Home KRYESORE Eurobondi sukses apo borxh për Shqipërinë? Rama përplaset me Tabakun

Eurobondi sukses apo borxh për Shqipërinë? Rama përplaset me Tabakun

Përfitimi i 650 milionë eurove nga Eurobondi ka ngjallur një tjetër debat mes opozitës dhe mazhorancës, të cilët këtë çështje e shikojnë në këndvështrime të ndryshme.

Teksa kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një sukses për Shqipërinë, opozita e shikon si një borxh më tepër për vendin tonë.

Ish-deputetja Jorida Tabaku e ka cilësuar kryeministrin si një gënjeshtar i paskrupullt. Sipas Tabakut, Rama po fut në borxh shqiptarët në një kohë kur ekonomia është në krizë dhe bizneset janë duke u falimentuar.

“Edi Rama është një gënjeshtar i paskrupullt. Sa herë është në vështirësi bën 2 gjëra: gënjen edhe më shumë shqiptarët dhe sulmon personalisht këdo që u thotë shqiptarëve të vërtetën se ai është përgjegjësi për krizën e rëndë të ekonomisë. 650 milionë euro të tjera, të marra borxh, njësoj si borxhet e mëparshme të kësaj qeverie, do të shkojnë për projektet korruptive të Edi Ramës, që nuk kanë lidhje me interesin publik, por vetëm të 4-5 njerëzve. Ekonomia sot është në prag falimenti, bizneset po mbyllen, njerëzit marrin ushqim me lista, por Edi Rama vazhdon të firmosë koncesione korruptive 2,2 miliardë euro. 650 milionë euro të tjera, të marra borxh, janë vetëm maja e ajsbergut. Një borxh ekstra për veset e vjetra të kryeministrit Rama, pa asnjë shqetësim për hallet e shqiptarëve. Me batutat e tij banale, bajate dhe të vjetra si ai vetë, mund të qeshin ata 5 veta që marrin tendera e koncesione, por jo 3 milionë shqiptarë. Ata janë skllevër që ai i ngarkoi me 4.2 miliardë taksa të rritura, i detyroi të largohen dhe që sot po mbyllin masivisht bizneset. Sot prej Edi Ramës 1 në 2 shqiptarë është më i varfër. Sot prej Edi Ramës 1 në 2 shqiptarë është pa punë. Sot prej Edi Ramës 1 në 2 shqiptarë kërkon të largohet. Edi Rama, si kryeministri më i paaftë, më i dështuar dhe më i korruptuar i vendit, është fatura më e lartë që po paguajnë shqiptarët. Nuk ka borxh të ri, amnisti fiskale për krimin apo kopje të shëmtuar programi që e shpëton nga largimi,”– është shprehur Tabaku në rrjetet sociale.

Ndërkohë, ka ardhur dhe reagimi i kryeministrit Rama. Përmes një postimi në “Twitter” Rama ironizon ish-deputeten duke thënë Përmbahu zonja Tabaku, përmbahu sepse gjuha e akuzave dhe fyerjeve nuk është as argument, as shembull qytetarie në një shoqëri që ka nevojë për t’u pastruar në gjak e në mendje nga helmi i fjalëve të rënda”.

Rama i drejtohet Tabakut, duke thënë se do apo nuk do opozita, Eurobondi ishte një sukses dhe triumf për Shqipërinë.

“Përmbahu zonja Tabaku, përmbahu sepse gjuha e akuzave dhe fyerjeve nuk është as argument, as shembull qytetarie në një shoqëri që ka nevojë për t’u pastruar në gjak e në mendje nga helmi i fjalëve të rënda, të cilat prej vitesh janë bërë buka dhe djathi i tregut të politikës…Doni s’doni ju Eurobondi ishte një sukses kuptimplotë, përmbajtja e të cilit është pasqyrë e qartë e zbrazëtisë së propagandës politike-mediatike kundër qeverisë dhe në fakt, kundër vetë Shqipërisë që ju e tregoni përditë si ferrin mbi tokë! Shqipëria dje triumfoi, doni s’doni”,-shprehet Rama./ Opinion.al

Share: