Home Gjeo-Ekonomia COVID-19/ Komisioni Evropian: Hiqini kufizimet kufitare brenda muajit

COVID-19/ Komisioni Evropian: Hiqini kufizimet kufitare brenda muajit

Komisionerja për çështjet e brendshme, Ylva Johansson është shprehur se situata krijuar nga koronavirusi është drejt përmirësimit dhe se për këtë arsye Komisioni Evropian u ka kërkuar shteteve anëtare të heqin kufizimet kufitare deri në fund të këtij muajit dhe të lejojnë udhëtimin e lirë mes vendeve të bllokut.

“Jemi shumë pranë një situate kur duhet të heqim të gjitha kufizimet e brendshme kufitare. Një afat i mirë do të ishte fundi i muajit”, u shpreh Ylva Johansson.

Ndërsa sezoni turistik afrohet, vendet rreth Evropës po nxitojnë të heqin kufizimet ndaj lëvizjes së lirë duke hapur dyert për turistët.

Italia e ndërmori hapin e madh në 3 qershor, duke lejuar hyrjen e të gjithë shtetasve nga zona Shengen. Për shumicën e shteteve anëtare, përfshirë Greqinë, Francën, Belgjikën, Gjermaninë dhe Çekinë, data e rihapjes do të jetë 15 qershori.

Megjithatë, situata mbetet e ndërlikuar dhe kufijtë nuk do të hapen për të gjithë. Austria riktheu lëvizjen e lirë për të gjithë fqinjët e saj ditën e enjte, por duke përjashtuar Italinë. Qeveria e Vjenës tha se më vonë, mund të lejonin hyrjen e shtetasve Italinë, nga rajonet me numër të ulët infektimesh.

Gjithashtu Greqia, në listën me 29 vendet me të cilat do të lejohen udhëtimet nga 15 qershori nuk e përfshin as Italinë e as Spanjën. Portugalia tha se ishte e hapur për turistët e huaj, por jo ata qe do të vijnë nga Italia.

Hezitim ka edhe për Britaninë e Madhe, e cila ka numrin më të madh të vdekjeve nga Covid-19-ta. Qeveria e Boris Johnson po tregohet e kujdesshme, duke vendosur masën e karantinimit 14-ditor për të gjithë shtetasit që vijnë nga jashtë. Gjermania do të lejojë lëvizjen pakushte nga 15 qershori, por duke lënë fuqi rekomandimet për të mos udhëtuar në vende të prekura, si Britania e Madhe. Spanja po mendon të hapë kufijtë për vende me nivel të ulët infektimi, nga 22 qershori, një ditë pasi përfundon gjendja e emergjencës./Opinion.al

Share: