Home KRYESORE Heqja e reciprocitetit, Vuçiç: Nuk mund të shmangemi nga bisedimet

Heqja e reciprocitetit, Vuçiç: Nuk mund të shmangemi nga bisedimet

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se heqja e masave të reciprocitetit krijon hapësirë për dialogun me Kosovën. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai tha se po e pret ardhjen e përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Mirosllav Lajçak, në Beograd dhe Prishtinë pas zgjedhjeve të 21 qershorit në Serbi. Vuçiç po ashtu tha se ka hequr dorë, nga siç u shpreh ai, nismat e mëdha për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe është duke pritur propozimin.

Radio Evropa e Lirë: Le të fillojmë me ndodhinë e së shtunës. Qeveria e Kosovës hoqi masat kundër Serbisë. Si do të ndikojë kjo në dialogun në mes të Serbisë dhe Kosovës?

Aleksandër Vuçiç: Kjo gjë e hapë mundësinë që ne të fillojmë bisedimet, nëse ajo masë mbetet për më shumë se disa ditë dhe besoj se nuk është çështje përndjekjeje dhe rivaliteti në mes të dy palëve, por një çështje thelbësore, çështje e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, një nga liritë më të rëndësishme të botës moderne, dhe besoj se do të ketë një efekt të mirë në ekonominë e Beogradit dhe Prishtinës, do të ketë një efekt të mirë te njerëzit. Pra, jo vetëm serbët, por edhe shqiptarët, kjo do të krijojë një lloj kornize në mënyrë që komunitetet tona të biznesit të mund të bashkëpunojnë më mirë. Sigurisht, kjo do të hapë mundësinë e dialogut politik në mes nesh.

Radio Evropa e Lirë: Kur pritet të fillojë dialogu? Zoti (Mirosllav) Lajçak ka përmendur muajin qershor?

Aleksandar Vuçiç: Pas zgjedhjeve (në Serbi) unë pres vizitën e zotit Lajçak edhe në Beograd edhe në Prishtinë. Pastaj, do të shohim se si do të vazhdojmë.

Radio Evropa e Lirë: Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se nuk do të shkojë në Bruksel. Si e kuptuat këtë mesazh?

Aleksandar Vuçiç: Ato janë punë të brendshme të tyre. Dikush dëshiron të thotë se duan të dëgjojnë vetëm amerikanët, jo evropianët dhe në anën tjetër kemi të tjerë të cilët thonë se janë të hapur për evropianët, kështu që të gjithë thonë gjëra të ndryshme. Dhe mos harroni, ata janë fëmijë të amerikanëve dhe gjermanëve dhe të gjithë atyre që krijuan pavarësinë e Kosovës. Çfarëdo që të bëjnë, për ta gjithmonë do të ketë lëshime dhe vullnet të mirë nga ana e atyre që krijuan pavarësinë e Kosovës, ata do t’i ndihmojnë. Ne nuk jemi në atë situatë, nuk mund të shmangemi nga bisedimet.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni rolin e Amerikës dhe atë të BE-së kur bëhet fjalë për dialogun në mes të Serbisë dhe Kosovës?

Aleksandar Vuçiç: Pa marrë parasysh se si e shoh unë apo çfarëdo që mendoj për të, do të pajtoheni se nuk është e logjikshme për mua të flas publikisht sepse është… ne jemi në rrugën evropiane dhe nga ana tjetër Amerika është fuqia më e madhe në botë, dhe tani ju prisni nga unë që të kundërshtoj njërën ose tjetrën. Ne jemi shumë të vegjël për të qenë në gjendje të bëjmë një gjë të tillë dhe të kemi të drejtë ta vendosim Serbinë në një pozitë më të vështirë. As që e mendoj një gjë të tillë. Ne flasim me të gjithë. Për ne më të rëndësishëm janë gazetarët, jo ju, por shumë gazetarë që kanë folur me ne gjithmonë, kanë folur për çështje teknike –kur do të vijë data, kur do të flisni, por askush nuk flet për thelbin.

Ajo për të cilën unë bëj pyetje gjithmonë është “në rregull, nëse ju tërhiqeni nga dëshira juaj për t’u bashkuar në organizatat ndërkombëtare për 60 ditë, nuk ka problem, këtu jemi dhe ne do t’i japim fund fushatës të çnjohjeve për 60 ditë”. Nuk është problem, por është teknike. Pyetja ime ka të bëjë me thelbin. Cila është përmbajtja e dialogut? Për çfarë po flasim? Dhe çfarë do të vijë në fund të dialogut. Sepse, nëse është thjesht “ejani serbë dhe njihni pavarësinë e Kosovës, le ta përfundojmë këtë histori”, sigurisht që nuk do të shkojë në atë mënyrë.

Radio Evropa e Lirë: Kur flisni për Kosovën, ju thoni që do të përpiqeni që Serbia të fitojë sa më shumë dhe të humbasë sa më pak të jetë e mundur.

Aleksandar Vuçiç: Më së paku që duhet.

Radio Evropa e Lirë: Më së paku që duhet. Çfarë shihni si zgjidhje?

Aleksandar Vuçiç: Unë nuk shoh asgjë sepse kur e kam parë, të gjithë më kanë thënë se çfarëdo që shoh është e keqe. Të gjithë ata që janë jashtë Ballkanit dhe nuk kanë asnjë lidhje me serbët dhe shqiptarët, do të ishte më e mirë të zgjidhnin problemin sesa ata që ishin të përfshirë drejtpërdrejtë në problem, pra serbët dhe shqiptarët. Kjo është sjellja e fuqive të mëdha për më shumë se 150 vjet në këto treva. Ata kanë interesin e tyre, ata kanë vendimet e veta dhe mendojnë se është e rëndësishme që qëllimet e tyre të respektohen, të përmbushen dhe nuk u intereson se çfarë mendojnë vërtetë serbët dhe shqiptarët. Kjo është arsyeja se kur isha në Kombet e Bashkuara dhe thash: “lërini popujt e Ballkanit të rregullojnë marrëdhëniet e tyre vet, dhe në të kaluarën do të kishte pasur shumë më pak gjak dhe shumë më pak probleme”.

Por, unë jam i vetëdijshëm se të gjithë ne së bashku jemi të vegjël dhe sigurisht që gjithmonë do të ketë në Ballkan të tillë që do të shikojnë mënyra për të kënaqur të mëdhenjtë, shumë më tepër sesa të krijojnë marrëdhënie më të mira me miqtë ose fqinjët e tyre. Kështu që unë kam hequr dorë nga disa iniciativa të mëdha dhe jam duke pritur për të parë se çfarë do të na propozohet. Dhe nëse më pyet, kjo është arsyeja pse unë e thash atë, çfarë saktësisht është ajo që pres. Nuk pres asgjë. Unë nuk e di se çfarë të bëj. Kur them diçka do të jetë, por nuk e di se çfarë të pres. Asgjë konkrete./REL

Share: