Home Approccio Italo Albanese Detajet e proçedurës së legalizimit në Itali, Sanatorio 2020

Detajet e proçedurës së legalizimit në Itali, Sanatorio 2020

Nga nesër, 1 qershor 2020, deri më 15 korrik, për mijëra të huaj me qëndrim të parregullt në Itali por që kanë një vend pune hapet një dritare për t’u pajisur me lejeqëndrim. Të paktën për ca kohë. Në fakt, nga nesër mund të nisen kërkesat e legalizimit të marrëdhënieve të punës dhe të qëndrimit në Itali, legalizim i parashikuar nga neni 103 i dekretligjit nr. 34 të 19 majit 2020 i njohur ndryshe si dekreti Rinisja. Këto ditët e fundit janë shpallur më në fund edhe një dekret ndërministror (27 maj) e dy qarkore të ministrisë së brendshme (30 maj), të domosdoshme për zbatimin konkret të legalizimit.

Masa e legalizimit për të cilën flet neni 103 i dekretligjit nr. 34 të 19 majit 2020 parashikon dy kanale:

– I pari për punëdhënësin italian apo të huaj (por vetëm nëse ka lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë, i njohur si kartë qëndrimi) që mund të lidhë një kontratë pune të varur apo të legalizojë një marrëdhënie pune në të zezë me shtetas italianë apo të huaj të pranishëm në territorin italian nga 8 marsi 2020;

– I dyti për qytetarët e huaj me leje qëndrimi të skaduar nga 31 tetori 2019, të pranishëm në Itali nga 8 marsi 2020, që mund të kërkojnë një lejeqëndrim për 6 muaj.

Sektorët ekonomikë, punonjësit e të cilëve do të mund të përfitojnë nga ky legalizim i punës dhe i qëndrimit janë:

A.     bujqësia, mbarështrimi, blegtoria, peshkimi e akuakultura dhe veprimtaritë e lidhura me to;
B.     asistencë për persona me sëmundje ose aftësi të kufizuara;
C.     puna shtëpiake.

Kodet e të gjitha aktiviteteve (shtyp këtu për të shkarkuar tabelën) në sektorët e bujqësisë dhe punës shtëpiake që mund të përfitojnë nga legalizimi u dhanë në mënyrë të detajuar nga dekreti i Ministrisë së Brendshme në bashkëpunim me ministritë e Ekonomisë, Punës dhe Bujqësisë, mbi “Mënyrat e paraqitjes së kërkesave të legalizimit të marrëdhënieve të punës”.

Procedurat e paraqitjes së kërkesave për legalizimin e të huajve

Kërkesat mund të paraqiten nga 1 qershori deri më 15 korrik 2020, me dy procedura të ndryshme sipas kanalit të përdorur apo subjektit që paraqet kërkesën.

LEGALIZIMI I KËRKUAR NGA PUNËDHËNËSIT

Punëdhënësit në sektorët e sipërpërmendur mund të paraqesin kërkesë për legalizimin e punonjësve të huaj pranë Sportelit Unik për Imigracionin të Prefekturave. Udhëzimet operative për procedurën jepen në një qarkore të 30 majit të Departamentit për Liritë Civile dhe Imigracionin të ministrisë së Brendshme.

Punëdhënësit mund të jenë italianë, shtetas komunitarë apo të huaj me kartë qëndrimi (lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë). Sipërmarrësit e huaj me lejeqëndrim të thjeshtë nuk mund të paraqesin kërkesa legalizimi.

Të ardhurat e punëdhënësve

Punëdhënësit në sektorët e bujqësisë duhet të kenë të ardhura jo më të ulëta se 30.000 €.

Në rastin e legalizimit të bashkëpunëtorëve familjarë:

1.     kur familja përbëhet vetëm nga një person të ardhurat minimale duhet të jenë 20.000€;
2.     në rast kur familja ka disa pjesëtarë bashkëjetues, të ardhurat minimale nuk duhet të jenë më të ulëta se 27.000€.

Si paraqiten kërkesat

Kërkesat paraqiten vetëm online nga data 1 qershor deri më 15 korrik, nga ora 7:00 deri më 22:00 përmes portalit të ministrisë së Brendshme në https://nullaostalavoro.dlci.interno.it/, siç veprohet tashmë prej vitesh kur kërkohet një kuotë gjatë dekreteve të flukseve. Për të paraqitur kërkesën, punëdhënësit duhet të regjistrohen përmes kodit identifikues SPID (SPID – Sistem Publik i Identitetit Digjital është kod identifikues digjital (përdorues e fjalëkalim) që lejon hyrjen në të gjitha shërbimet online të Administratës Publike italiane qoftë nga kompjuter, nga tablet apo celular). Hyjnë në sistem e plotësojnë formularët sipas sektorëve të punës, EM-DOM në rastin e bashkëpunëtorëve familjarë dhe EM-SUB për punonjësit e varur.

Pas nisjes së kërkesës, portali do të krijojë një zonë personale në të cilën mund të shihet në ç’pikë është praktika, do t’i nisë punëdhënësit një kupon që dëshmon paraqitjen e kërkesës, një kopje të të cilit duhet t’ia japë punonjësit.

Punëdhënësit mund të përpilojnë e të nisin kërkesën vetë ose me ndihmën e shoqatave të kategorisë, sindikataveapo patronateve. Për punëdhënësit që kanë vendosur të ulen vetë para kompjuterit për aplikim, risjellim këtu videon shpjeguese të vënë në dispozicion nga ministria e Brendshme.

Para paraqitjes së kërkesës, punëdhënësi duhet të ketë paguar kontributin forfetar prej 500,00€ për çdo punonjës që legalizon, duke përdorur formularin F24(kodi i taksës REDT, viti i referimit 2020) që përpilohet sipas udhëzimeve të ministrisë e që gjendet në bankë, postë apo mund të shkarkohet nga portali i Agjencisë së tatim taksave.

Sporteli unik për imigracionin, pasi verifikon kërkesat e merr mendimet e favorshme nga Questura e Inspektoriati i Punës, do të thërrasë palët për paraqitjen e dokumenteve të nevojshme dhe lidhjen e kontratës së qëndrimit, në të njëjtën kohë, sporteli unik për imigracionin do të bëjë komunikimin e detyrueshëm të punësimit dhe dorëzimin punonjësit të formularit të krkesës për lejen e qëndrimit për punë të varur, që do t’i nisë më pas kuesturës përmes Postës.

Për të përfituar nga sanatoria, shtetasit e huaj duhet të dëshmojnë praninë në Itali që para 8 marsit 2020. Mund ta dëshmojnë me shenjat e gishtërinjve dhënë forcave të rendit (nëse kanë pasur më parë një lejeqëndrim apo nëse janë ndaluar rastësisht nga forcat e rendit e u janë nënshtruar marrjes së shenjave të gishtërinjve), ose me vulën e hyrjes në territorin italian në pasaportë (nëse ardhur nga një vend jokomunitar, për shembull, drejtpërdrejt nga Shqipëria) apo përmes “deklaratës së pranisë” që bëhet në kuesturë brenda 8 ditëve nga hyrja në Itali (kur në Itali kanë hyrë nga një vend tjetër i BE-së), ose me çfarëdo dokumenti me datë të lëshuar nga zyra shtetërore apo private që kryejnë shërbim publik (për shembull, kartelë klinike e një spitali, librezë abonimi e transportit publik, apo një dokument shkolle, kur i huaji ka bij të mitur).

Lexo edhe: Sanatoria 2020. Detajet e procedurës për të kërkuar lejeqëndrim të përkohshëm
K.B./Shqiptari i Italisë
Share: