Home KRYESORE Koronavirusi/ Hiqen kufizimet, por bëni kujdes

Koronavirusi/ Hiqen kufizimet, por bëni kujdes

Duke filluar që nga dita e sotme, 1 qershor, nuk do të ketë më orare të kufizuara, jo më leje për automjetet, madje hapen edhe çerdhet dhe kopshtet. Pas gati 3 muajve nën masat kundër përhapjes së koronavirusit, më në fund qytetarët shqiptarë mund të lëvizin lirisht.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu konfirmoi se duke nisur nga kjo e hënë do të hapen edhe plazhet, por vetëm për hotelet, ndërsa nga fundjava për të gjithë qytetarët.

Ministrja njoftoi se “kampionatet sportive do të lejohen nga data 1 qershor, pa praninë e publikut”. Do të vijojnë të mbeten të ndaluara “aktivitetet kulturore, klubet e natës, kinema, teatro, dasma dhe tubimet e çdo lloji”.

Qytetarëve u është rikthyer liria e munguar për shkak të pandemisë koronavirus, por në anën tjetër, autoritetet kanë bërë thirrje që të gjithë duhet të vijojnë të bëjnë kujdes, të ruajnë distancimin social, si dhe të tregohen të kujdesshëm me higjienën. Virusi është ende aktiv dhe këtë e tregojnë edhe rastet e reja, të cilat gjatë javës së kaluar ishin në shifra të larta, ndërsa një ditë më parë u konfirmuan 15 persona pozitivë me Covid-19./ Opinion.al

Share: