Nga ALBANA HODAJ
Sot është ditë e vrenjtur. Mali është i mbuluar nga një re e bardhë në majën e tij.Reja trupmadhe si një babagjysh i Vitit të Ri është po kaq gënjeshtare, sa dhe mjekra e dëbortë.Mali rri aty, hijerëndë dhe i patunduar nga përkedhelitë e tufave bardhoshe. Iku dhe kjo re e një tjetër duket sikur i ka vënë syrin majës. Ajo është plot zemërim e nxiton të lëshohet mbi mal.
Çika, si një i moçëm flokërënë, me drurët si mjekër të gjelbërt lëshuar, me gurët skalitur si rrudha, tek- tuk i ndrijnë fijet e bardha të dëborës, shenjat që dimri i la mbi trupin e ashpër.Bora është dashuria e këtij mali që çel lule erëmirë e me to e marros aq fort të dashurën e tij, sa e shkrin në prushin e gurëve që i djegin shpirtin…Bora besnike lind e rilind çdo vit për të, e mban gjallë këtë luftëtar të paepur që nuk e pushton dot njeriu mijërashekullor.
Aty mbin çaji, rigoni, trëndelina e lulet e vesuara aq dehëse, ku marrosen bletët në fluturimin e tyre ngazëllyes…
Kjo majë mali, Ҁika, ka meloditë e saj stinore. Pranvera e gëzon, e mbush me jetë e tinguj e i largon vetminë dimërake, ku as ujku nuk i bën shoqëri.Shqiponjat janë bijat e saj besnike që përplasin krahët, i rrinë në kraharor dhe kur stuhia përpiqet t’ia marrë shpirtin majës, nënës së saj, Ҁikës. Dhe kur zogjtë frikacakë zbresin poshtë në këmbët e malit derisa ikin për t’u rikthyer sërish, si tani…Dhe kur ujqit lënë ulërimën si jehonë e luftojnë të mundin urinë sa më poshtë kësaj maje, aty ku të tjera gjallesa jetojnë, dhe atëherë e vetmja që nuk e braktis këtë majë, është trimoshja, shqiponja symprehtë, me zemër të vogël, por më të fortë se e ujkut. Ajo është kurora e moçme e majës së Çikës. Krenaria e saj!
Nuk ka arinj, as luanë, po kjo majë ka thëllëza lozonjare, grinjoshet që vallëzojnë aq bukur rreth gushës së malit.Dhe kjo majë i mban gjallë, i ushqen, u lan sytë, u jep të pinë nga uji i dashurisë së saj të kulluar, që tretet ngadalë në diellin e afërt e të praruar..Sa është lodhur Dielli ta marrosë me rrezet e tij, sa pranë Çikës ka zbritur e sërish s’ka mundur ta ndajë nga mbretëresha e dimrit, Dëbora, që ende sot shndrin skutave të këtij mali të plakur… Çfarë dashurie e përjetshme, e pavdekshme, e pathyeshme, jetëdhënëse e dritësjellëse…
Iku dhe reja zemërake ndërsa shkruhen këto rreshta përballë majës 2045 metra mbi mua, ulur ndërsa kundroj malin përballë…dallëndyshet më bëjnë shoqëri e zogjtë zhurmëshumë hyjnë e dalin në foletë nëpër çati, sikur të duan të bien në sy e të jenë në rreshtat që po shkruaj…Po unë ia kam ngulur sytë majës e po kundroj humorin e saj me retë.
Poshtë këmbëve të tij rrjedh lumi, Shushica, me sytë nga trupi malor i gurtë, në pritje për ç’do të zbresë maja bujare…Lumi aty, poshtë kësaj lartësie madhështore, merr fuqinë në dimrin e egër, trimërohet e rrjedh vrullshëm, ndërsa në verë, krekos gurët e bardhë me freskinë e ujërave të kthjellët…
Mali hijerëndë po përcjell një tjetër re tinzare ulur aq pranë tij, si një shall dimëror rreth trupit..Maja s’duket më.Reja ia ka zënë pamjen, ndërsa zhurma e një breshke më tërhoqi vëmendjen.Më pullat e kafta katrore në kurriz përpiqej të dilte nga një karton i hedhur aty e me vrapin e ngadaltë u struk nën kurorën e mollës bukuroshe.
Fryn një fllad i lehtë, i ëmbël dhe pemët këtu pranë sikur vallëzojnë gjithë elegancë..Bari i sapokorrur shtrirë përtokë u ngjan ushtarëve të mundur në betejë..
Ja dhe një brumbull i zi, me antena ngritur si helikopter ushtarak, më kalon krahëshigjetë mbi kokë, si për t’u gërmëzuar në paragrafin tim.Dhe unë mendoj morinë e gjallesave që banojnë në këtë rrëzë mali ku pak njerëz mbajnë zjarrin ndezur në këtë tokë të lashtë e kaq shumë vetmitare.
Këtu natyra është në habitatin e saj, e lirë, e papushtuar, e pandryshuar. Pafuqia e njeriut për ta dashur, sa ta mbushë me frymë njerëzore e me mrekulli të duarve e mendjes së tij krijuese apo pamundësia për të pushtuar këtë mal hijerëndë e të palëkundur? Dashuria mundet të pushtojë e mundë dhe male e maja, por këtu s’ka më aq shumë dashuri sa për të folur, vrapuar e lutur me malin.
Iku dhe reja grindavece dhe bardhësia ia ka lënë vendin të kaltrës së qetë ndërsa retë barshoshe ikin e vijnë ziliqare për madhështinë e malit që s’e mposhtin dot…Ato venë e vijnë e mali mbetet aty, i heshtur e i thellë, si universi i qielltë që mban mbi krye..Mistere të mëdha mban brenda shpirtit me rrënjë të gurta..Një mal si ky patjetër që ka shpirt.Kur shpirti i tij klith, çahet toka përreth e gurët bien si lotë pikëllimi…Ka dhembur ky trup kohërave, tashmë i mplakur e i mpakur, por qëndrestar në lartësinë dhe përjetësinë e tij.Duket kaq kureshtar e ndjellës, teksa e sheh e nuk të kthen përgjigje, e bindur që i dëgjon të gjitha sa shkruan kjo tastierë tani me sytë nga heshtja e tij…
Nga kjo majë ndjellëse erdhëm buzë lumit në një lagje të quajtur ‘’Lekaj’’, ku si mirëseardhje Çika të dërgon ujin e saj në burim.Një shtëpi e vogël, mu në gji të natyrës, me përrallet e larta e të dendura që i bëjnë ballë erës së fortë të dimrit të ashpër.Pak shtëpi, s’ka shkollë, as kopsht, pak fëmijë, pa zëra gazmorë në burim si dikur, pa zhurmë lojërash, me zëra të fortë përshëndetës si britma grindjesh të zjarrta.Larg tymit të makinave, larg betonit e spitaleve, të vetëruajtur e vetëmbrojtur nga moti e jetesa, mbajnë ndezur zjarrin në oxhaqe, pijnë qumshtin e bagëtive që kullotin malit, duke iu larguar malit gjithnjë e më shumë.Ndërsa Maja është aty, vështron, pret e përcjell jetët që shkojnë e vijnë.
Dua t’ia lexoj rrudhat e vrenjtura Majës, ndoshta ka mall për banorët e saj që dikur luanin lëndinave e ngjiteshin nëpër damarët e saj të egër shkëmbor..Ndoshta i dhemb zhveshja e saj nëpër kohë, pa mundur t’i joshë e mbajë pranë frymorët e saj egoistë.Ndoshta është plakur shumë e ndaj i rrinë larg.Ka frikë mos e harrojnë ndërsa po i ikin çdo ditë e më shumë..Kjo është brenga e saj, brenga e Majës së Çikës, e malit trim plot me legjenda.E Malit, që ka parë e bërë luftëra e histori për njerëzit e këtij vendi..E Malit, që ka rritur djem e vajza si drita. E Malit që ka fshirë lotë dëshmorët për rrënjët e tij.E Malit, që ka ushqyer shpirtin e burrave të këngës, të fjalës e të penës.E Malit, që bijtë i deshi shqiponja, me shpirtin e bardhë si bora e fjalën e ngrohtë si dielli…E Malit, që sot po sheh lënduar vetminë e tij dhe pse i vetëm, nuk do mbetet kurrë!
Maja e Çikës tani është mbuluar nga një shtëllungë reje e bardhë, e akullt, nuk është vetëm.Retë janë aty e i bëjnë shoqëri, ndërsa unë përpiqem t’i numëroj majëzat si gunga në trupin e saj të hirtë..Njëherë më dalin 12 e herë të tjera më shumë, por do të doja të lexoja përtej asaj që shoh, zemrën e Malit.Si është një zemër kaq shekullore? Si rreh zemra e një mali? Një flutur më ulet në kraharor, e kap lehtë me duar dhe e lëshoj.Ndoshta Mali më tha të ndieja zemrën time që të kuptoja rrahjet e tij…
Po vjen një re e Mali sikur s’ka dëshirë ta lërë të ikë.Filloi shi i rrëmbyer. Po bie në Majën e Çikës.Është i dendur, si fjalë të pathëna.Po futem brenda dhe unë, me kokën nga maja e errësuar që nuk duket më.Maja e Çikës po qante.Ishin lotët e vetmisë, në tokën ku dikur ishin ‘’të tërë bashkë’’…