Home KRYESORE Dështim për marrëveshje pas 9 orësh, çfarë paralajmëruan ambasadorët

Dështim për marrëveshje pas 9 orësh, çfarë paralajmëruan ambasadorët

Pas 9 orësh takime mes ambasadorëve të SHBA, BE dhe Britanisë me Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare.

Ambasadorët thanë se “përparim është bërë” por nënvizuan rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje brenda rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

“Që të tre ne kemi shpenzuar 9 orë me anëtarë e këshillit politik. Ka qenë ditë e gjatë dhe e vështirë, por është berë përparim. Kjo ka qenë e vështirë për të gjitha palët politike. Të gjithëve i është kërkuar që të japin që Shqipëria të fitojë.Shqipëria është në një fazë kritike të historisë së saj. 25 marsi ishte një pikë kthese. Është një votë për të ardhmen e Shqipërisë ne Evropë. Sikurse jeni në dijeni BE ka vendosur një sërë kushtesh që Shqipëria të nisë negociatat për në BE, mes tyre është reforma zgjedhore që është në përputhje me rekomandimet e ODIHR. Qëllimi ynë sot dhe nesër, sepse do të ritakohemi përsëri nesër është që Shqipëria të përmbushë rekomandimet e ODIHR dhe të jetë anëtarë ne BE. Nëse partitë do të arrijnë në konsensus përtej masave të kërkuara nga ODHIR ne do të jemi dakord. Nëse konsensusi për këto pika të cilat ODIHR ka kërkuar nuk arrihet atëherë palët nuk duhet t’i vazhdojnë këto kërkesa.” – deklaroi ambsasdorja Kim.

Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, i quajti “kufij” rekomandimet e ODIHR-it dhe theksoi faktin që është arritur një “vrull” i cili i hap një mundësi për marrëveshje palëve në takimin e nesërm.

“Patëm një ditë shumë të mirë pune së bashku ku bashkëshoqëruam punën e anëtarëve të këshillit politik. Për BE është e rëndësishme që të mund të përmbushen kushtet dhe të nis procesi i anëtarësimit të vendit sa më shpëjtë. Kufijtë janë vendosur nga OSBE/ODIHR-in dhe këtë po kërkon dhe BE nga Shqipëria. Shumë shpejt Komisioni Europian do të prezantojë kornizën negociuese dhe një arritje për reformën zgjedhore do ta bëjë më lehtë këtë punë. Falenderoj palët për qasjen e tyre konstruktive dhe i ftoj që të vazhdojnë më të njëjtën qasje konstruktive dhe nesër. Të mos e shpërdorojmë vrulli që arritëm, sepse para së gjithash është në interes të shqiptarëve dhe të ardhmes së Shqipërisë në BE”,- tha ambasadori Soreca.

Të njejtën gjë si parafolësit e tij nënvizoi edhe ambasadori britanik i cili tha se megjithëse ka shumë punë për tu bërë, reforma duhet të përfundojë nesër.

Këshilli Politik u krijua në mënyrë që të përfundojë reformën. Sot u bë një përparim i mirë, por ka ende punë për të bërë. Duhet këtë gjë ta përfundojmë nesër, jo vetëm që Shqipëria të përparojë drejt BE, por edhe që votuesit shqiptarë të kenë zgjedhje më të mira në të ardhmen. Kështu që le ta përfundojmë këtë gjë”- deklaroi ambasadori Norman. /Opinion.al

Share: