima, ai nuk ka firmosur asnjë dokument si kreu i Kadastrës. Himaj ishte drejtori e radhës e këtij institucioni që kishte marrë përsipër të rregullonte konfliktin e pronave në këtë zonë, të cilat dyshohet se janë shkak për largimet dhe dorëheqjet e njëpasnjëshme.

Në 6 vitet e fundit Hipoteka e Vlorës është drejtuar nga: Jurgen Pilkati larguar pas 15 ditësh në detyrë pa firmosur asnjë dokument, Viola Hima, jep dorëheqjen. Bilbil Aliaj (shkurt 2020-maj 2020) Taulant Canameti (Nentor 2019-shkurt 2020) Elona Hodaj, shtator 2019-tetor 2019 (më pak se 1 muaj) Alteo Nazëraj, shtator 2019-shtator 2019 (10 ditë) Florian Almadhi, maj 2019-shtator 2019 (5 muaj) Klodian Troci, korrik 2018–shtator 2019 (në maj qe kaluar nëndrejtor, 1 vit e 2 muaj) Sokol Banaj, janar 2018–korrik 2018 (6 muaj) Rezart Elmazi, tetor 2015-korrik 2017 (1 vit e 10 muaj). Pas gjithë kësaj, shteti bën rolin e telshikuesit. Kur do të përfundojë telenovela?

(Faxweb.al)

Share: