Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka zbarkuar mëngjesin e sotëm në zonën e Tales dhe ka filluar prishja e objekteve pa leje në këtë vijë bregdetare.
Në mbështetje të IKMT janë edhe forcat e Policisë së Shtetit dhe strukturat e Bashkise Lezhë.
Mësohet se deri më tani nuk ka patur rezistencë nga ana e pronarëve të godinave pa leje.
Kujtojmë se pak ditë më parë IKMT përmbylli aksionin për prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje në vijën bregdetare të plazhit të Velipojës, por që u shoqërua me incidente. Një grup personash tentuan të bllokonin aksionin.
Kujtojmë se edhe kryetarja e bashkisë Shkodër, Voltana Ademi i ka dërguar letër kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshi si dhe ministrit të Turizimit dhe Mjedisit, Blendi Klosit për situatën në fjalë. Reagimet nuk kanë munguar as nga kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu.
Po ashtu, ditën e djeshme, IKMT njoftoi se gjatë kontrollit të kësaj jave janë verifikuar 11 ndërtime pa leje në linjën e bregdetit në Dhërmi. Këto 11 objekte pa leje janë prishur, ndërsa ndaj pronarëve janë marrë masa administrative.
Top Channel